
Konstandin Xhuvani u shpall në kërkim policor për kanosje në Gjirokastër, në prill të këtij viti, por hetimi i Prokurorisë u pushua pasi avokati paraqiti si alibi një raport nga Psikiatriku i Elbasanit.

Vrasja e katër personave dhe arrestimi i Konstandin Xhuvanit si autor i dyshuar i krimit ka ndezur një debat sa politik, aq edhe ligjor në Tiranë. Shkak është bërë një hetim i nisur më 25 prill 2014 nga Prokuroria e Gjirokastrës për kanosje ndaj Xhuvanit, i cili është mbyllur më pas me heqjen e emrit të tij nga kërkimi policor.
Konstandin Xhuvani akuzohet nga Prokuroria si autor i vetëm i masakrës së ndodhur më 4 Nëntor në Tiranë, ku katër persona mbetën të vrarë në lokalin e natës “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit. Nëna e tij, Luiza Xhuvani dha dorëheqjen si deputete e Partisë Socialiste nga Kuvendi i Shqipërisë pas krimit.
Por Partia Demokratike akuzon policinë dhe ministrin e Brendshëm se kanë marrje në mbrojtje djalin e deputetes së PS-së, edhe pse ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndalimi. Sipas demokratëve, masakra mund të ishte parandaluar nëse 25-vjeçari Xhuvani do të çohej pas hekurave në Prill të 2014, pas kanosjes me armë në dëm të tre shtetasve në Gjirokastër.
Ministria e Brendshme i hodhi poshtë këto akuza, duke ia fatuar Prokurorisë, përgjegjësinë për mosarrestimin e Xhuvanit. “Gjatë kohës që Konstandin Xhuvani ka qenë në kërkim policor, Prokuroria nuk caktoi masë sigurie në ngarkim të tij, ndaj është bërë anulimi i shpalljes në kërkim“,-tha dje Ministria e Brendshme. Policia pretendon se i ka kryer të gjitha procedurat në rregull. Por shton nuk mund të mbanin në kërkim një person, për të cilin Prokuroria nuk kishte lëshuar masë sigurie.
Prokuroria ka një tjetër version për ngjarjen e ndodhur më Gjirokastër më 25 Prill 2014. Vendimi i pushimit të hetimit për Konstandin Xhuvanin thotë se në këtë datë, i dyshuari ka qenë në spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe jo në Gjirokastër.
Tre dëshmitarë kanë identifikuar përmes fotografisë Konstandin Xhuvanin, si autor të kanosjes dhe gjuajtes me armë në ajër në lagjen 18 Shtatori të Gjirokastrës. Por avokati i të dyshuarit i kishte paraqitur një shkresë Prokurorisë, ku pretendonte se më 25 Prill Xhuvani ndodhej në spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan.
Më pas, oficerët e Policisë Gjyqësore kishin këqyrur edhe librin e konsultave në Psikiatrik, ku rezultonte se emri i Xhuvanit ishte shënuar aty më 25 Prill 2014, ora 17:00.
“Më 25 Prill kam qenë në Elbasan dhe shkova në spital, pasi kisha konsumuar një sasi alkooli. Nuk kam qenë në Gjirokastër atë“,-i ka thënë Xhuvani Prokurorisë.
Në vendimin e pushimit të çështjes, Prokuroria thotë se pavarësisht se i dyshuari u njoh përmes fotografisë nga i dëmtuari, nuk u rrëzua alibia e pretenduar prej Xhuvanit dhe e konfirmuar nga një akt publik, se ai kishte qenë në Psikiatrikun e Elbasanit, ditën kur akuzohej se kishte kanosur tre persona në Gjirokastër.
Para mbylljes së këtij hetimi, Konstandin Xhuvani kishte mbyllur edhe një tjetër telash me drejtësinë, e që lidhej me vrasjen e një shokut të tij në vitin 2011.
Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 2 vjet burg për vrasje „në tejkalim të kufinjve të të mbrojtjes së nevojshme“ të Alfred Musabelliut.