Kombëtarja e futbollit të Shqipërisë realizoi një fitore dramatike kundër Armenisë sot në Elbasan Arena, në një lojë të tensionuar ku futbollistët shqiptarë luajtën me shpirt duke shkaktuar dhe fituar një numër të lartë goditjesh dënimi.
Ndeshja filloi me një gol në portën shqiptare të realizuar me kundërsulm nga ana e Movsisyan. Shqipëria u kundërpërgjigj me një numër të madh rastesh të kryesuara nga Çikalleshi e Cana. Në pjesën e dytë, tekniku De Biasi kreu zëvendësimet për të përforcuar sulmin duke hedhur në fushën e lojës Lenjanin dhe Gashin, zëvendësime që u shpërblyen në pjesën e fundit të lojës.
Mes tensionit të lartë, skuadra shqiptare mori tri kartonë të verdhë dhe po aq mori edhe skuadra armene. Hambartsumyan i Armenisë mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 70, gjë që i mundësoi skuadrës shqiptare të maksimizonte lojën e saj.
Mavraj shënoi në minutën e 77 pas një topi të nisur nga Taulant Xhaka. Vetëm pesë minuta më vonë, një kombinim mes Lenjanit dhe Gashit, dy lojtarëve të futur në pjesën e dytë, i dha golin e fitores Shqipërisë.
Përpjekjet e Armenëve në minutat e fundit të ndeshjes qenë energjike, por Shqipëria arriti ta ruajë rezultatin final. Këto kanë çastet e fiksuara nga fotografët të kësaj ndeshjeje që e ngre Shqipërinë në nivelin e 7 pikëve me 4 ndeshje. Shqipëria ka përkohësisht vendin e dytë në renditje dhe mund të ruajë këtë vend ose të zbresë në vend të tretë në varësi të ndeshjes Serbi – Portugali, e cila luhet po sot.