Një numër gjithnjë e më i madh qendrash spitalore po refuzojnë kryerjen e aborteve, edhe pse ato janë të ligjshme, sepse mjekët refuzojnë ndërhyrjet për çështje ndërgjegjeje.
Mediat kroate kanë raportuar se një nga spitalet kryesore në Zagreb, spitali “Sveti Duh” (Fryma e Shenjtë), ka ndaluar kryerjen e aborteve edhe pse ndërprerjet e shtatzënisë janë të lejuara me ligj.
Me sa duket, kjo klinikë, e cila kryer 529 aborte vetëm gjatë 2013, është spitali i pestë në Kroaci që ka ndaluar kryerjen e aborteve kohët e fundit.
Spitalet e tjerë janë në qytetet e Nasice, Vinkovci, Knin dhe Pozega, ndërsa në spitalin më të madh në Split – qyteti i dytë në Kroaci – vetëm një mjek kryen tashmë aborte.
Sipas hulumtimit nga ana e mediave, problemi nuk është tek spitalet por tek mjekët. Raportet thonë se mjekët janë duke refuzuar të përfshihen në aborte për arsye të ndërgjegjes.
Rreth 66 për qind e mjekëve në Zagreb refuzojnë këtë ndërhyrje, ndërsa në Split, 95 për qind e mjekëve kanë refuzuar të marrin pjesë në aborte për të njëjtat arsye të ndërgjegjes.
Aborti në Kroaci është e rregulluar në bazë të një ligji nga viti 1978, i cili parashikon se abortet mund të kryhen deri në javën e 10-të të shtatzënisë.
Pavarësisht ligjit, mjekët kanë të drejtën për të vendosur të mos kryejnë aborte në qoftë se ata mendojnë se jeta fillon në momentin e konceptimit.
Si rezultat, nuk ka sanksione kundër spitaleve apo mjekëve të cilët refuzojnë të ofrojnë shërbimet e abortit.
Lëvizjet pro-jetës janë forcuar në Kroaci, me disa iniciativa qytetare dhe disa parti konservatore që advokojnë një ndalim të përgjithshëm të abortit.
Nisma qytetare më me ndikim, “Në Emër të Familjes”, së bashku me organizatën partnere, “GROZD”, kërkojnë një ndalim total të abortit, kontracepsionit dhe riprodhimit të asistuar.
Në një numër vendesh në Kroaci, grupet e katolikëve të linjës së ashpër kanë filluar të kryejnë lutje publike para klinikave ku kryhen aborte.
Të gjitha këto grupime gëzojnë mbështetjen e gjerë dhe të fortë të Kishës Katolike të vendit, e cila është kundër abortit për arsye doktrine.
Në përgjigje të raportimeve të medias, Ministria kroate e Shëndetësisë tha se çdo klinikë shëndetësore është e detyruar të mbledhë një ekip mjekësh që pranojnë të kryejnë abort, pasi gratë kanë të drejtën për të ndërmarrë këtë ndërhyrje.
Sipas disa ekspertëve të shëndetësisë, abortet janë duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë në mënyrë të paligjshme në klinikat private, ndërsa disa prej tyre klasifikohen dhe regjistrohen si ndërhyrje të tjera.