Vonesat në krijimin e qeverisë së re katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve po lë diplomatët e Kosovës pa para.
Së paku pesë ambasada të Kosovës në Europë nuk kanë paguar qiratë për zyrat e tyre apo pagat e stafit për më shumë se dy muaj si pasojë e krizës politike në vend.
Një zyrtar që punon në një nga këto ambasada në Europën Perëndimore tha se punonjësit e zyrave diplomatike po vuanin vështirësi të mëdha.
“Ne nuk kemi marrë paga që prej dy muajsh apo fonde për të paguar qiranë, gjë që po shton një problem tjetër për stafin,” tha diplomati për BIRN.
“Ambasada jonë nuk është e vetmja në këtë pozicion. Ambasada të tjera në vende Europiane po përballen me probleme të ngjashme,” tha i njëjti burim që kërkoi të mos dalë me emër.
Ministria e Jashtme e Kosovës pranoi se pagat dhe qiratë nuk janë paguar në kohë për pesë ambasada si pasojë e dështimit të parlamentit për rishikimin e buxhetit të vitit 2014.
“Në mungesë të rishikimit të buxhetit, gjë që me ligj duhet të ndodhë në mes të çdo viti, ne kemi patur vonesa dhe vështirësi të vogla në pagesën e qirave dhe pagave të stafit në pesë misione diplomatike,” tha ministria.
Ndërsa rishikimi i buxhetit supozohet të ndodnjë çdo vit, kjo nuk u bë këtë vit për shkak se parlamenti nuk ka funksionuar.
Asambleja e Kosovës vendosi në maj të shpërndahet dhe vendi të kalojë në zgjedhje të përgjithshme.
Që nga ajo kohë, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, në njërën anë, dhe një koalicion partish opozitare kanë qenë në luftë mbi pyetjen se kush ka të drejtë të zgjedhë kryeparlamentarin dhe kush ka të drejtë të tentojë i pari krijimin e qeverisë.
Megjithëse Ministria e Jashtme thotë se problemi me pagesat e ambasadave “është kapërcyer” për shkak se Ministria e Financave ka filuar të shpërndajë fondet e nevojshme, burimi i BIRN tha se disa ambasada vijojnë të punojnë pa paga.
Ministria e Financave konfirmoi se ka marrë një kërkesë nga Ministria e Jashtme për të zgjidhur problemin por tha se qe ende duke u marrë me të.
Ministria e Jashtme thotë se vonesat në pagesa nuk “kanë prekur punën dhe funksionet më thelbësore të misioneve diplomatike”.
Ekonomistët thonë se dështimi për të rishikuar buxhetin vjetor do të ketë pasoja serioze për disa sektorë të ekonomisë përveç ambasadave.
Një ekonomist, Alban Hashani, tha se në mungesë të rishikimit të buxhetit, qeveria nuk mund të zbatojë politikat e saj fiskale dhe të përshtatet ndaj ndryshimeve që kanë ndodhur ndërkohë.
Sipas tij, qeveria e ardhshme do të duhet të punojë me atë çfarë ka mbetur nga buxheti i qeverisë aktuale.
“Në mungesë të mekanizmave të mbikëqyrjes nga parlamenti, buxheti nuk është imun nga abuzimet e mundshme,” thotë Hashani.