Serbia po e pret presidentin e Rusisë me një paradë ushtarake luksi në vizitën e tij të sotme.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të jetë i ftuar nderi në paradën ushtarake me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit nga pushtimi gjerman.
[fact title=”Axhenda e vizitës së Putinit”]Putini do të mbërrijë në aeroportin e Beogradit në orën 12, ku do të pritet nga Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic
Presidenti i Rusisë do të vizitojë pas kësaj Kompleksin Përkujtimor të varrezës së Rusisë.
Pasi të vendosë lule për ushtarët e rënë rusë, Putin do të vendosë lule edhe në varrezën e çlirimtarëve të qytetit.
Në Pallatin e Serbisë, Putini do të takohet me presidentin e Serbisë dhe më pas me kryeministrin e Serbisë.
Pas drekës, Putini dhe Vuçic do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në orën tre e gjysmë Putini dhe zyrtarët e Serbisë do të marrin pjesë në pparadën ushtarake që do të zgjasë një orë.
[/fact]
Para se të marrë pjesë në paradë, Putini pritet të takojë kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vucic dhe presidentin Tomislav Nikolic. Ky i fundit do t’i japë Putinit medaljen më të lartë të Serbisë, Medaljen e Republikës së Serbisë, Klasi i Parë.
Vucic tha se bisedimet me Putinin do të përqendrohen në çështje ekonomike, më së shumti në energji dhe bujqësi.
Të dy palët pritet të nënshkruajnë shumë marrëveshje dypalëshe në bashkëpunimin në fushën ushtarako-teknike, në energji, transport hekurudhor dhe cështje të tjera.
Ambasadori i Rusisë Aleksandër Çepurin tha të mërkurën se vizita synon të “transformojë marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve si dhe lidhjet politike në bashkëpunim ekonomik, shkencor dhe kulturor,” si dhe t’i bëjë respekt heronjve serbë dhe rusë të luftës së dytë botërore.
[fact title=”Programi i paradës”]Mbërritja e presidentëve të Serbisë dhe Rusisë
Përshëndetje me topa
Himni i Republikës së Serbisë
Fjalim nga Presidenti i Serbisë
Fjalim nga Presidenti i Rusisë
Shfaqje parashutistësh
Paradë e njësive të këmbësorisë
Paradë e rojeve të nderit
Paradë me anije në lumë
Paradë mjetesh të motorizuara
Paradë aviacioni
Shfaqje ajrore akrobatike
[/fact]
“Ndërsa dita e 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit nuk ka rëndësi të veçantë për disa, ajo është një ditë e rëndësishme për rusët dhe serbët që vuajtën në këtë kataklizmë botërore,” tha Çepurin, duke vërejtur se 31 mijë ushtarë sovjetikë humbën jetën gjatë çlirimit të Serbisë.
Ai shtoi se vizita nuk do të përqendrohet në zonat e krizës botërore apo në krisën e Ukrainës.
Pas takimit me zyrtarët e Serbisë, Putini do të vëzhgojë paradën që Serbia po organizon për ditën e çlirimit të Beogradit dhe do të mbajë një fjalim publik.
Kjo është parada e parë ushtarake e këtij lloji që nga viti 1985 dhe në të do të marrin pjesë rreth 3 mijë ushtarë.
Pas përshëndetjes me të shtëna topash, ushtria e Serbisë do të paraqesë këmbësorinë, tanket dhe artilerinë e vet krahas aviacionit. Parashutistët do të hidhen nga avionët dhe anijet ushtarake do të lundrojnë përgjatë lumit.
Të ftuar të veçantë në paradë do të jenë një grup akrobatësh ajrorë rusë, i quajtur Strizhi (të Shkathtit).
Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Heinz Wilhelm, do të marrë pjesë në paradë ndërsa ambasada e SHBA-së njoftoi se ambasadori Michael Kirby, nuk do të marrë pjesë – por do të shkojë në një ceremoni më 19 tetor.
Christopher Murphy, një senator amerikan që vizitoi Beogradin të mërkurën, deklaroi se vizita e Rusisë nuk do të dëmtojë marrëdhëniet mes Amerikës dhe Serbisë.
“Serbia ka sakaq objektiva të qarta për anëtarësim në BE dhe nuk shoh asnjë arsye se pse vizita e presidentit të Rusisë Vladimir Putin duhet të dëmtojë marrëdhëniet tona,” tha senatori.
Kjo është vizita e tretë e Putinit në Beograd që nga viti 2000.