
Kompania e ngarkuar për modernizimin e landfillit më të madh të Europës nuk ka eksperiencë në këtë biznes, nuk ka filluar ende të investojë dhe sakaq ka ofruar veten si destinacion të maleve të plehrave të Italisë, mësoi BIRN.
Saska Cvetkovska, Vlado Apostolov, Nela Lazarevic

Maqedonia po përballet me një detyrë herkuliane: modernizimi me standardet e BE-së të njërit prej landfilleve më të mëdha të Europës.
I gjendur në periferi të kryeqytetit Shkup, landfilli Drisla është një problem mjedisor dhe pranë tij lumenjtë janë të zinj ndërsa mbetjet nga malet e plehrave hidhen në gropa të thjeshta.
Pas një tenderi ndërkombëtar, bashkia e Shkupit u krenua në janar 2013 se ka gjetur kompaninë më të mirë për ta pastruar dhe zhvilluar landfillin: FCL Ambiente.
Gjithsesi, BIRN arriti të zbulojë se FCL Ambiente, kompania italiane e ngarkuar me menaxhimin e mbetjeve të 600 mijë shtëpive, nuk ka eksperiencë në këtë fushë dhe qe krijuar vetëm pak ditë para afatit të dorëzimit të dokumenteve të tenderit.
Pavarësisht mungesës së eksperiencës, kompania e fitoi kontratën duke mposhtur dy kompani ndërkombëtare për menaxhimin e mbetjeve, Scholz AG të Gjermanisë dhe Asa (Asa International Environmental Services) të Austrisë.
Përveç kësaj, dokumentet zyrtare të kompanisë të siguruara nga BIRN tregojnë se FCL Ambiente nuk ka bërë ende asnjë investim madhor në projekt edhe pse kontrata e saj sanksionon që kompania duhet të hedhë 73 milionë euro gjatë pesë viteve të punës.
Firma duhej të investonte në infrastrukturë dhe pajisje, përfshirë ndërtimin e një qendre riciklimi të teknologjisë së lartë. FCL Ambiente premtoi gjithashtu fitime vjetore prej më shumë se 6 milionë eurosh të cilat duhet të ndaheshin 80 me 20 për kompaninë italiane.
Ndërsa FCL Ambiente nuk ka filluar ende të investojë, dokumente të siguruara nga BIRN tregojnë se fitimet janë rritur nga 28 mijë euro më 2012 në 120 mijë euro në vitin 2013.
Një zëdhënës për zyrën e kryebashkiakut i foli BIRN në mënyrë të turbullt për një “makinë të re” që Drisla ka porositur nuk nuk qe në gjendje të ofronte asnjë detaj për blerjen. Drisla nuk iu përgjigj kërkesave për komente.
Padi

Dhënia e kontratës për FCL Ambiente ka tensionuar marrëdhëniet me njërin prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë, Gjermaninë, konflikt që mund t’i sjellë qeverisë së qytetit një gjobë prej miliona eurosh.
Një burim diplomatik dhe një njeri i brendshëm në Scholz AG i tha BIRN se firma po mendohej për të ndërmarrë aksione ligjore përmes një gjykate tregtare ndërkombëtare për të siguruar 80 milionë euro kompensim, një lëvizje e mbështetur nga Ambasada e Gjermanisë në Shkup. BIRN kupton se Scholz është ende duke u menduar.
Kjo mund të bëhet fitorja e dytë në gjyq e Scholz AG në lidhje me këtë tender. Në korrik 2013, firma gjermane rrëzoi me sukses vendimin për t’i dhënë kontratën FCL Ambiente në Gjykatën Administrative të Shkupit, e cila vendosi në favor të saj dhe urdhëroi ritenderimin.
Por në nëntor 2013, qyteti, i drejtuar nga partia VMRO në pushtet, përsëriti përzgjedhjen me të njëjtat oferta dhe zgjodhi sërish italianët.
Parregullsi në tender

Sipas dosjes së tenderit, konkurrentëve i qe kërkuar të tregonin fitime vjetore prej së paku 20 milionë euro dhe xhiro vjetore prej së paku 250 milionë eurosh për pesë vitet para tenderit.
Kompanitë duhej të demonstronin se qenë marrë me menaxhim mbetjesh për së paku shtatë vjet dhe qenë në gjendje të menaxhonin 300 mijë tonë plehra në vit.
Megjithatë investigimi ynë zbulon se FCL Ambiente as nuk qe krijuar si kompani në kohën kur afati fillestar i tenderit më janar 2012 skadoi. Vetë afati i tenderit u shty nga këshilli i Bashkisë së Shkupit pas kërkesës për më shumë kohë nga një konkurrent pa emër.
Dy konkurrentët e tjerë – Scholz nga Gjermania dhe ASA Asa International Environmental Services nga Austria – i thanë BIRN se nuk patën kërkuar kohë shtesë. FCL Ambiente refuzoi të komentojë.
Sipas dokumenteve nga Dhoma Italiane e Tregtisë, FCL Ambiente u krijua në 14 shkurt, vetëm tri ditë para se sa ajo dhe konsorciumi me të cilën pati konkurruar – kompania e madhe e ndërtimit Unieco – hynë në garë.
FLC është nën pronësinë e Ferazzoli S.p.a përmes një rrjeti kompanish të tjera dhe kjo e fundit është klasifikuar nga dhoma e tregtisë si një kompani e vogël që vepron si “ndërmjetës financiar” me të ardhura prej 310,744 euro dhe fitim prej 7,715 euro për vitin 2012.
Partneri tjetër Unieco ka eksperiencë në ekologji dhe ndërtim dhe xhiro vjetore prej mbi 500 milionë eurosh, por pa të, FCL Ambiente nuk do ta kishte fituar dot kontratën e landfillit në janar 2013.
Pavarësisht kësaj, Unieco nuk pati më asnjë rol në projektin e landfillit Drisla dhe nuk shfaqet në kompaninë e re të partneritetit publik-privat e cila u krijua për të menaxhuar projektin.
Kompania e re, Drisla DOO, është nën pronësinë e Qytetit të Shkupi dhe kompanisë maqedonase FCL Ambiente MK DOOEL, e cila është tërësisht nën pronësinë e kompanisë italiane FCL Ambiente. Kompania italiane ka 80 për qind të aksioneve.
Përfaqësuesi ligjor i Drisla DOO është Ljupco Svrgovski, ish-kryeprokurori i Maqedonisë dhe një mik i shefit të fuqishëm të policisë sekrete të vendit Saso Mijalkov si dhe vëllait të tij Vladimir Mijalkov. Ky i fundit punon si këshilltar pranë drejtorit të Doganës së Maqedonisë.
Goran Angelov, drejtor i Drisla DOO, pretendon se UNIECO dhe FCL Ambiente kanë firmosur një marrëveshje, duke shtuar se “nuk është puna jonë të përzjehemi në marrëdhëniet e konsorciumit”.
Por kur BIRN kërkoi të shohë kontratën, ai tha se “informacioni është i klasifikuar”.
UNIECO nnuk iu përgjigj emaileve dhe thirrjeve telefonike tona në kërkim të konfirmimit se ajo është larguar nga marrëveshjet dhe, nëse është kështu, a ka ndonjë arsye se pse është larguar.
Garanci bankare e pavlefshme

BIRN ka zbuluar gjithashtu prova se garancia bankare e FCL-Uneico për tenderin qe e pavlefshme pasi qe lëshuar nga një kompani e vockël investimesh nën pronësinë e vetë aksionerëve të FCL Ambiente.
Garancia qe dhënë nga Finanziaria Centro Lazia, e cila është nën pronësi të Ferazzoli S.P.A. Sipas një kopjeje të dosjes së tenderit të parë nga BIRN, garancia duhej të ofrohej nga një bankë apo institucion me vlerësim krediti të shkallës “A” nga Fitch.
Finaziaria Centro Lazia dhe Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigjën pyetjes nëse kompania italiane kishte apo jo një vlerësim të tillë.
Regjistri italian i bizneseve e liston firmën si ‘bankë tregtare’ e cila merret me audite dhe banking investimesh. Ajo ka “mes 0 dhe 1 të punësuar” më 2011 dhe 2012, sipas raporteve mbi kompaninë.
Sofia Kunovska, një këshilltare e Qytetit të Shkupit, tha: “Qe zemëruese: të njëjtit njerëz që po konkurronin kishin garantuar vetveten… është dukshëm kundër rregullave të tenderit dhe ligjit.”
Por Goran Angelov, drejtor i Drisla DOO, këmbënguli se nuk kishte asgjë gabim me procesin, megjithëse ai refuzoi t’i tregojë BIRN garancinë apo ndonjë provë tjetër që qyteti është i mbrojtur financiarisht në rast se marrëveshja shkon keq.
“Finanziaria Centro Lazia është një institucion shumë i respektuar,” shtoi ai.
Zyrat qendrore në Itali të braktisura

Në përpjekje për të gjyrmuar menaxhmentin e FCL Ambiente, reporterët e BIRN shkuan në selinë zyrtare të regjistrimit në qytezën Frosinone, 126 kilometra në jug të kryeqytetit të Italisë Romë.
Dokumente të kompanisë tregojnë se FCL Ambiente është në masën 99 për qind nën pronësinë e Finanzaria Centro Lazio ndërsa 1 për qind është nën pronësinë e Italia Consulting. Që të dyja firmat janë 100 për qind nën pronësinë e Ferazzoli S.P.A.
Massimiliano Ferazzoli, i regjistruar si avokati i Drisla DOO në faqen e internetit të kësaj kompanie, ka nën pronësi 80 për qind të aksioneve të Ferazzoli S.P.A ndërsa bashkëshortja e tij, Giovanna Mirra, ka 20 për qind.
Ferazzoli S.P.A gjendet në një ndërtesë të madhe që ka në krah dy rreshta me njësi industriale pranë një grope gjigante mbetjesh toksike në fund të Via Armando Vona. Prostitutat ecin përgjatë rrugëve aty pranë.
Kur reporterët e BIRN vizituan një të enjte pasdreke nëntorin e kaluar këtë zonë, zyra dukej në përgjithësi e braktisur me vetëm një makinë në oborr.
Një punëtor tha se “bosi” nuk qe aty por premtoi se do t’ia kalojë pyetjet tona. Ne nuk morën asnjë përgjigje nga Ferazzoli, bashkëshortja e tij apo nga ndokush tjetër nga kompania pavarësisht se telefonuam shumë herë.
Shumë pak gjëra dihen për ndonjë nga kompanitë. Faqja e internetit e FCL Ambiente ka vetëm një deklaratë të shkurtër mbi punën e saj në landfillin Drisla ndërsa faqja e internetit të Ferrazzoli Spa është ‘në ndërtim’.

Kompania simotër Finanziaria Centro Lazio, një kompani financiare “e specializuar në përqendrimin dhe strukturimin e burimeve financiare”, ofron ak më shumë detaje me një listë projektesh ku nuk përfshihet landfilli Drisla si dhe një listë punonjësish, por jep shumë pak detaje.
Ferazzoli dhe vëllai i tij Domenico janë relativisht të panjohur, por që të dy janë aktualisht figura kyçe te Drisla Doo. Kolegu i tyre menaxher, Giuliano Mari, ka patur detyra të ndryshme drejtuese në shumë firma të mëdha italiane por asnjëra prej tyre nuk duket se ka lidhje me menaxhimin e mbetjeve.
Në kërkim të provave se FCL Ambiente është kualifikuar siç duhet në tenderin për landfillin, BIRN pyeti Qytetin e Shkupit nëse mund të kishte jetëshkrimet. Autoritetet e Shkupit refuzuan dhe FCL Ambiente nuk iu përgjigj emaileve.
BIRN vizitoi edhe zyrat e regjistrimit të Finanziaria Centro Lazio, të cilat gjenden në një ndërtesë modeste me apartamente në Romë ku nuk gjendet ndonjë tabelë me emrin e firmës megjithëse aty janë vendosur logot e gjashtë kompanive të tjera.
Në përmendjen e Finanziaria Centro Lazio, një roje na dërgon te kati i dytë ku sërish nuk ka tabelë të firmës. Një burrë nga një kompani tjetër hapi derën e apartamentit dhe ftoi BIRN të flasë me një grua tjetër, e cila tha se punon për Finanziaria Centro Lazio.
Ajo premtoi se do të kontaktojë bosin e vet dhe t’i kërkojë atij të na takojë ne një ditë më pas, por ne nuk morëm përgjigje pas kësaj pavarësisht se bëmë shumë telefonata.
Mali i plehrave të Italisë

Italia ka vuajtur prejs humb dekadash me plehrat e veta – groposja ilegale është e zakonshme dhe infiltrimi i mafias në këtë industri është e gjithëpërhapur. Plehrat shpesh mbeten të pahequra nga rrugët e qyteteve të mëdha.
Një landfill pranë zyrave qendrore të Ferazzoli S.P.A ka 625 mijë tonë mbetje toksike. Një tender pritet të zhvillohet për ta menaxhuar këtë mbetje siç duhet por kryebashkiaku Nicola Ottaviani thotë se mund të nevojiten 100 milionë euro për të zhvendosur për përpunim vetëm një të pestën e këtyre plehrave në Gjermani.
Prokurorët në Romë së fundmi hapën një hetim mbi menaxhimin mafioz të mbetjeve toksike në Frosinone, pranë Latinës, pas deklasifikimit të rrëfimit të një ish bosi të mafias napolitane, Carmine Schiavone, i cili tha se për 20 vjet ata patën groposur mbetje toksike në këtë zonë.
BIRN nuk ka prova të sugjerojë se ka ndonjë lidhje mes Ferazzoli S.P.A, aktivitetit të mafias apo mbetjeve toksike të groposura pak metra nga zyrat e saj qendrore.
Gjithsesi, BIRN ka zbuluar prova se FCL Ambiente sakaq po ofron landfillin Drisla si një vend groposjeje për plehrat e Italisë.
Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga BIRN, FCL Ambiente është një nga dhjetë kompanitë që po garon për një kontratë nga provinca italiane Imperia, që gjendet pranë kufirit me Francën dhe 20 kilometra larg Monakos.
Nëse përzgjidhet, deri në 106 mijë tonë plehra në vit mund të transportohen për në Maqedoni.
Mes firmave që sakaq po punojnë me FCL Ambiente është një kompani me bazë në Monako që merret me transport, Marine Gasoli Montecarlo. Asgjë nuk dihet për ndonjë rol ekzakt të MGM në projektin Drisla dhe firma nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Marrëdhënie të acaruara me Gjermaninë
Mënyra se si u dha kontrata dhe kërcënimi për një seri të dytë procesesh gjyqësore nga kompania gjermane Scholz AG ka vendosur autoritetet e Gjermanisë dhe Maqedonisë në konflikt.
Një zëdhënës për ambasadën e Gjermanisë në Shkup i tha BIRN se kjo çështje mund të sjellë “dëmtim të marrëdhënieve ekonomike, për shkak se ky rast mbart një mesazh pasigurish ligjore për investitorët potencialë, kështu që mund të ketë ndonjë përkeqësim të marrëdhënieve politike mes dy vendeve”.
“Ky nuk është rasti i vetëm që është përballur Gjermania [në Maqedoni] në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ka probleme edhe në energji dhe arsim.”
Slagjana Taseva, presidente e Transparency International më Maqedoni dhe ish-presidente e Komisionit Anti-Korrupsion, tha se provat e zbuluara nga BIRN demonstrojnë se pse investitorët cilësorë nuk vijnë në Maqedoni.
Ajo tha: “Pasiguria në vendimet juridike dhe ndryshimet e shpeshta të ligjeve konsiderohen si një nga pengesat kryesore të investimeve të huaja direkte.”
Kryebashkiaku i Shkupit Koce Trajanovski e lavdëroi marrëveshjen me Drisla si “kontrata e parë në këtë fushë që unë firmos me krenari” gjatë ceremonisë së firmosjes.
Por pa investime, një proces gjyqësor që mund të vijë dhe me landfillin që po përflitet si destinacion për plehrat e Italisë, duket se ka pak gjëra për t’u krenuar deri tani.
Autorëve të këtij shkrimi iu akorduan financim për këtë artikull si pjesë e Shkollës Verore për Raportim Investigativ 2013 të BIRN.