Disa mijëra nënshtetas shqiptarë me kombësi maqedonase u pajisën me karta identiteti të rreme për t’u përdorur nga Gruevski sipas dëshirës për të fituar zgjedhjet. Zbulimet e fundit nga skandali i përgjimeve paraqet ministren e brendshme Jankullovska duke i cilësuar njerëzit që përdor për manipulime si të mefshtë, ndërsa shantazhi dhe kërcënimet janë mjet i zakonshëm elektoral.
Partia qeverisëse VMRO DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski në Maqedoni orkestroi manipulimin e zgjedhjeve në shkallë të gjerë duke përdorur votues fiktivë, karta identiteti të falsifikuara, presion mbi votuesit dhe kompanitë si dhe duke keqpërdorur policinë dhe administratën publike, deklaroi partia SocialDemokrate në opozitë të premten.
Bisedat e publikuara të premten tregojnë se si Gruevski dhe qeveria e tij rëndom manipulojnë zgjedhjet duke përdorur votues të rremë, nxjerrjen e votave të pavlefshme sabotimin e opozitës apo kërcënime të ndryshme.
Në një bisedë të përgjuar, ministrja e Brendshme Jankullovska duket se flet për transportimin me autobuzë të nënshtetasve shqiptarë me kombësi maqedonase nga zona e liqenit të Prespës në Shqipëri, i dha atyre karta identiteti me adresa të rreme dhe i bëri të votojnë për Gruevskin.
Jankullovska është akuzuar më herët se dënoi paraprakisht një grup shqiptarësh të akuzuar për vrasjet e pesë të rinjve maqedonas në rastin “Monstra”.
Ajo gjatë bisedës ngre shqetësimin për faktin se shumë banorë të Pustecit dhe nënshtetas shqiptarë të cilët janë pajisur me karta identiteti, janë regjistruar që të gjithë në të njëjtën adresë, gjë që mund të bjerë në sy.
“Kjo është diçka e rrezikshme që ne e dimin dhe për këtë arsye ne i thamë [zyrës së VMRO-së për zonën] të na jepnin më shumë adresa,” thotë ajo.
“E ke parasysh, kemi vënë 50 njerëz në një adresë që përbëhet nga një apartament prej 40 metrash katrorë. Por kjo është situata,” i thotë ajo bashkëbiseduesit të vet. “E ke parasysh, kur ne ishim te kryeministri, unë këmbëngula që komiteti zonal të na jepte më shumë adresa, por ata nuk na i dhanë,” shton ajo.
Në një bisedë tjetër, ministri i transportit Janakieski dëgjohet duke i thënë bashkëbiseduesit të vet për njerëz që po sillen nga një qytezë e Maqedonisë për të votuar në komunën Gazi Baba të Shkupit.
“Kire, këto njerëz që janë në Gazi Baba nga [qyteza e] Sveti Nikole, a janë ata [të regjistruar] në një adresë apo në shumë adresa?” pyet ai.
“Jo, ata janë shpërndarë,” përgjigjet zëri, ndërsa Janevski pyet sërish nëse është e vërtetë se “rreth 15 prej tyre kanë të njëjtën adresë”.
Në një bisedë tjetër, një zë femre raporton te ministrja Jankullovska për adresat e përdorura njëkohësisht nga shumë njerëz që kanë marrë karta identiteti false. Të dyja duket se po koordinojnë kontrolliet e kërkuara nga vëzhguesit e zgjedhjeve, por po përdorin “policët tanë”, në mënyrë që të mos dallohen manipulimet.
“Ata kanë raportuar 42 [votues] në një shtëpi, 44 në një tjetër, në fshatra me 40 vota gjithsej. Një shtëpi ka 44, në disa vende janë 19, në disa 22, në disa 42… Shqetësohemi për shkak se diçka mund të dalë në media,” i thotë zëri ministres së brendshme.
“Ata thonë se kreu i shërbimit administrativ është një komi [një term fyes për socialdemokratët]… ne jemi nën vëzhdim dhe kam frikë se ata mund të thërrasin OSBE-në,” i thotë i njëjti zë Jankullovskës.
Jankullovska këshilloi të kihet kujdes: “Çdo ditë që kalon po e shton presionin… Ne nuk mund të kemi 40 njerëz n një fshat me pesë votues… duhet të përpiqemi të kemi më shumë [votues të tillë] por duhet të veprojmë me kujdes.”
Në një bisedë tjetër, Jankulloska bën edhe humor duke folur për disa “njerëz të vegjël” të cilët i kanë përdorur për manipulimin e votave.
“Këta njerëz të vegjël shkojnë, votojnë dhe heshtin, duke miratuar me kokë… Janë paksa të mefshtë por këta njerëz të vegjël votojnë,” thotë ajo.
“Këta njerëz të vegjël hyjnë dhe votojnë me duart e veta – është një cirk, një çmendinë. Disa media i regjistruan ata. Do të dal tani më 7 [për konferencë për shtyp] dhe të them se votimet kaluan të qeta dhe nuk pati incidente,” thotë Jankullovska duke qeshur.
Një bisedë tjetër, për të cilën thuhet se është mes kryeministrit Gruevski dhe ministrit të transportit Janakieski dhe se është zhvilluar gjatë raundit të parë të zgjedhjeve vendore të vitit 2013.
Pasi Janakieski raporton se partia në pushtet është prapa opozitës në bashkinë Qendër të Shkupit, Gruevski shfryhet duke thënë: “Nëse do të kishim tani ata prespianët [njerëzit nga Prespa në Shqipëri] mund të kishim përfunduar punë.”
Në një bisedë tjetër, kur Janakieski raporton sërish se partia në pushtet po i humbet zgjedhjet në bashkinë Qendër të Shkupit, Gruevski thotë: “Thuaji njerëzve tanë të nxjerrin sa më shumë vota të pavlefshme sa të munden. Sa herë të munden, duhet të nxjerrin vota të pavlefshme.” Supozohet që kjo masë mund të shkaktonte dërgimin e zgjedhjeve në balotazh.
Gruevski shfaqet gjithashtu duke urdhëruar bllokimin e të dhënave të votimit nëpër qendra të ndryshme votimi “në mënyrë që t’i shohim më vonë”.
Në një bisedë tjetër, Jankullovska i thotë Janakieskit se është praktikë rutinë e policisë nën kontrollin e saj të ndalojë autobuzët me mbështetësit e opozitës në mënyrë që të reduktojë pjesëmarrjen nëpër mitingjet e opozitës.
“Sa herë që ata kanë miting, ne i dërgojmë autobuzët e tyre për kontroll teknik… e bëjmë këtë për të gjithë, por veçanërisht për SDSM.”
Jankullovska bën edhe një koment që tingëllon si racist mbi votuesit romë të cilët partia ka ndër mend t’i “tërheqë zvarrë” për të votuar.
“Në vendet ku rezultati është i ngushtë, mos nënshkruani dokumentet zgjedhore në mënyrë që të kryejmë ankimime. Më vonë ne do të tërheqim zvarrë një rom pas një tjetri duke i kapur për veshësh dhe duke i nxjerrë në votime,” thotë ajo.
Në një bisedë me sJanakieskit dhe Martin Protugjer, shefin e stafit të kryeministrit, ky i dyti bën një kërcënim të tmerrshëm kundër kreut të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, i cili nuk ka ndihmuar partinë e tyre në zgjedhje duke i dhënë bileta falas për një ndeshje futbolli.
“Nëse nuk i jep [biletat] deri të hënën, thuaji se ai dhe gruaja e fëmijët e tij do të përfundojnë në ndonjë gropë,” thotë Protugjer. “Do t’ia q… nënën atij komunisti b…q…!” shton ai.
Opozita në Maqedoni filloi më 9 shkurt të publikojë dokumente të cilat sugjerojnë se qeveria e Gruevskit ka përgjuar mbi 20 mijë njerëz në një vend prej 2 milionë banorësh.
Opozita thotë se përgjimet janë orkestruar nga kryeministri Nikola Gruevski dhe shefi i shërbimit sekret të vendit Saso Mijalkov.
Që atëhere, opozita ka publikuar në vijimësi bisedat e përgjuara të cilat sugjerojnë se Maqedonia është kthyer në një regjim të Gruevskit, i cili kontrollon gjithçka, përfshirë gjykatat, manipulon zgjedhjet në shkallë të gjerë dhe përgjon kundërshtarët dhe të vetët.
Gruevski mori pushtetin në vitin 2006. Ai ka akuzuar opozitën se i ka marrë përgjimet nga shërbime sekrete të huaja.
Ai ka akuzuar gjithashtu shefin e opozitës Zaran Zaev se është përpjekur të përdorë këtë materjal për të shantazhuar zyrtarët e shtetit me synimin për të marrë pushtetin. Pasaporta e tij është konfiskuar. Zaev ka mohuar të ketë bashkëpunuar me shërbime sekrete të huaja, duke këmbëngulur se i gjithë materjali vjen nga burime nga vetë shërbimi sekret i Maqedonisë.