Edhe pse KESH në një sqarim publik pretendon që shitja e energjisë elektrike filloi pas analizës prurjeve nga sekretariati teknik i digave, dokumentet e publikuara nga vetë korporata tregojnë ndryshe.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare u akuzua gjatë ditëve të fundit se ka shitur energji elektrike me çmime të ulëta duke sjellë humbje për vendin ndërsa KESH pretendon se shitja u bë në kushtet e emergjencës të shkaktuar nga prurjet e shumta në Drin.
Qeveria është akuzuar nga opozita se ka parapëlqyer t’ia shesë energjinë e tepërt të KESH tregtarëve ndërkohë që po të njëjtët tregtarë i shesin energji me çmime shumë më të larta kompanisë publike të shpërndarjes OSHEE.
Përballë këtyre akuzave, qeveria nga njëra anë deklaroi se kuadri rregullator nuk e lejon shitjen e energjisë drejtpërsëdrejti nga KESH te OSHEE ndërsa nga ana tjetër sugjeroi se prurjet e tepërta në Drin qenë të paparashikueshme, duke mos lënë hapësirë për koordinim mes dy kompanive.
Gjithashtu ekspertë të konsultuar nga BIRN hedhin hije dyshimi që optimizmi i kaskadës dhe procedurat e shitjes në disa tenderë te energjisë së tepërt është bërë në mënyrë joeficente.
KESH kreu katër tenderë brenda pak ditëve duke shitur 272,154 MWh energji elektrike, që sollën në arkat e kompanisë 8.3 milionë euro, me një çmim mesatar prej 30.83 euro për MWh. Por po për muajin shkurt, OSHEE po importon 188 mijë MWh me çmim mesatar prej 57 euro për MWh. Tenderi për blerje nga OSHEE u thirr vetëm pak ditë para se KESH të zbulonte tepricat e veta, të cilat i shiti me çmim shumë më të lirë ose e la ujin të derdhej pa prodhuar energji.
Pikëpyetje janë ngritur pse KESH nuk ja ka shitur tepricën energjetike OSHEE, ndërkohë që kjo e fundit importon nga tregtarët energjisë me çmim mesatar pre 57 euro për MWh. KESH thotë se një shitje e tillë midis dy kompanive në pronësi publike është e pamundur me kuadrin në fuqi rregullator.
KESH sugjeroi në deklaratën e saj se vendimi për të shitur energjinë e tepërt qe marrë pasi Sekretariati Teknik, i mbledhur në datën 2 shkurt, i rekomandoi korporatës të marrë masa për të përpunuar ujërat e tepërta në kaskadë me qëllim që kuotat maksimale të lejuara nga rregullorja për menaxhimin e Drinit të mos tejkalohen.
“Në këto kushte emergjente, KESH sh.a. menjëherë, hapi procedurat për shitjen në treg te energjisë së prodhuar ne kushtet e prurjeve të mëdha, me qellim që të mos vepronte me shkarkime të detyruara në ditët në vijim,” tha Korporata.
Por në fakt, vetë dokumentet e KESH tregojnë se njoftimi për të shitur energji është publikuar në datë 1 shkurt dhe se ofertat për shitje janë pranuar deri në orën 12 të datës 2 shkurt, gjë që sugjeron se KESH qe e vetëdijshme për tepricat energjetike të vetat përpara se Sekretariati Teknik të jepte rekomandimin e saj për përpunimin e prurjeve.
Nëpërmjet një deklaratë të shkruar, drejtori i KESH Agron Hetoja, pranoi që tenderi i parë i shitjes së energjisë ishte hapur me datë 1 shkurt, por u shpreh se hapja e tenderit është bërë përpara mbledhjes së Sekretariatit për te fituar kohë.
“Vlerësimi i Sekretariati Teknik mbi situatën është dhënë me date 2 Shkurt 2015 ora 15:30 ndërkohe ne orën 18:47 te po kësaj dite KESH ka shpallur fituesit e ankandit për energjinë e tepërt të prodhuar në kushtet e prurjeve të mëdha,” tha ai.
“Duhet te kihet parasysh fakti qe një procedure tenderimi për shitjen e energjisë elektrike kryhet efektivisht brenda një periudhe kohore jo me te shkurtër se 48 orë përfshire shpalljen e fituesve dhe nominimin e kapaciteteve (sipas Rregullores se Alokimit te Kapaciteteve). Ndërkohe procedura e tenderimit mund të pezullohet në çdo kohe para afatit te shpalljes së fituesve,” Hetoja shtoi.
Megjithatë ekspertë të konsultuar nga BIRN, ngrenë pikëpyetje pse KESH mbajti katër procedura tenderimin të energjisë, gjë që thonë ato solli uljen e çmimit mesatar të shitjes së energjisë nga 38.3 euro për MWh në tenderin e parë deri në një minimale pre 10.75 euro për MWh në shitjet e saj të fundit, kur dhe kapacitet ndërkufitare të transmetimit ishin të ulëta.
KESH i tha BIRN që shitjet e energjisë ishin bërë në disa tenderë të ndryshëm në kushte emergjence pasi kishte qenë e pamundur të parashikohej në momentin e hapjes së tenderit të parë më 1 shkurt sasitë e mëdha të prurjeve në javën në vazhdim.
“Me datën 1 Shkurt 2015, modelimi i regjimit të shfrytëzimit (bazuar mbi kuotat aktuale, prurjet aktuale dhe parashikimet probabilitare të prurjeve) tregonte se mundësia e prodhimit shtesë ne profil bande (profil qe siguron çmimin me te larte) ishte për 220 MW në bande apo 5,280 MWh/ditë,” tha KESH
“Gjate ditëve 3-5 Shkurt 2015, KESH, pasi realizoi me datën 2 Shkurt 2015 shitjen e sasie e energjisë shtesë prej 220 MW ne bande (apo 5,280 MWh/dite), vërejti rritje te prurjeve përtej parashikimeve probabilitare të datës 1 Shkurt 2015 që çuan ne rritje te niveleve ne rezervuare dhe respektivisht rritje te rezervës energjetike të tepërt,” korporata shtoi.
Sipas rregullores së shitjes së energjisë elektrike të miratuar nga ERE në 2011, plani i optimizmit të burimeve hidro nga KESH është programi i hartuar mbi baza vjetore, mujore, javore dhe ditore.
Një ekspert që foli në kushte anonimati i tha BIRN se në qoftë se korporata është e aftë të parashikojë prurjet në një periudhë vetëm prej 48 orësh, do të thotë që kaskadën e ka lënë në ‘dorë të zotit.”
“Tani që kanë mbaruar edhe kapacitet ndërkufitare, nëqoftëse përsëri bie shi në shkurt ose bora shkrin, KESH do detyrohet ta hap portat, gjë që tregon që optimizmi i kaskadës ka qenë i tmerrshëm,” shtoi eksperti.