
Trashëgimia e pasur kulturore e njohur botërisht nga UNESCO nuk e ka shpëtuar Beratin nga papunësia dhe varfëria me të cilën përballen stoikisht banorët e tij.

Nuk mbahet mend se prej sa vitesh qyteti i Beratit vazhdon të quhet qyteti 2400 vjeçar. Ndërsa vitet ikin qyteti muze vazhdon të plaket me ëndrrën për tu zhvilluar nëpërmjet turizmit.
Berati është me të vërtetë një nga të paktat vende të njohura si destinacione ndërkombëtare të turizmit kulturor në Shqipëri dhe ndoshta destinacioni më kompleks për nga larmishmëria e objekteve të vizitueshme që ofron.
Një regjistrimin i ri pranë Drejtorisë Rajonale Kombëtare të Kulturës Berat, realizuar gjatë vitit 2015, gjeti se në të gjithë qarkun numërohen 490 monumente kulture, 107 prej tyre i përkasin kategorisë së parë dhe 383 kategorisë së dytë. Por nuk është thjeshtë numri i stërmadh i monumenteve vlera e vetme: është larmishmëria, prania e objekteve të cilat i përkasin kulturave shumë të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, te Mesjeta Bizantine, te komplekset e jashtëzakonshme otomane dhe deri te rrënojat e lëna pas nga koha e komunizmit. Aty gjenden gjurmët e kulturave dhe religjovene të ndryshme, objektet e të cilave gjenden fare pranë njëra-tjetrës, nga islami helvetizmi te kristianizmi apo te legjenda se aty është varrosur Shabatai Zevi, një profet hebre.
Por pjesa ndoshta më e rëndësishme e Beratit të vjetër, pra, lagjes kala dhe lagjes Magalem, është ajo që UNESCO e quan ndërtesat vernakulare, dmth, arkitekturë e ndërtuar për qëllime të funksionit banesor apo publik më shumë se sa për qëllime monumentale.
“Berati ka Qendrën Historike, ku përfshihen tre lagjet muze “Kala”, “Mangalem” “Goricë” dhe Qendrën Mesjetare,” thotë me krenari Rezarta Pilafi, specialiste e trashëgimisë kulturore, e cila e ka zyrën pikërisht te Qendra Mesjetare, një kompleks që ka shërbyer në të shkuarën si treg otoman.
Qendra mesjetare është një kompleks që i përket shek.XVI dhe përbëhet nga “Xhamia mbret”, “Teqeja e Helvetive” dhe “Konakët e dervishëve.”

“Lagjet “ Mangalem” dhe “Goricë” kanë një numër të konsiderueshëm monumentesh, banesa dhe monumente kulti. Aty gjenden “Kisha e Shën Mëhillit”, e cila pas një restaurimi të viti 2008 është bërë e aksesueshme dhe nëpërmjet rrugës që të çon atje, kisha e “Shën Spiridhonit” në lagjen “Goricë”, e cila është funksionale dhe e vizitueshme”, thotë Pilafi duke renditur një pjesë të vockël të objekteve muzeale të qytetit.
Berati, ka një kështjellë që zë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe që vijon të banohet edhe sot. Familjet që banojnë në kala kanë krenari të dallueshme dhe histori të shumta me organizata të fshehta të krijuara për të ruajtur pasuritë e lashta, si kodikët e famshëm të Beratit, tekste shumë të vjetra kishtare të cilat vlejnë miliona euro por që për qytetin janë shumë më të shtrenjta se sa paratë. Ato janë simbol i një vijimësie të gjatë kulturore dhe shpirtërore. Në lagjen Kala gjendet muzeu ikonografik i Onufrit, ku turistët mund të shijojnë ikonën simbol të këtij piktori, atë që mbart ngjyrën që specialistët e njohin si “e kuqja e Onufrit”. Mënyra se si u prodhua kjo ngjyrë mbetet një mister dhe misteret në Berat janë të shumta.
“Kalaja e Beratit, është një dëshmi, një arkivë e gurtë e bashkëjetesës fetare, por dhe dëshmi e qytetërimeve Ilire, Romako Bizantine Arbërore dhe Otomane, që do të thotë se shumë kisha dhe xhami ndodhen brenda një territori”, thotë Anisa Bejko, specialiste turizmi.
Turistët po vijnë por varfëria mbetet
Në këmbë të lagjes Mangalem, lagjja simbol e qytetit, gjendet zyra e vetme private e informacionit për turistët.
Bona Xhafa, administratorja e kësaj zyre prej disa vitesh thotë se informacioni mbi qytetin është shpërndarë në të gjithë botën dhe se Berati ka marrë një vëmendje të veçantë nga turistët e huaj pas shpalljes si trashëgimi botërore nga UNESCO në vitin 2008.
“Vizitorët janë tashmë të organizuar dhe një pjesë e mirë e tyre i kryejnë prenotimet përmes internetit para se të nisen. Vizitorët mund të zgjedhin mes hoteleve tradicionale dhe shtëpive të hapura për turistët në lagjet muzeale”, thotë ajo.
Vetëm se për të mbërritur te qyteti më i rëndësishëm i turizmit kulturor në Shqipëri, të duhet të përshkruash një segment rrugor rreth 40 kilometra të gjatë, i cili vijon prej shumë dhe shumë vitesh të jetë gjysmë i shkatërruar dhe gjysmë i ndërtuar, në proces ndërtimi ose me punime të braktisura.
Dhe pikërisht ndërsa i afrohesh Beratit, objekti i parë që rastis është ish kombinati i tekstilit, një ndërtesë e madhe rrëzë kodrës së kalasë së qytetit që është rrethuar nga ndërtime më të reja betoni pa leje apo gjysmë me leje, të cilat vështirë se kanë lidhje me qytetin.
Berati ka mbetur një zonë e varfër e Shqipërisë, një farë xhepi në qendër të saj dhe e varfër. Popullsia është në rënie dhe shtëpitë, veçanërisht ato të ndërtuara në kohën e komunizmit, kanë mbetur përgjithësisht të pariparuara.
Rrugët janë mbushur me tregtarë të vegjël që përpiqen të shesin çfarë të munden në një qytet ku norma e papunësisë është shumë e lartë.
Vështirësitë e një qyteti të varfër nga gjendja ekonomike apo rruga e prishur nuk i kanë penguar gjithsesi turistët e huaj ta vizitojnë atë. Përkundrazi, disa prej tyre e gjejnë qytetin e vjetër si një parajsë. Në lagjen Malagem disa tabela njoftojnë se shtëpitë muze aty janë nxjerrë në shitje.
Një pensionist italian që vizitoi Beratin së fundmi thotë se i ka pëlqyer aq shumë sa po mendon të blejë një shtëpi në lagjen Kala. “Dua të jetoj disa ditë në vit këtu për të shijuar ajrin, qetësinë, komoditetin dhe ushqimin,” tha turisti 70 vjeçar.
Por ndërsa për turistët, Berati është një vend shumë tërheqës për pasurinë historike dhe kulturore që mbart, për banorët vendës situata ka qenë veçanërisht e vështirë që nga koha kur industria e tekstileve të qytetit, e cila në vitet ’80 punësonte mbi 10 mijë vetë, u mbyll duke lënë pas papunësi të lartë dhe emigrim të vazhdueshëm.
“Të jetosh sot në Berat është sfidë, kurajë, absurditet dhe mjerim,” thotë Simon Vrusho, shkrimtar, një banor i qytetit që e ka krijuar një lidhje të fortë emocionale me Beratin.
“Duhet Oruelli dhe Franc Kafka, për të krijuar personazhe këtu,” thotë ai.
Papunësia e tejskajshme duket se i ka transformuar banorët e qytetit në tregtarë të vegjël me shumicë. Tezgat kanë mbushur trotuaret. Ndërtesat e industrisë së mbyllur në lagjen “Çlirim” janë rrënuar prej kohësh dhe janë vandalizuar nga përpjekjet e të varfërve për të rrëmbyer nga to ndonjë copë hekur për skrap apo ndonjë gjë tjetër të vlefshme.
Dhe ndërsa beratasit shpresojnë të tërheqin turistë me natyrën e pastër dhe me pasurinë kulturore, mund të të ndodhë të kalosh pranë një autobuzi urban të vjetër i cili lëshon shtëllunga të stërmëdha tymi të zi në çdo çast.
Gjithsesi diçka po ndryshon. Qeveria ka investuar së fundmi për të restauruar një park dhe një lulishte si dhe urën mesjetare prej guri të Gorricës, e cila të shpie në lagjen me të njëjtin emër në anën tjetër të lumit të Osumit.
Hotelet janë shtuar ndjeshëm në Berat për t’i shërbyer njëkohësisht turistëve që kanë interes për historinë si dhe turistëve të aventurës, të cilët prej këtu vijnë për t’u zhytur në aventurën mbresëlënëse të kanioneve të Osumit. Gjatë vitit të kaluar, 34 mijë turistë vizituan lagjen Kala.
Rreziku më i madh, sipas specialistëve, është që shtimi i turistëve do të kërkojë njëkohësisht edhe shtim të fondeve të mirëmbajtjes.

