Sondazhet e ditës së zgjedhjeve dhe rezultatet e para sugjerojnë se qendra e djathtë Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë, GERB, ka marrë pjesën më të madhe të votave por jo maxhorancë.
Dy sondazhe të zhvilluara në përfundim të ditës së votimit të dielën në Bullgari sugjeruan se partia GERB ka fituar numrin më të madh të votave bazuar në një fushatë me platformë stabiliteti pas dy vitesh telashesh politike në vend, por GERB nuk arriti të fitojë maxhorancë të thjeshtë në parlament.
GERB mori 32.2 për qind të votave sipas Alpha Research dhe 33.9 për qind sipas Gallup, dy sondazhuesit më me reputacion të vendit.
Kundërshtari kryesor i GERB, Partia Socialiste e Bullgarisë, fitoi vetëm 16 për qind të votave ndërsa Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e popullatës turke të Bullgarisë u rendit e treta me 14 për qind të votave.
Zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan për shkak se në vend vijoi destabiliteti politik, problemet ekonomike dhe një krizë bankare që ka tronditur vendin më të varfër të Bashkimit Europian. Përgjatë dy viteve të fundit në Bullgari ka patur një seri protestash popullore kundër korrupsionit.
Qeveria e ardhshme, nëse do të ketë një të tillë, do të jetë e pesta në Bullgari në më pak se dy vjet. Qeveria e mëparshme GERB u rrëzua nga protestat.
Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët të votimit në rreth 40 për qind, gati 10 për qind më pak se sa në zgjedhjet e mëparshme të zhvilluara në vitin 2013, parlamenti i ardhshëm pritet të jetë shumë më i fragmentarizuar se za ai i kaluar me deri pesë parti të vogla nga të dyja krahët e spektrit politik pritet të kenë mandate.
Mes këtyre partive është Blloku i Reformave në qendrën e djathtë, një parti e krijuar nga ish prezantuesi televiziv Nikolay Barekov Bullgaria pa Cenzurë dhe partia nacionaliste Fronti Patriotik. Secila prej tyre mori rreth 6 për qind të votave. Dy parti të tjera ABV dhe ultranacionalistët Ataka janë në rreth 4 për qind, kufiri për hyrjet në parlament.
GERB raportohet se mund të ketë fituar rreth 90 deputetë në parlamentin me 240 vende dhe rrjedhimisht 30 deputetë më pak se sa maxhoranca e thjeshtë. Kreu i kësaj partie Borisov pati thënë në të shkuarën se ai nuk do të tentonte të krijonte një qeveri në rast se fitonte më pak se 100 deputetë. Por ai tentoi të ftojë parti të tjera për një koalicion të mundshëm pas mbarimit të votimit.
“Duhet të jemi të përulur dhe të presim një apo dy ditë,’ i tha ai gazetarëve.