Prokuroria akuzoi gazetën Informer për botim të komenteve raciste rreth shqiptarëve në artikujt për ndeshjen problematike të futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Zyra e prokurorisë hartoi të martën një aktakuzë për botuesin e versionit malazez të gazetës me bazë në Beograd, Novak Uskokovic, për shkeljen penale të dhunimit të reputacionit të minoritarëve.
Pasi shpërtheu dhuna në stadium gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në Beograd më 15 tetor, faqja e parë e versionit të Malit të Zi të së përditshmes i quajti shqiptarët ‘shiptari’ – një term fyes dhe poshtërues.
I njëjti botim raportoi gjithashtu një zënkë midis nxënësve në një shkollë të mesme malazeze-shqiptare në kryeqytetin Podgoricë që kishte lidhje me ndeshjen e futbollit.
“I pandehuri [Uskokovic] akuzohet se ka tallur publikisht pakicat që jetojnë në Malin e Zi kur në tetor të vitit 2014, si përgjegjës, miratoi titujt poshtërues në dy botime të gazetës,” tha prokuroria në një deklaratë.
Në nëntor, liderët shqiptarë në Malin e Zi ngritën akuza kundër gazetës për fjalim urrejtje.
Pas dënimit nga publiku malazez për stilin e raportimit që bëri, Informer lëshoi një ndjesë, duke pretenduar se nuk kishte pasur kurrë qëllim të ofendonte “qytetarët me origjinë shqiptare që jetonin për shekuj në Malin e Zi”.
Por politikanët që përfaqësojnë shqiptarët etnikë, që përbëjnë pesë për qind të popullatës vendase – thanë se gazeta e kishte kaluar kufirin.