Opozita maqedonase thotë se presidenti Gjorg Ivanov duhet të japë dorëheqjen duke qenë se ai është rizgjedhur sipas të njëjtave skema mashtruese elektorale si ato që opozita ka bërë publike në regjistrimet e fundit.
Stevo Pendarovski, kandidati i mundur Social Demokrat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, tha se presidenti Ivanov duhet të dorëzojë mandatin e tij dhe të largohet sepse për këtë fitore ai i detyrohet të njëjtave hile që qeveria kishte përdorur për të fituar zgjedhjet e përgjithshme.
“Materialet që janë publikuar tregojnë qartë se të njëjtat metoda që janë përdorur për të siguruar vota për kryeministrin Nikola Gruevski, janë përdorur edhe për Ivanovin,” tha ai për të përditshme “Sloboden Pecat”.
“Social Demokratët dhe opozita e bashkuar janë të detyruar t’i bëjnë thirrje Ivanovit të dorëzojë mandatin e tij,” përsëri Pendarovski.
Duke akuzuar kryeministrin Gruevski se ka organizuar përgjimin e jashtëligjshëm të rreth 20,000 njerëz, duke përfshirë edhe ministrat e tij, SDSM-ja ka filluar që në shkurt të botojë bisedat e përgjuara midis ministrave të qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Bisedat duket se tregojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë në disa krime të rënda, duke përfshirë edhe mashtrim elektoral.
Në bisedat e përgjuara, zyrtarët e lartë flasin për printime kartash të rreme identiteti, dërgim të njerëzve në të gjithë vendin për të votuar, vënien nën presion të medias dhe gjykatësve, vjedhje të materialeve zgjedhore – madje, edhe shkëputjen e energjisë elektrike për të bllokuar ashensorët në mënyrë që të moshuarit të mos mund të votonin.
Kryeministri Gruevski ka këmbëngulur se kasetat janë krijuar nga “shërbime sekrete të huaja pa emër” në bashkëpunim me opozitën me qëllim për të destabilizuar vendin.
Ivanov lëshoi një deklaratë të shkurtër në fillim të muajit të kaluar në lidhje me akuzat e përgjimeve të paligjshme, duke kërkuar një proces “të shpejtë, efikas dhe transparent” institucional për të zbuluar të vërtetën dhe gabimet e mundshme.
Ndryshe nga prokuroria shtetërore, e cila e paralajmëroi median të mos i publikonte kasetat e opozitës, Ivanovi mbrojti rolin e medias në hetimin e pretendimeve të ngritura nga ata.
“Roli i medias në një shoqëri demokratike është të identifikojë dëmtimet në proceset demokratike dhe veprimet kundër interesave të njerëzve dhe vendit. Në përmbushjen e këtij roli, ata kanë mbështetjen time,” deklaroi ai.
Duke folur për rolin e mundshëm të Ivanovit në krizën aktuale, Pendarovski tha se një iniciativë e tillë s’ishte propozim serioz duke qenë se atij i mungonte besueshmëria.
Kandidimi i parë i Ivanovit në vitin 2009 si zgjedhje e VMRO DPMNE ishte i papritur për shumë njerëz. Me mbështetjen e partisë, ai fitoi siç duhej.
Ai u rizgjodh për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale në mars-prill 2014 dhe zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, përsëri me mbështetjen e partisë në pushtet.
Sipas rezultatit tani të kontestuar, Ivanovi fitoi 534,000 vota kurse Pendarovski fitoi 398,000 vota.