Vendimi i televizionit B92 për të pezulluar emisionin ikonë të diskutimit mbi politikën ‘Utisak Nedelje’ do të varfërojë median serbe, besojnë analistët.
Vendimi i televizionit B92 për të bërë kurban një ndër ikonat e gazetarisë së pavarur – emisionin e debatit politik “Utisak Nedelje” – ka provokuar revoltë mes gazetarëve dhe ekspertëve të medias në Serbi.
“Si është e mundur që diçka që as [i pushtetshmi Slobodan] Millosheviç nuk e beri – diçka që askush nuk ka menuar të bëjë – ai e bëri tani?” tha Olja Beckovic, autorja dhe drejtuesja e emisionit, duke akuzuar haptaz kryeministrin serb Aleksander Vuçiç për mbylljen e programit të saj televiziv 24-vjeçar.
Ajo e portretizoi situatën e medias në Serbi si shumë të zymtë, ku me sa duket nuk ka më vend për emisione si ai i saj.
“Keni një situatë të medias ku të gjithë televizionet i përkasin vetëm një njeriu,” tha Beckovic në RTV Vojvodina, duke iu referuar Vucic.
Beckovic nuk është e vetmja që ngre shqetësime mbi fatin e medias serbe në përgjithësi.
Shumë ekspertë mendojnë se vendimi i televizionit B92 për të mbyllur emisionin “Utisak Nedelje”, si një kalim për tek emisionet argëtuese, do e dëmtojë dhe më tej median, duke pakësuar hapësirën për gazetari të pavarur dhe zërat kritikë.
Përpjekja e televizionit kombëtar pro-qeveritar, Pink, për të zëvendësuar B92 si një stacion kryesor informimi në sektorin komercial, i shqetëson analistët të cilët mendojnë se boshllëku nuk do të plotësohet.
B92 është një ndër katër stacionet televizive në Serbi me mbulim kombëtar. Tre të tjerët janë televizioni publik i financuar nga qeveria, RTS, dhe dy kanalet zbavitëse, Pink dhe Prva.
B92 deklaroi se programi “Utisak Nedelje” do të pezullohej duke filluar nga 26 Shtatori si pasojë e dështimit të negociatave me Beckovic. Nga ana tjetër, drejtuesja pretendon se emisoni është ndaluar.
Drejtuesit e B92 thanë se i kanë ofruar Beckovic një mundësi për të vazhduar transmetimin pas nëntorit në një kanal kabllor me shikueshmëri të ulët, B92 Info.
Teksa bënte publik vendimin e tij, B92 deklaroi se qëllimi ishte fokusimi në programe argëtuese dhe komerciale teksa përpiqen të transformojnë kanalin kabllor shumë më pak të ndjekur, B92 Info, në një kanal informacioni të standardeve të larta.
Faji i hidhet politikës
Teksa B92 përpiqet të justifikojë vendimin për t’u fokusuar në programet argëtuese bazuar në interesat komercialë, Beckovic dhe gazetarë të tjerë shprehin dyshime të forta për këtë.
Beckovic tha se nuk mund të pranojë se vendimi i B92 u udhëhoq nga interesa komercialë, duke qënë se programi i saj ishte më i ndjekuri i stacionit dhe një ndër të paktët që ishte fitimprurës.
“Ata më ofruan pagë 30 për qind më të lartë për të shkuar në kanalin kabllor. Si mund të jetë fitimprurëse të më paguajnë më shumë dhe në të njejtën kohë të më çojnë në një kanal ku nuk do u sjell asnjë përfitim?” pyeti Beckovic në 29 Shtator.
Gazetarët e B92 që punojnë për emisionin investigativ të këtij televizioni, “Insajder”, kanë shprehur sakaq shqetësime për fatin e programit të tyre.
Ekipi i gazetarëve, emisioni i të cilëve do të transferohet gjithashtu te B92 Info, thanë se kanë kërkuar më shumë kohë që të përgatiten për këtë ndryshim.
“Vendosmëria e pronarëve të B92 që kjo të fillojë nga nëntori, teksa është e pamundur që të përgatisësh një skemë serioze të programit në një kohë kaq të shkurtër, na ka bërë të ngremë pikëpyetje nëse pronarët kanë vërtet për qëllim ngritjen e një kanali informativ serioz, apo kjo është thjesht një mënyrë për të mbyllur ‘Utisak Nedelje’, dhe së shpejti dhe ‘Insajder’,” thanë gazetarët në një deklaratë.
“Insajder”, i cili transmetohet në B92 që nga viti 2004, është një ndër programet e pakta investigative në televizionin serb sot. Ai ka marrë një sërë çmimesh. Branka Stankovic, drejtuesja e tij, është nën mbrojtjen e policisë që prej vitit 2010.
Asnjë gati për zëvendësim
Ekspertët e medias thonë se kthesa e B92 drejt programeve televizive do e varfërojë fushën mediatike.
“Do isha shumë i kënaqur nëse një stacion tjetër kombëtar do bëhej simboli i gazetarisë së pavarur, objektive dhe të paanshme – por nuk shoh asnjë aktor të tillë në Serbi,” i tha BIRN-it Boban Tomic, profesor në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit.
Vukasin Obradovic, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, NUNS, ishte një ndër organizatorët e protestës kundër anullimit të emisionit “Utisak Nedelje” të mbajtur në 28 Shator përpara godinës së B92.
Ai tha se protesta nuk kishte lidhje vetëm me emisionin e Beckovic por reflektonte “shqetësimin e madh rreth cënimit të lirisë së mendimit dhe shprehjes” në përgjithësi.
“Megjithëse B92 e ka komercializuar sakaq programacionin… ai ka luajtur një rol të rëndësishëm lidhur me pluralizmin mediatik,” i tha BIRN-it Obradovic.
Ai beson se roli i televizionit publik të Serbisë do të rritet tashmë, si pasojë e mungesës së programeve konkurrente të informimit. Megjithatë, ai ngre dyshime nëse televizioni publik RTS do të mundë të zëvendësojë pozicionin që B92 dikur mbante.
“Nuk jam i sigurtë nëse ata kanë aftësinë ta bëjnë këtë, por RTS duhet të kuptojë që megjithëse B92 ishte një stacion komercial, ai kryente rolin që televizioni publik duhet të ketë,” tha Obradovic. “Tani RTS duhet ta zëvendësojë.”
Jovanka Matic, një eksperte e medias, i tha BIRN-it se ndryshimet e mëdha që po ndodhin në skenën e medias serbe kanë prapavijë politike.
“Kjo qeveri ka nevojë për mbështetjen e publikut lidhur me reformat që duhet të ndërmarrë dhe një mbështetje e tillë në Serbi mund të arrihet vetëm përmes medias,” tha ajo.
“Kjo përqasje është pothuaj autoritare… Ata nuk duan që të ketë asnjë media që mban një qëndrim kritik,” shtoi Matic.
Ajo beson se kanali pro-qeveritar, Pink, i cili ka fituar audiencë të gjerë në sajë të programeve argëtuese, do të përpiqet që të marrë rolin kryesor në informimin publik mes stacioneve komerciale.
“Ndryshimi i madh në të cilin ne jemi dëshmimtarë është se Pink po e profilizon veten si një media me rol të rëndësishëm informues,” tha ajo.
“Ata po forcojnë kapacitetet e tyre për emisionet informative dhe të politikës, siç ne të gjithë e vumë re gjatë mbulimit nga ana e tyre të përmbytjeve [në maj] – dhe kur ata ishin i vetmi televizion që raportonte live konferencat e shtypit të qeverisë,” shtoi Matic.
“Ndërsa kanali që tradicionalisht ka pasur raportim të besueshëm [B92] po fundoset, Pink po bëhet burimi kryesor i informacionit për audiencën që e fitoi përmes programeve argëtuese,” vazhdoi Matic.
Humbja e ekuilibrit
Kur stacionet televizive konkuruan për të marrë frekuencat kombëtare në vitin 2006, ishin të gjithë të detyruar të dorëzonin ide-programet e përgjithshme të tyre. Këto ide-programe ishin një nga faktorët që u mor parasysh nga Agjencia e Transmetimeve Radio-televizive në dhënien e licensave.
Kështu, kur stacionet morën lejen për të transmetuar në nivel kombëtar, u vendos një ekuilibër mes stacioneve me profil argëtues dhe atyre me fokus informimin.
Ekspertët thonë se ky ekuilibër është prishur tashmë, dhe pak besojnë se Agjencia e Transmetimeve Radio-televizive do përpiqet ta rivendosë atë.
“Agjencia e Transmetimeve Radio-televizive ka hequr dorë nga monitorimi nëse televizionet po respektojnë ide-programet e tyre,” thotë Matic.
Në teori, agjencia duhet të deklarojë që ide-programi është shkelur dhe të japë një paralajmërim për transmetuesin.
Por, sipas informacionit të siguruar nga BIRN, agjencia nuk ka ndërmend që të reagojë ndaj ndryshimit të ide-programit të B92, duke qënë se ligjet ekzistuese nuk parashikojnë hapa konkrtetë për ndërhyrje të tilla.
Boban Tomic i tha BIRN-it që transmetuesit janë të detyruar t’i përmbahen ide-programit që kanë dorëzuar kur kanë marrë licencën.
Megjithatë, shteti “nuk ka përcaktuar… shkallën në të cilën mund të modifikohet programi gjatë periudhës së licencës,” shpjegoi ai.
Ndërkohë, Beckovic ka frikë se nuk do të ketë asnjë reagim nga aktorët e fushës së medias, si ata brenda ashtu dhe ata jashtë vendit.
Në vitet ’90, tha ajo, “institucionet europiane do të kishin reaguar por tashmë ju e shikoni se kjo nuk i shqetëson më ata”, tha ajo.
“Ata [europianët] kanë prioritetet e tyre dhe për sa kohë që qeveria [serbe] u vjen avazit, ajo mund të bëjë çfarë të dojë në fusha të tjera,” shtoi ajo.
“Ai [kryeministri Vuçiç] e di këtë dhe e shijon,” tha Beckovic për RTV Vojvodina.
“Në vitet ’90, kishe disa shpresa, luftoje dhe fitoje. Dhe tani, të njëjtat gjëra kundër të cilave luftuam janë kthyer. Njerëzit nuk kanë më asnjë shpresë,” përfundoi ajo.