
Në një intervistë televizive, Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkv i Tiranës dhe Durrësit, tregon motivet e papës për të vizituar Shqipërinë, si dhe rrugëtimin e vështirë të kishës pas rënies së regjimit komunist.

Pyetje: Kush është arsyeja që Papa Françesk zgjodhi pikërisht Shqipërinë si vendin e parë që do vizitojë në Europë?
Përgjigje: Është e vërtetë që jo vetëm ne që kemi këtë privilegjin të mirëpresim Atin e Shenjtë por edhe të tjetër, e kanë pritur gati me habi [këtë vizitë], e me shumë kuriozitet kanë shtruar këtë pyetje, ‘Pse bash në Shqipëri?’. Për ne ka qenë një lajm i jashtëzakonshëm, ndërsa personalisht për mua do e thoja me një fjalë të urtë që e përdorin amerikanët, ‘shumë e bukur për të qenë e vërtetë’.
Ardhja e Papa Gjon Palit, më 25 Prill, të vitit 1993, ishte më e qartë sepse Kisha Katolike në Shqipëri ishte shkatërruar; ishte në agoni dhe pa një hierarki, pa udhëheqës, pa Ipeshkvi . Papa Gjon Pali i II erdhi për të na treguar që Kisha Shqiptare asnjëherë nuk është braktisur nga Papati, por edhe për të ripërtërirë hierarkinë e cila nuk ekzistonte për gati gjysmë shekulli në Shqipëri. Ndërsa ardhja e Papa Françeskut është shfaqja e një dashurie spontane.
Pyetje: A mund të na tregoni emocionet që përjetuat gjatë vizitës së Papa Gjon Palit të II në vitin 1993, kur ai gjithashtu ju shuguroj si arkipeshkv?
Përgjigje: Unë u ftova nga Ati i Shenjtë të vija nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të drejtuar Kishën Shqiptare. Ftesa nga Ati i Shenjtë për mua ishte diçka e papritur. Mund të them se më krijoi jashtëzakonisht emocione. Jo vetëm për faktin që Papa më kishte gjetur boll larg, në një kontinent tjetër, por se do të vija në Shqipëri dhe do të emërohesha si Arkipeshkvi i Tiranës. Prej 19 dhjetorit të vitit 1992 deri më 25 Prill 1993 ka qenë një periudhë me ndjenja të ndryshme. Përveç përgjegjësisë së madhe dhe detyrës së rëndësishme që më ofrohej, gjithçka tjetër ishte e panjohur për mua [në Shqipëri]. Kisha qenë [vetëm] një herë në Shqipëri. Ajo që gjeta ishte përtej [çdo hamendësimi] në aspektet negative për atë që kisha pritur dhe dëgjuar. Kisha krijuar një bindje timen, që duhet të jetë sigurisht ndryshe nga vendet të tjera të Evropës, por jo deri në atë shkallë, dhe kjo në kuptimin negativ.
Pyetje: Imzot, sa ka ndryshuar Kisha Katolike në këto 21 vite. Papa Gjon Pali II erdhi në një periudhë kur në Shqipëri sapo ishte dhënë e drejta e besimit, por sot në cilat kushte jemi?
Përgjigje: Siç thashë dhe më parë, Kisha në të vërtetë ishte në agoni. Fenë e kishin ruajtur njerëzit dhe e kishin praktikuar në mënyrë klandestine. Sa i përket infrastrukturës së Kishës, klerikëve apo dhe ambienteve, ajo praktikisht nuk ekzistonte. Na është dashur ta fillojmë nga zero për sa i përket infrastrukturës materiale e cila ka qenë e shkatërruar. Ishin 32 priftërinj që kishin mbetur gjallë; dhe ata me pasoja të rëndë për shëndetit për shkak të persekutimit në kampet e punës dhe burgjet e regjimit komunist. Pra, pa klerikë vendas, pa infrastrukturë… Kjo ishte Kisha pas diktaturës.
Pyetje: Vizitën e Papa Françeskut ne e mësuam më 14 qershor, por besoj se ju keni qenë në dijeni shumë më herët. A mund të na rrëfeni si u organizua kjo vizitë?
Përgjigje: Ftesa për të vizituar Shqipërinë është marrë me rastin e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Vatikan. Mandej ka qenë konferenca Arkipeshknore në bashkëpunim me Nuncin Apostolik që kanë bërë ftesën zyrtare; sepse, që Papa të vizitojë një vend duhet dhe një ftesë zyrtare nga drejtuesit e kishës [të vendit mikpritës]. Papa pikëspari vjen si bari shpirtëror për të vizituar grigjën e vetë, që është kisha katolike dhe besimtarët që ai drejton. Duke qenë se ai është edhe kryetar i shtetit të Vatikanit, do të thotë që këto dy elemente duhet të jenë dakort me njëri-tjetrim për të realizuar një vizitë të Atit të Shenjtë. Axhenda e Papa Françeskut është bërë e ditur, por më bëri përshtypje takimi që do të zhvillohet me përfaqësuesit e komuniteteve fetare; madje Papa ka deklaruar se për hir të ekzistencës së kësaj harmonie ndërfetare ai vjen në Shqipëri.
Në katedralen e Zonjës së Këshillit të Mirë do të zhvillohet një takim me të gjithë ata misionarë që janë angazhuar në shërbesat fetare dhe më pas do të jetë takimi me përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Është në vazhdën e asaj që Papa e ka konsideruar si një meritë të veçantë të popullit tonë, në rrethanat që po kalon bota, por edhe në qëndrimin konstant që ka Selia e Shenjtë mbi marrëdhëniet ndërfetare. Kështu, në mesazhin e fundit që Këshilli i Selisë së Shenjtë i ka dërguar bashkësisë myslimane është kërkuar një vëllazërim me besimtarët mysliman. Papa Françesku do të takojë dhe do të përshëndesë të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ku sigurisht do të ketë një fjalim në sintoni të vizitës së tij në Shqipëri.
Pyetje: Imzot, Shqiperia, është zgjedhur nga Papa Françesku si shembulli i bashkëjetesës paqësore dhe harmonisë fetare mes komuniteteve. Por një antropologee njohur angleze, Klarisa Deval, në një studim të saj ka thënë se shqiptarët nuk janë tolerantë ndaj feve, por indiferentë ndaj fesë. A mendoni se ky konstatim i saj është i vërtetë?
Përgjigje: Unë e kam dëgjuar shpesh herë këtë tezë por nga përvoja ime mjaft e gjatë mund të them se është absolutisht e pavërtetë. Nga larg njerëzit mund të spekulojnë si të duan. Me hamendësimet e tyre mund të vlerësojnë dhe ç’vlerësojnë si të duan. Zëra të tilla vijnë kryesisht nga vendet fqinje, sipas të cilave shqiptarët nuk identifikohen nga asnjë fe dhe asnjë besim. Të jesh shqiptar nuk do të thotë aty për aty që je katolik, mysliman apo dhe bektashi. Në rajonin që na rrethon, njëra identifikohet me tjetrën. Dhe kjo ndoshta është ajo që ne, duke patur një trung të përbashkët, nuk na shqetëson asnjëra palë, qoftë dhe martesat që bëhen mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Është diçka e fortë që ne na lidh si komb. Por që shqiptarët nuk janë besimtarë këtë nuk e besoj.
Pyetje: Imzot, Shqipëria është zgjedhur nga Papa Françesku për të ndërmarrë udhëtimin apostolik të parë në Europë, në shenjë nderimi për qëndresën e klerikëve gjatë regjimit komunist. Janë 120 klerikë që janë burgosur apo pushkatuar pas vitit ’44 në Shqipëri, ndërkohë që prej vitesh flitet për shpalljen e 40 prej tyre martirë. Përse këta 40 klerikë ende nuk janë shpallur martirë?
Përgjigje: Tashmë është e vërtetuar me dokumente se Kisha Katolike ka qenë një nga viktimat më të mëdha të regjimit komunist. Ne si Ipeshkvi kemi bërë punën tonë; kemi krijuar komisione për të bërë analizën për të gjithë ata që kanë dhënë jetën, dhe pse jo të gjithë janë kandidatë për t’u shenjtëruar. Ata që janë kandidatë për martirë duhet të plotësojnë disa kushte të pakontestueshme për t’u përfshirë në këtë proces. Shpallet martir [vetëm] ai që është ekzekutuar nga regjimi komunistë për hir të besimit, që nuk është përzierë në politike dhe nuk ka pasur asnjë problem shoqëror; pra ai që nuk ka bërë kurrfarë kompromisi me besimin e tij dhe është ekzekutuar. Kuptohet që për të vërtetuar këtë duhet të plotësohen mijëra dokumente. Deri më tani ne kemi plotësuar të gjithë dokumentacionin për shpalljen martirë të 40 klerikëve nga 120 që rezultojnë të vrarë. Është bërë një punë rigoroze. Janë hetuar qindra fletë të cilat i janë dërguar Kongregatës në Vatikan që merret me shpalljen e martirëve. Pasi kalon ky proces verifikimi i të gjitha materialeve, të dhënave apo dhe fakteve, emrat i dërgohen Papës i cili bën shenjtërimin e tyre, qoftë duke shkuar në atë vend apo duke i deklaruar nga Vatikan.