
Aktorja Vanessa Redgrave dhe djali i saj Carlo Nero mbajtën në Sarajevë premierën e dokumentarit të tyre të ri “Ngritja e Bosnjës” (Bosnia Rising), i cili pasqyron ngjarjet që nxitën protestat masive të këtij viti në Bosnjë.

‘Bosnia Rising’, një dokumentar rreth ngjarjeve që ngritën në demonstratë mbarë Bosnjën në shkurt të këtij viti, pati premierën e tij në Sarajevë këtë të premte.
Filmi 30-minutësh fokusohet në përpjekjet për të shpëtuar fabrikën e detergjentit Dita në qytetin e Bosnjës veriore Tuzla, e cila falimentoi pas një privatizimi të dështuar te një nga oligarkët vendas.
Të pakënaqurit për procesin e dështuar të privatizimit, korrupsionin dhe varfërinë ishin ndër nxitësit e protestave të Tuzlës në fillim të vitit, të cilat më pas u përhapën në të tërë vendin.
Redgrave, e njohur për aktivizmin e saj për të drejtat e punëtorëve si dhe për karrierën e saj si aktore, tha se çështjet e pasqyruara në këtë film nuk prekin vetëm Bosnjën, por të gjithë botën.
“Ky është shembulli i punëtorëve që vuajtën nga privatizimi që ka helmuar dhe shkatërruar ekonominë; dhe atë europiane,” tha Redgrave në komentet e raportuara nga agjencia e lajmeve Reuters.
“Drejtësia sociale është diçka të cilën njerëzit kudo në botë janë duke kërkuar dhe luftuar për ta pasur,” tha ajo.
Ajo gjithashtu tha se ka ndërmend të mbledhë fonde për të punësuar avokatë në ndihmë të punëtorëve të fabrikës Dita.
Në shkurt të këtij viti, më shumë se 10 mijë vetë që kanë punuar në fabrikën e detergjentit Dita, si dhe në fabrika të tjera të Tuzlës, e cila ka qenë një ndër qendrat e industrisë metalurgjike dhe kimike në ish Jugosllavi, u mblodhën përpara ndërtesës së bashkisë për të protestuar.
Kompanitë në të cilat ata kishin punuar, ish gjigantë në ekonomi, u dobësuan ose u shkatërruan në procesin e privatizimit në fillim të viteve 2000, ashtu si dhe firma të tjera shtetërore të Bosnjës.
Punëtorët kërkuan rivlerësimin e procesit të privatizimit ose nisjen e procedurave të falimentit në mënyrë që ata të merrnin pagën e papaguar për vite të tëra ose të lejoheshin të fillonin sërish punën.
Protestat në Tuzla ndezën demonstratën më të madhe ndër vite në vend, ku demonstruesit u vunë zjarrin godinave qeveritare në qytete të ndryshme të vendit.