Nishani ka zgjedhur portretin e një pape të shekullit të 17 për të cilin thuhej se qe me origjinë shqiptare.
Presidenti Bujar Nishani i ka dhuruar Papës Françesk një pllakë argjendi me portretin e Papës Klement i Njëmbëdhjetë, deklaroi zëdhënësi i Vatikanit At Federico Lombardi më 21 shtator 2014 në Tiranë gjatë konferencës për shtyp për vizitën e Papës.
“Është një dhuratë shumë e bukur,” tha Lombardi. Në këtë pllakë është shkruar shprehja shqiptare: “Shtëpia është e mikut dhe e Zotit”.
Papa Klement i Njëmbëdhjetë e ka emrin e lindjes Giovanni Francesco Albani. Sipas Wikipedias me referencë një enciklopedi Katolike, ai ka lindur në vitin 1649 dhe ka vdekur në vitin 1721 dhe familja e tij thuhet se ka origjinë nga veriu i Shqipërisë dhe i përket rradhëve të ushtarëve të Skënderbeut. Ai qe dijetar dhe patron artesh, bamirës i madh i Bibliotekës së Vatikanit dhe njeriu që autorizoi gërmime arkeologjike në Romë.