Informacioni i rrjedhur nga Banka e Shqipërisë për median ekonomike zbulon “arsye politike” pas niveleve shumë të larta të kredive të këqija. Vetëm 32 kompani janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e kredive të këqija.
Një vit e gjysmë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria e Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje trevjeçare që synonte të rigjallëronte rritjen ekonomike anemike në Shqipëri përmes përpjekjeve për të pastruar telashet e krijuara nga kreditë e këqija në nivele shumë të larta në sistemin bankar në vend. Me kredi të këqija në nivelin 24 për qind të të gjithë portofolit të kredive, Shqipëria nuk mund të shpresojë për të rritur kreditimin e sektorit privat, rrjedhimisht nuk mund të shpresojë të rrisë kapitalin e investuar në ekonomi dhe as nuk mund të rigjallërojë rritjen ekonomike. Ky është niveli më i lartë i kredive të këqija në Europën Lindore.
Raporti i FMN-së për Shqipërinë publikuar në mars 2014 zbuloi se kishte tri probleme kryesore qe shkaktuan këtë rritje të kredive të këqija gjatë periudhës së krizës 2008 deri më tani. E para, qeveria paraardhëse pati akumuluar fatura të papaguara për punë publike të tenderuara apo kërkesa për rimbursime taksash për një total prej rreth 500 milionë eurosh. Shumë kompani patën financuar punën e tyre përmes kredive bankare ndërkohë që prisnin pagesat nga qeveria. Një pjesë e këtyre kompanive janë në sektorin e ndërtimit të rrugëve publike ndërsa një pjesë jo e vogël në sektorin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël. Shumë prej ndërtuesve të hidrocentraleve aludohej se kanë krijuar kredi të këqija për shkak se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk ka shlyer në kohë detyrimet për blerjet e energjisë së prodhuar nga këto kompani.
Problemi i dytë qe që kuadri ligjor fiskal penalizonte bankat që dëshironin të klasifikonin kreditë si të humbura duke i ngarkuar me detyrimin për të paguar tatim fitimi për kredi që në fakt kanë shkaktuar humbje. E treta, sistemi gjyqësor dhe administrativ në Shqipëri në lidhje me konfiskimin dhe likujdimin e kolateraleve të kredive të këqija nuk funksiononte në mënyrë efikase. Pronarët e kolateraleve të tilla qenë në gjendje të shtynin në pafundësi konfiskimet duke sajuar procese të gjata gjyqësore.
Plani i rënë dakord mes qeverisë dhe FMN-së synonte të reduktonte kreditë e këqija duke luftuar të gjitha këto fenomene. Përmes shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë shpresohej se kompanitë do të riktheheshin në funksion duke shlyer apo ristrukturuar kreditë e tyre. Ndryshimet në ligjet fiskale do të lehtësonin procesin e shpalljes së kredive të humbura dhe pastrimit të bilancit të bankave nga këto kredi. Këto ndryshime, sipas raportit të FMN-së, i cili i referohet vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, mjaftonin për të ulur kreditë e këqija me 5 apo 6 pikë përqindjeje.
Ndërkohë, qeveria e rriti borxhin publik të vendit me synimin për të paguar faturat e prapambetura dhe me shpresën që kompanitë do t’i përdornin këto para për të shlyer bankat. Problemi i tretë dukej më i vështirë për t’u zgjidhur për shkak se përfshin mënyrën se si gjykatat punojnë në Shqipëri. Gjykatësit kanë reputacionin e të qenit të korruptuar dhe supozohet se në rastet e përplasjeve gjyqësore mes klientëve me kredi të këqija dhe bankave, klientët kanë më shumë gjasa të fitojnë për shkak të aftësisë së tyre për të paguar ryshfete në mënyrë më efikase se sa bankat. Qeveria ka ndryshuar disa herë gjatë viteve të fundit procedurat ligjore për ekzekutimin e kolateralit, gjithmonë në mbështetje të bankave, por sistemi vijon të mos funksionojë siç duhet.
Këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar pranoi se plani i tyre nuk ka funksionuar ndërsa kryeministri Edi Rama u krenua me një ulje modeste të nivelit të kredive të këqija gjatë vitit të fundit. Në mars 2015, kreditë e këqija qenë në nivelin 22.8 për qind, fare pak më të ulëta se sa vitin e kaluar por shumë larg nivelit të dëshiruar për të rigjallëruar rritjen ekonomike. Për më tepër, të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në mars kreditë e këqija u rritën në 22.8 për qind nga 22.5 që qenë në shkurt, duke sugjeruar që në fakt, rënia e vogël e regjistruar vitin e kaluar nuk qe një tendencë por një rastësi.
“Ka diçka në sistem që nuk lejon kreditë e këqija të ulen. Kjo është një pyetje që ne po ia shtrojmë vetes,” deklaroi Nadeem Ilahi, shefi i misionit të FMN-së në Tiranë në një intervistë për Top Channel marsin e kaluar.
Ndërkohë, dy informacione të dala nga Banka e Shqipërisë në mënyrë joformale për median hedhin dritë mbi problemin për të cilin FMN thotë se nuk e di se pse vijon. Informacioni i parë i publikuar dhjetorin e kaluar në Revistën Monitor, e cila është e specializuar në lajmin ekonomik, tregon se paratë e faturave të prapambetura të shlyera nga qeveria nuk përfunduan për të shlyer kreditë me probleme. Banka e Shqipërisë vlerësonte se ndërsa qeveria pati shlyer deri në shtator të vitit 2014, 23 miliardë lekë (164 milionë euro) detyrime të prapambetura, nga këto vetëm 109 milionë lekë (më pak se 800 mijë euro) qenë përdorur nga kompanitë për të shlyer kreditë. Është e paqartë nëse diagnostikimi i problemit të kredive të këqija të shkaktuara nga faturat e papaguara të qeverisë Berisha qe i gabuar apo thjeshtë kompanitë që përfituan nga shlyerjet zgjodhën t’i përdorin paratë për gjëra të tjera dhe jo për shlyerje kredish.
Një informacion i dytë i publikuar javën e kaluar gjithashtu në Monitor tregon se problemi është më i komplikuar. Banka e Shqipërisë vlerëson se janë rreth 35 kompani në Shqipëri, disa prej të cilave janë të lidhura me një numër shumë të vogël biznesmenësh, janë përgjegjës për më shumë se gjysmën e kredive të këqija në Shqipëri. Emrat e kompanive nuk janë publikuar por disa prej tyre sakaq janë të njohura se po i rezistojnë procedurave të konfiskimit dhe likujdimit. City Park, qendra luksoze tregtare e hapur me bujë të madhe në dhjetor 2009, kur kriza financiare botërore qe vëtëm një vit e vjetër, konsiderohet tashmë e falimentuar. Muajin e kaluar, një kompani përmbarimore private e nxorri në shitje për 24.8 milionë euro, aq sa është edhe detyrimi i kompanisë ndaj bankave. Shitja u anulua kur një vendim tjetër i Gjykatës së Tiranës solli nisjen e një procesi tjetër gjyqësor, hap që konsiderohet si tentativa e rradhës për të shtyrë ekzekutimin e kolateralit duke përdorur gjykatat.
“Zgjidhja e problemit të kredive të tilla do të kërkojë shumë vullnet politik në nivelet më të larta të qeverisjes,” tha një ekspert për BIRN në kushtet e anonimitetit, duke theksuar se disa nga kompanitë e falimentuara janë nën pronësi të biznesmenëve që kanë ndikim të madh në qeverisje dhe në media. Procesi i falimentimit të këtyre kompanive mendohet se mund të ndryshojë rrënjësisht panoramën e biznesit dhe të medias në Shqipëri si dhe të trekëndësisht politikë-biznese-media që ka qenë thelbi i ekonomisë shqiptare përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit.
Por edhe bankat kanë problemet e veta
Ndërsa pak më shumë se gjysma e kredive të këqija lidhen me një grusht biznesesh të fuqishme të cilat kanë lidhje të shumëfishta me politikën dhe median, pjesa tjetër e kredive të këqija lidhen me një numër të madh klientësh që nuk kanë dëshirë ose nuk kanë mundësi për të paguar kreditë.
Shumë ekspertë me të cilët BIRN ka folur për këtë çështje theksojnë se vënia e fajit vetëm te gjykatat dhe te faturat e prapambetura të qeverisë nuk e përshkruan të vërtetën në tërësi.
“Ke banka që përgjatë viteve të fundit kanë pranuar kolaterale me çmime shumë të larta në krahasim me atë që është e arsyeshme. Thënë thjeshtë, bankat nuk kanë vlerësuar siç duhet prospektin e çmimit të pronave,” tha një ekspert që punon në një bankë ndërkombëtare zhvillimi,
Të dhëna anektodike sugjerojnë që shumë kredi bankare përgjatë dekadës së fundit janë siguruar përmes dhënies për kolateral të pronave të cilat, megjithëse në letër vlejnë, në praktikë nuk dëshiron t’i blejë askush. Këto kredi dyshohet se janë kërkuar thjeshtë si një mënyrë për të hequr qafe prona pa vlerë.
Gazetat në Tiranë janë shpesh përplot me njoftime për shitje pronash të tilla të nxjerra nga bankat që i kanë konfiskuar por që duket se janë me çmime shumë të paarsyeshme. Besimi i tepruar se çmimet e pronave do të rriten vazhdimisht, i cili dominonte deri kur shpërtheu kriza financiare botërore në shtator 2008, konsiderohet si përgjegjës për këtë situatë. Por disa ekspertë sugjerojnë se edhe korrupsioni mes oficerëve të kredisë si dhe kontrollet e pamjaftueshme nga ana e bankave janë një faktor tjetër.
Sipas skemës së përfolur nëpër qarqet e bankierëve, një pjesë e oficerëve të kredive mbyllnin sytë duke pranuar kolaterale të pavlera në këmbim të një pagese nën dorë prej 10 për qind të totalit të kredisë së dhënë.
“Nuk është letë të shtysh bankat të mbledhin kreditë e këqija që janë dhënë në shkëmbim të një pjese të kredisë për të njëjtët oficerë kredish që sot duhet t’i mbledhin,” tha një zyrtar nga Ministria e Financave pak kohë më parë.
Ndërkohë, kredia për ekonominë nuk shënoi rritje vitin e kaluar dhe rritja ekonomike e vendit qe në nivelin anemik prej 1.89 për qind.
Precedenti 1998
Shqipëria është përballur me një situatë të ngjashme në vitin 1998, kur disa qindramilionë dollarë kredi të këqija të dhëna nga bankat, në atë kohë shtetërore, mbetën të papaguara. Në atë kohë, qeveria vendosi të falimentojë dhe të mbyllë Bankën Tregtare Agrare si dhe pastroi dy bankat e tjera shtetërore, Bankën e Kursimeve dhe Bankën Kombëtare Tregtare nga kreditë e këqija duke mbuluar me paratë e taksapaguesve humbjet. Kreditë e këqija iu transferuan një zyre shtetërore të quajtur Agjencia e Trajtimit të Kredive, një institucion që vegjetoi pa marrë mundimin për të mbledhur kreditë e këqija. Përfundimisht, këto kredi u paguan nga taksapaguesit.