Bumi në hidrocentrale të vegjël në malet e Rumanisë po vjen me një çmim për mjedisin.
Ovidiu Mihut ka qenë një peshkatar i pasionuar në pjesën jugore të maleve Karpate prej shumë vitesh. Por, katër vjet më parë, ai vuri re se makineritë e rënda kishin filluar të gërmonin në brigjet e lumit ku ai peshkonte.
“Ata qenë si barbarë, duke shkatërruar çdo gjë përreth tyre,” rikujton ai.
“Shpejt, niveli i ujit ra në mënyrë të ndjeshme në lum, i cili u pushtua nga tubat dhe turbinat,” shton ai i trishtuar.
Ky qe vetëm fillimi i ndryshimeve në male. Mihut zbuloi se jo më pak se 13 hidrocentrale të vegjël po ndërtoheshin në katër lumenj malorë, të gjithë qenë vendosur në zona që supozohej se qenë “të mbrojtura”.
Një profesor me profesion, Mihut vendosi të veprojë. Ai nisi një peticion në internet, “Ndaloni katastrofën natyrore në lumenjtë malorë,” të cilin mijëra njerëz e firmosën.
“Duhej të bëja diçka. Jam një malësor, i dua malet dhe nuk mund të rrija t’i shikoja lumenjtë dhe malet teksa shkatërroheshin”.
Pavarësisht protestës, puna vazhdoi.
Mihut tha për Balkan Insight se shumica e ujit nga lumi Topolog, ku ai peshkonte dikur, tani derdhet përmes një tubacioni të hollë metalik nga rrjedhë e sipërme e një dige.
“Vetëm rreth 5 për qind të ujit mbetet,” thotë ai.
Karpatet jugore janë ndër mjediset e fundit që kanë mbetur të paprekura në Europë. Shtëpi e më shumë se 1200 specieve, ato janë gjithashtu shtëpi e shumë specieve t tjera që janë dëbuar nga vende të tjera të Europës prej industrializimit dhe jetës moderne.
Ndërkohë, qindra hidrocentrale të tjerë të vegjël janë planifikuar në pjesë të tjera të Rumanisë.
E gjendur përballë protestave nga aktivistët mjedisorë, qeveria ka bërë disa koncesione.
Për shembull, ka thënë se do të lejojë vetëm investimet në projektet që përputhen me standardet mjedisore të BE-së.
Duke filluar nga viti tjetër, ndërtimi i hidrocentraleve të reja në zonat e mbrojtura do të ndalohet.
“Ne nuk duam të bllokojmë projektet, vetëm duam të vëmë kontrolle më të ashpra mbi investitorët,” shpjegoi në atë kohë Ministrja e Ujit dhe Pyjeve.
Kompanitë që qëndrojnë pas hidrocentraleve të reja mbrojnë faktin se janë ‘të gjelbra’ dhe me përfitime.
Firma që ndërtoi hidrocentralin në Topolog thotë se duhet të prodhojë mjaftueshëm energji për t’i shërbyer nevojave të 30,000 familjeve.
“Hidroenergjia është energji e rinovueshme. Hidrocentralet tanë shmangin çlirimin e rreth 30 mijë toneve dioksid karboni në vit ose konsumin e rreth 6000 tonëve qymyr dhe 4000 tonëve naftë,” tha përfaqësuesi i kompanisë.
Por aktivistët e gjelbër thonë se këto projekte kanë ende një ndikim negativ në mjedis.
“Ne mbështesim idenë e gjenerimit të energjisë nga burimet e rinovueshme,” tha Diana Popa, nga dega rumune e Fondit Botëror të Botës së Egër, WWF, thotë.
“Por autoritetet dhe investitorët duhet të jenë të kujdesshëm ku i vendosin këto projekte, që të mos dëmtojnë mjedisin,” shtoi ajo.
Projektet e shkallës së vogël të hidroenergjisë nuk përfshijnë ndërtimin e një dige.
Në vend të kësaj, një pjesë e rrjedhës kalon përmes një tubacioni të madh, me diametër rreth 1.2 metër, për në turbinën e rrjedhës së poshtme që gjeneron elektricitet.
Në kushte normale, kjo nuk duhej të kishte ndikim madhor në mjedis.
Por raportimet e medias thonë se në shumë raste, tubacionet janë instaluar në shtratin e lumit, në vend që të ishin paralel me rrjedhën ose mbi të, duke ndikuar kështu në rrjedhën e ujit dhe duke shkatërruar jetën ujore.
Para në bumin e gjelbër:
Kur Rumania u bë pjesë e Bashkimit Europian në 2007, kërkoi që të rriste ndjeshëm masën e energjisë që nxjerr nga burimet e rigjenerueshme.
Hidrocentrali duhet të rrisë masën e energjisë së gjelbër në 35 për qind deri në 2015 dhe në 38 për qind në vitin 2020.
“Vitin e shkuar, rreth 40 për qind e elektricitetit të përgjithshëm të prodhuar në Rumani erdhi nga energjia e rinovueshme,” lajmëroi së fundmi Ministri i Mjedisit, Atilla Korodi.
Karpatet janë ndër mjediset e fundit të paprekura në Europë ‘Kjo na bën neve ‘kampionët’ e gjelbër të Europës, sepse ne kemi arritur tashmë shënjestrën e vënë për vitin 202,” shtoi ministri.
Bumi i energjisë së gjelbër në Rumani është nxitur nga hidroenergjia, pjesërisht sepse BE-ja ofron subvencione bujare te investitorët me anë të një skeme mbështetje.
WWF thotë se rreth 500 hidrocentrale të vogla janë në gjendje pune ose në ndërtim e sipër në male. Shumica u ndërtuan në dy vitet e fundit, kryesisht në Karpatet jugore.
“Një studim i qeverisë ka identifikuar 4000 zona të mundshme për hidrocentralet e reja nëpër Rumani. Presioni nga investitorët për të ndërtuar ‘mikro’ hidrocentrale në çdo lum malor është i madh,” thotë Popa.
Përveç iniciativës së skemës së gjelbër, investitorët kanë shprehur interesin e tyre për hidroenergjisë sepse të tilla hidrocentrale gjenerojnë një kthim të shpejtë.
Sipas raporteve, investitorët shpejt shohin një kthim të investimeve të tyre nga shitja e energjisë.
Mesatarisht, ata mund të presin të fitojnë 1.2 milionë euro në vit nga shitja e energjisë dhe 1 milionë euro të tjera nga tarifat e gjelbra të qeverisë. Paratë për këto tarifa vijnë nga konsumatorët, si pjesë e faturave të tyre të energjisë.
Në fillim të këtij viti presidenti Traian Băsescu bllokoi një propozim të qeverisë për të pakësuar shpërblimin në sistemin e gjelbër për mikro hidroenergjisë në 24 për qind.
Veprimet e tij nxitën thashetheme se shumë politikanë janë pjesë e sektorit të energjisë së rinovueshme.
Popa thotë se politikanët i ndihmojnë vazhdimisht investitorët të marrin miratim të shpejtë për ‘mikro’ hidrocentralet, edhe në zona të mbrojtura.
Pas protestave nga aktivistët e gjelbër, BE vendosi së fundmi të monitorojë nga afër rastet ku investimet në energjinë e gjelbër mund të dëmtojnë mjedisin apo janë ndesh me nevojën për të ruajtur florën dhe faunën vendase.
Brukseli nuk do të mbështesë më financiarisht ndërtimin e hidrocentraleve të reja në Rumani, sipas WWF.
Megjithatë, shumica e këtyre projekteve nuk varen nga financimi i BE-së, por nga paratë e dhëna prej investitorëve privatë ose prej bankave.
Aktivistët tremben se ndërtimi i hidrocentraleve të reja do të vazhdojë, pavarësisht ndikimit në mjedis dhe sado i parëndësishëm është roli i tyre në ndihmën që Rumania merr për të plotësuar nevojat e veta në energji.
Mikro hidrocentralet e ndërtuar deri më tani prodhojnë më pak se 4 për qind të nevojave energjetike të Rumanisë, sipas të dhënave zyrtare.
“Ne nuk duam që qeveria të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve të reja,” thotë Popa.
“Ne duam vetëm që zonat natyrore të mos preken nga këto projekte. Lumenjtë e fundit malorë të paprekur në Europë duhet të mbeten të tillë,” vazhdoi Popa.