Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri humbi në drejtim të paditur 42 për qind e energjisë së hedhur në rrjet. Kjo energji është e barazvlefshme me 31.5 miliardë lekë. Rreth 10 miliardë të tjera janë energji e faturuar, por e papaguar.
Gjatë vitit 2013, në rrjetin elektroenergjetik shqiptar u hodhën 7.8 miliardë kWh nga të cilat, 3.3 miliardë u konsideruan si “humbje në rrjet”. Në Shqipëri energjia kushton mesatarisht 9.53 lekë për kWh (pa TVSH) dhe në bazë të këtij çmimi, kostoja totale e energjisë së humbur është 31,5 miliardë lekë, (225 milionë euro). Nga 3.3 miliardë kilovatorët e humbur, 3.2 janë në rrjetin e shpërndarjes dhe pjesa tjetër në rrjetin e transmetimin. (INSTAT)
Humbjet përkufizohen si diferenca mes energjisë së hedhur në rrjet dhe energjisë së faturuar nga matësit fundorë të konsumit. Në rastin e Shqipërisë, kur humbjet uljen në total, kjo nuk nënkupton se ato janë ulur me të vërtetë. Ka patur periudha kur qeveritë kanë nxituar të mbifaturojnë segment të caktuar të konsumatorëve, si psh, institucionet publike, duke krijuar iluzionin e uljes së humbjeve.
OSHEE i ndan këto humbje në “teknike” dhe “joteknike”. Humbje “joteknike” është termi delikat I përdorur për vjedhjet. Formalisht të dyja llojet e humbjeve, klasifikohen si “konsum i panjohur” dhe nuk është e lehtë të thuhet se sa prej humbjeve janë vjedhje dhe sa janë humbje teknike. Formalisht qeveria Shqiptare dhe OSHEE thonë se humbjet totale ndahen përgjysmë në humbje teknike dhe joteknike.
Përgjatë trembëdhjetë viteve të fundit, humbjet në rrjet kanë variuar nga 43 për qind në vitin 2000 në 30 për qind në vitin 2011. Por këto humbje u rritën në mbi 42 për qind në vitin 2012 dhe 2013. Në ecurinë afagjatë të humbjeve dallohet se zakonisht në kohë krizash energjetike si viti 2002 dhe 2007, humbjet ulen. Ndërsa në vite zgjedhjesh parlamentare, si 2005, 2009 dhe 2013, humbjet rriten.
Jo të gjitha humbjet teknike janë të shmangshme. Një pjesë prej 5-6 për qind e energjisë së hedhur në rrjet humbet në mënyrë të pashmangshme si pasojë e ligjeve të fizikës. Humbjet variojnë nga vendi në vend, lloji i burimeve, gjendja e rrjetit teknologjia e përdorur e shumë faktorë të tjerë.
Parimi në përgjithësi është që humbjet teknike mbulohen nga tarifat mbi konsumatorët sipas segmentit përkatës ku ndodhin humbjet ndërsa vjedhjet duhet të mbulohen nga vetë kompanitë. Problemi është se është shumë e vështirë të dallohen humbjet teknike nga jotekniket. CEZ Shpërndarje dhe Enti Rregullator i Energjisë psh pati një mosmarrëveshje mbi çfarë quhet humbje teknike dhe çfarë jo.
Humbjet teknike në Shqipëri arsyetohet se ndodhin si pasojë e mungesës së investimeve në rrjetin e shpërndarjes ndërsa humbjet joteknike ndodhin si pasojë e mungesës së luftës kundër vjedhjeve.
Fatura të papaguara
Problemi nuk është vetëm te energjia e humbur, një pjesë jo e vogël e energjisë së faturuar nuk arkëtohet kurrë. Rreth një e pesta e të gjithë faturimeve zakonisht thjeshtë sa u shtohet malit me borxhe të pashlyera të operatorit të shpërndarjes, borxhe që përgjatë viteve kanë arritur në qindramilionë euro. Gjatë vitit të kaluar u mblodhën 78 për qind të energjisë së faturuar, gjë që nënkupton rreth 10 miliardë lekë të papaguara sipas të dhënave të Bankës Botërore.