Përgjimet e reja të bëra publike tregojnë se si zyrtarë të lartë janë përfshirë në skema për të marrë para nga kompanitë për partinë në pushtet dhe se si kryeministri fshehurazi bleu një limuzinë luksoze për rreth 600, 000 euro.
Ditën e mërkurë, duke bërë publike përgjimet më të fundit të bisedave zyrtare, lideri i partisë opozitare Social Demokrate Zoran Zaev tha se grupi i ri i përgjimeve vërtetonte se partia në pushtet VMRO DPMNE kishte marrë fitime nga firma që më parë u ishin dhënë tendera fitimprurës.
Sipas përgjimeve të bëra publike, në qendër të skemës janë sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Kiril Bozinoski, dhe ish-kreun e korporatës së prodhimit të energjisë ELEM, Vlatko Cingovski.
Në një nga përgjimet, dëgjohen zërat që i përkasin dy burrave duke biseduar për rregullimin e një tenderi prej 20 milion eurosh në vitin 2011 për gërmim qymyri nga Suvodoli për centralin e energjisë elektrike në Manastir.
Të dy përdorin emra në kod për biznesmenët ndërsa vrasin mendjen për dhënien e kontratave fitimprurëse firmave pranë autoriteteve dhe si të ndajnë fitime në mënyrë që asnjë të mos mbetet jashtë.
“Por kush na siguron se dikush tjetër nuk do të japë një ofertë më të mirë sesa të tjerët? Atëherë ata të katërt do të humbasim dhe ne do të jemi në telashe,” thotë Cingovski.
Më herët, opozita publikoi një përgjim në të cilin kryeministri dëgjohej duke udhëzuar Cingovskin në lidhje me cilat firma të mëdha duhet të formojnë një konsorcium për tenderin.
Sipas opozitës, një tjetër grup përgjimesh tregon se si paratë që iu dhanë firmave për tenderat e rregulluar më vonë u morën në formë parash të thata për partinë.
“Është logjike të supozosh se qëllimi ishte që ajo shumë e madhe parash të thata të përfundonte në llogari të partisë në qeveri, VMRO DPMNE”, tha Zaev në konferencën për shtyp.
Cingovski luan rolin e mbledhësit dhe më pas i transferon paratë te Bozinovski, i cili i çon ato në selinë e partisë VMRO DPMNE.
Opozita tha se gjatë bisedimeve ata përdorën gjithmonë kode, duke thënë “dokumente të vogla”, “shkresa” ose “kopje” kur flisnin për para.
“Duhet të të sjell disa dokumente,” thotë zëri i Cingoskit në kasetë. “Me vete i ke tani?” pyet Bozinovski. “Pse nuk i sjell tani, gjithsesi po shkoj te selia e partisë,” shton ai.
Në një tjetër kasetë, Cingoski udhëzon Bozinovskin mbi si të kërkojë donacione nga një biznesmen në këmbim të një nderi. “Mos u gënje me shuma të vogla,” i thotë Cingovski Bozinovskit, i cili e pyet, “sa dokumente, sa kopje” duhet të kërkojë ai dhe merr si përgjigje: “Minimumi 100 deri në 150.”
Në një kasetë, Ministri i dorëhequr i Transportit, Mile Janakieski dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, të cilët të dy dhanë dorëheqjen ditën e martë, bisedojnë se si qeveria ka marrë kompani të mëdha private për të paguar fluturimet ajrore të votuesve të VMRO DPMNE të cilët do të vijnë nga diaspora për të votuar për partinë.
Në përgjimet e bëra publike dëgjohej edhe zëri i Kiril Bozinoski dhe kryeredaktorit të Sitel TV, Dragan Pavlovic, që opozita pretendoi se tregojnë se si kompanive private gjatë zgjedhjeve u është bërë presion të përdorin fatura fiktive për të paguar për reklamat politike në media të partisë në pushtet.
Opozita bëri gjithashtu publike një përgjim që ata thonë se vërteton një çështje që ata e kanë diskutuar edhe në prill të vitit 2014, kur akuzuan partinë VMRO DPMNE se kishte përdorur fonde të dyshimta për blerjen e një sasie të madhe pasurish të patundshme para zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të përgjithshme të atij viti.
Opozita më pas paraqiti dokumente nga zyra e regjistrimit të pronës që tregonin se partia në pushtet brenda tre muajsh kishte blerë më shumë se 20 apartamente, zyra dhe tokë për ndërtim, me nje vlerë prej rreth 1.6 milion eurosh. Partia në pushtet nuk ka dhënë kurrë asnjë përgjigje specifike për pyetjet në lidhje me këtë çështje dhe nuk e ka sqaruar kurrë origjinën e këtyre parave.
Në një përgjim të ri, Kiril Bozinoski udhëzon ministrin Mile Janakieski t’i mbajë sekrete blerjet e planifikuara.
“Nëse merret vesh ndonjë fjalë, do të jetë shumë katastrofike. Nuk duhet të tregojmë. Qëllimi është të blejmë sa më shumë që mundemi,” thotë Bozinovski.
Një tjetër përgjim i bërë publik midis kryeministrit Nikolla Gruevski, Jankuloskës dhe kushëririt të tij, shefi i policisë sekrete që dha dorëheqjen, Saso Mijalkov, tregon një çështje të re që përfshin blerjen e një Mercedesi për kryeministrin me një vlerë prej afërsisht 600,000 euro.
“Deri në zgjedhjet vendore, do të hiqemi sikur është për punët e Ministrisë së Brendshme dhe do ta përdorim vetëm për destinacione ku s’do të më takojnë gazetarë,” i thotë Gruevski Jankulovskës. Gruevski përdor vetëm shkronjën “M” kur flet për Mercedesin.
Një tjetër bisedë midis Jankulovskës dhe Mijalkovit zbulon çmimin e saktë të makinës, 575,000 euro. “Është fantastike. Nuk kam parë kurrë diçka të ngjashme,” Jankulovska i thotë Mijalkovit, duke shtuar se ata e kishin fshehur atë nga publiku në garazhin e kryeministrit.
Në përgjimin e fundit, i cili kishte për qëllim të tregonte natyrën manipuluese të Gruevskit, dëgjohet zëri i kryeministrit duke i dhënë specifike Janakieskit se 15 autobusë të sapoblerë duhet të qarkullonin në radhë përreth qendrës së qytetit “për gjysmë dite” në mënyrë që “njerëzit të mund t’i shikonin”.
Përgjime të tjera u bënë publike dhe sipas opozitës ato tregojnë se si zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE dhe partnerët e saj të vegjël, Bashkimi Demokratik për Integrim, DUI, gjithashtu ndihmuan njëri-tjetrin për të mbrojtur biznese fitimprurëse.
Në reagimin e saj, partia në pushtet e Gruevskit VMRO DPMNE denoncoi të gjitha akuzat kriminale duke thënë se përgjimet që Zaevi bëri publike nuk vërtetojnë as edhe një krim të vetëm.
Partia në pushtet akuzoi Zaevin për “manipulim”, duke thënë se ai i prezantoi përgjimet “në një kontekt krejtësisht të gabuar që i përshtatet vetëm interesave të Zaevit”.
Partia pretendon se makina luksoze për të cilën Gruevski dëgjohet të flitet i përket Ministrisë së Brendshme dhe se fakti që është e blinduar, e përshtatshme për transportimin e njerëzve të njohur, justifikon çmimin e saj të lartë. Ajo thotë gjithashtu se avionët e përmendur në përgjime ishin për të transportuar tifozë në Kampionatin Evropian të basketbollit dhe jo të transportonin votues të partisë në pushtet nga Diaspora për zgjedhje.
“Nuk ka asnjë shantazh, asnjë manipulim nëpër tendera. Zoran Zaev është në dijeni të kësaj dhe kjo është arsyeja pse ai manipulon haptazi,” thuhet në reagimin e partisë në pushtet.
Social Demokratët filluan të bëjnë publike përgjimet e bisedave zyrtare në shkurt të këtij viti. Pretendohet se ato tregojnë se kryeministri Gruevski ka organizuar përgjimin e paligjshëm të rreth 20,000 njerëzve, duke shtuar se materialet vijnë nga burime në shërbimet serkete në Maqedoni.
Gruevski ka këmbëngulur se përgjimet janë krijuar nga “shërbime sekrete të huaja” në bashkëpunim me opozitën për të destabilizuar vendin.
Edhe pse Jankulovska, Janakieski dhe Mijalkov dhanë dorëheqjen ditën e martë, opozita thotë se nuk do të kthehet në parlament derisa e gjithë qeveria të japë dorëheqjen.