Në prag të përvjetorit të katërt të protestës së përgjakshme, të zhgënjyer nga politika dhe drejtësia shqiptare, familjarët e viktimave kërkojnë ndërhyrjen e Parlamentit Europian.
Të zhgënjyer nga politika dhe sistemi gjyqësor, familjarët e një prej viktimave të 21 Janarit, i janë drejtuar Parlamentit Europian për të mundësuar thellimin e hetimeve.
Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda i ka drejtuar një letër pak ditë më parë raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstain dhe ky i fundit është shprehur i gatshëm për një takim me të, në ditën e fundit të vizitës së tij 3-ditore në Tiranë.
“Do ta takojmë të shtunën dhe do t’i shprehim gjithë brengën tonë 4-vjeçare. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe shpresojmë që zoti Fleckenstein të luajë një rol për riaktivizimin e hetimeve,” i tha BIRN-it Mark Nika, xhaxhai i viktimës së katërt të protestës së 21 Janarit.
Aleks Nika u vra më 21 Janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, por ndryshe nga 3 viktimat e tjera, rrethanat e vdekjes së tij janë ende të pazbardhura nga Prokuroria.
Dosja e tij ndodhet e ndarë veçmas në Prokurorinë e Tiranës, por familjarët janë lodhur nga pritja e gjatë për të marrë një përgjigje zyrtare se kush është përgjegjës për këtë krim.
“Prej 4 vitesh trupi po kalbet në varr, ndërsa dosja po kalbet në prokurori. Nuk kam besim se Kryeprokurori do të bëjë hetime e të vendosë në vend drejtësinë për nipin tim,” thotë Nika.
Përveç hetimit për vrasjen e Aleks Nikës, në udhëkryq ndodhet edhe procesi gjyqësor për 3 vrasjet e tjera, i ngecur për më shumë se 1 vit e gjysmë në Gjykatën e Lartë. Katër vjet pas ngjarjeve të 21 Janarit, drejtësia ka dështuar të dalë me një vendim përfundimtar për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, të akuzuar për vrasjet e protestuesve Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda.
Ish-komandanti i Gardës, Prendi u dënua nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg për vrasje nga pakujdesia, ndërsa vartësi i tij gardist, Agim Llupo me 3 vjet për të njëjtën akuzë. Prokuroria ka bërë rekurs kundër këtij vendimi, por çështja ka mbetur ende në fazë fillestare në Gjykatën e Lartë.
Partia Socialiste, një “avokate” e çështjes së 21 Janarit deri në zgjedhjet e 23 qershorit që e sollën në pushtet, duket gjithashtu e dorëzuar përballë drejtësisë së munguar për 4 viktimat.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kanë përsëritur premtimin se nuk do të lejojnë varrosjen e çështjes, megjithatë ata ia kanë faturuar sistemit gjyqësor, dështimin me zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Politikisht, Rama ka akuzuar në vazhdimësi ish-kryeministrin Berisha se urdhëroi 4 vrasjet, por e vetmja padi e bërë pas ardhjes në pushtet ka qenë ajo për ish-kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij, Agron Kuliçaj.
Burgaj dhe Kuliçaj po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për moszbatimin e urdhrave për arrestimin e gardistëve, menjëherë pas ngjarjes, por edhe për këtë çështje nuk ka një rezultat nga organi i akuzës.
Demonstrata e 21 janarit 2011 u organizua nga Partia Socialiste asokohe në opozitë kundër ish-kryeministrit Berisha, si protestë ndaj një video-skandali të publikuar në media mbi një aferë të pretenduar korruptive të zv.kryeministrit të kohës, Ilir Meta.
Në Janar të vitit 2012, Gjykata e Lartë e shpalli Metën të pafajshëm për akuzën për korrupsion.
Më 1 prill 2013, Rama bëri aleancë me kryetarin e LSI-së, Meta për të hyrë së bashku në zgjedhje e për të bashkëqeverisur vendin.
Xhaxhai i Aleks Nikës, një mbështetës i vazhdueshëm i Ramës, është megjithatë i lënduar nga heshtja gjithnjë e më e gjatë e krahut të majtë për 21 Janarin.
“Ka heshtje nga të dyja palët për 21 janarin dhe indiferenca e shtetit për të vendosur drejtësinë është një vdekje e ngadaltë për ne. Megjithatë, kurrë nuk do të heqim dorë nga kërkesat për zbardhjen e ngjarjes,” përfundoi Mark Nika.