Një model i ri i qeverisjes autoritare po kaplon Ballkanin, të cilin BE-ja nuk po ia del ta dallojë apo t’i drejtohet, tha Florian Bieber në LSE.
Fushata e orkestruar kundër BIRN në Serbinë e Aleksandër Vuçiç ishte një shembull kryesor i një autoritarizmi të ri që po përfshin Ballkanin dhe që po përmbys përparimet demokratike të viteve 1990, tha eksperti i Ballkanit, Florian Bieber në Londër, të martën.
Duke folur në Shkollën Londineze të Ekonomiksit për “Krizën e Demokracisë në Ballkan”, Bieber, një profesor për Studimet Europian Juglindore në Graz, tha se çështja i përshtatet ‘një modeli rajonal të tundimit autoritar”. Kjo ka parë rritjen e qeverive me karakteristika të dukshme autoritare dhe anti-demokratike, që nuk duhet të ngatërrohen me diktaturat klasike.
Bieber tha se akuzat e përsëritura të Vuçiç se BIRN kishte gënjyer në lidhje me raportimin për tharjen e minierës Tamnava ishte pjesë e një modeli më të gjerë të sulmit të orkestruar kundrejt zërave kundërshtues dhe kritik që mbështeten në mediat e buta.
Sulme të tjera ishin fushata e ashpër kundër grupit të të drejtave MANS në Malin e Zi dhe arrestimi dhe burgosja e gazetarit investigativ Tomislav Kezarovski në Maqedoni.
Bieber theksoi paradoksin e dukshëm në akuzat e Vuçiç ndaj BIRN se kishte marrë para nga [Michael] Davenport – kreu i BE-së në Beograd – për të shpërndarë të pavërteta, ndërsa qeveria e tij kërkon anëtarësinë në BE.
Paradoksi nuk është i pazakontë, shtoi ai. Në të gjithë rajonin, qeveritë i kanë përvetësuar një diskutim rreth Europës, reformave dhe luftës ndaj korrupsionit ndërsa në praktikë sillen shumë ndryshe.
Bieber tha se qeveritë e reja autoritare në rajon nuk duhet të ngatërrohen me paraardhësit e tyre në vitet 1990. Ata nuk kanë nevojë të nxisin luftë apo ultranacionalizëm, të flasin përmes një “media shtetërore” apo të fitojnë zgjedhje me mashtrim të bujshëm.
Modeli i ri i qeverisjes është karakterizuar nga kontrolli i fortë politik partiak i administratës – dhe tregut të punës, penetrimi i thellë në institucionet gjoja të pavarura shtetërore dhe një sjellje elastike kundrejt ligjit.
Në disa mënyra, sistemi i ri ishte më i fortë dhe më efektiv – më “Makiavelian”, siç thotë ai. Koalicionet shumëpartiake lejuan ndarjen e plaçkës së shtetit mes një numri palësh të ndryshme, për shembull.
Rritja e medias private, formalisht të pavarur i lejoi që regjimet e reja të flasin përmes një numri mediesh në dukje pa lidhje, nga të cilat shteti mund të distancohet nëse i duhet.
Duke përmendur faktorët pas rritjes së autoritarizmit të stilit të ri në Europën Juglindore, Bieber veçoi zhgënjimin me reformizmin, që nxiti një mentalitet “svi su isti” [ata janë të gjithë njëlloj] te votuesit. Dështimi i partive të vërteta ideologjike me elektorat të paracaktuar ishte një tjetër faktor.
Për ironi, integrimi në BE në një mënyre ka ndihmuar ngritjen e populistëve autoritarë në rajon, që kishin mësuar të përshtatnin sloganet rreth Europës, korrupsionit – dhe gjithashtu përdorimin e tyre si një mjet ndaj kundërshtarëve vendas. Kishte një ‘ndër-marrëdhënie kureshtje mes integrimit në BE dhe këtyre formave [të qeverisjes],” theksoi ai.
Në monitorimet e BE-së në rajon, siç janë raport-progreset, “nuk ka ashpërsim të gjuhës siç pritet të shohim”, vërejti Bieber. Ishte një fenomen i BE-së ‘të mos shihte pyllin prej pemëve” në kuptimin që shpesh veprimet e pamëshirshme të qeverive kundrejt kundërshtarëve nuk u reflektuan në raporte, që duke iu referuar një shumëllojshmëri sektorësh, nuk ia doli të kuptojë panoramën e përgjithshme.
Përveç kësaj qasje burokratike, një tjetër çështje duket se janë konsiderimet strategjike të BE-së. Në Kosovë dhe Serbi, për shembull, shumica e syve të BE-së ishin drejtuar nga prioriteti i ruajtjes së dialogut Kosovë-Serbi të drejtuar nga BE.
Një tjetër faktor që fshihet pas karakterit optimist apo të butë të raporteve të BE-së dhe vlerësimeve të zhvillimeve në rajon ishte një nevojë e Brukselit për të ruajtur frymën pozitive, një në kohë kur parimi i zgjerimit është në sulme në rritje brenda BE-së.
Bieber e përmbylli duke këshilluar se qeveritë e stilit të ri autoritar janë këtu për të qëndruar – jo vetëm në Ballkan. Hungaria është një tjetër shembull.
Në kuptimin afatgjatë, disa mund të ‘rrëzohen’ duke pretenduar disa vlera – si Europa, reformat e të tjera, ndërsa ndjekin një rrugë tjetër. Megjithatë, kjo qëndron në të ardhmen e largët. Në kuptimin afatmesëm, një gjë rreth këtyre qeverive është e sigurt: “Ato nuk do të lëvizin drejt demokracisë liberale”.