
Pas vendimit të Kolegjit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi me shumicë votash kandidaturën e Ilir Pjetrajt dhe regjistron në garë kandidatin e dorëhequr, Altin Biba.

Katër ditë pasi Kolegji Zgjedhor e la të hapur mundësinë e kandidimit të Ilir Pjetrajt për bashkinë e Kurbinit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi nxjerrjen e tij përfundimtare nga gara. Me 4 vota pro dhe tre kundër, KQZ rrëzoi të hënën kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e Pjetrajt dhe riktheu në garë ish-kandidatin demokrat, Altin Biba.
Pas vendimit, anëtari i djathtë i KQZ-së, Klement Zguri akuzoi se ky vendim i falte një zonë zgjedhore subjekteve të majta. Por ky pretendim u kundërshtua nga kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi.
“Partitë duhet të mendohen mirë para se të zgjedhin kandidatët. Nëse do ta kishin zgjedhur kandidatin në kohën e duhur nuk do të ishim në këtë situatë,” tha Luzi gjatë mbledhjes.
“Nuk mund t’i hidhet i gjithë faji KQZ,” shtoi ajo.
Ilir Pjetraj, i cili rezulton të jetë vëllai i deputetit demokrat, Mhill Fufi u kandidua nga Partia Demokratike për bashkinë e Kurbinit, pas dorëheqjes nga gara të Altin Bibës. Biba deklaroi se tërhiqej nga kandidimi për arsye shëndetësore, duke i pasuar stafetën Pjetrajt.
Partia Socialiste e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ç’regjistrimin e tij, me argumentin se kishin kaluar afatet ligjore. Pas këtij vendimi, në garë për bashkinë e Kurbinit mbeti vetëm kandidati i mazhorancës, Artur Bardhi.
Përplasja ligjore vazhdoi në Kolegjin Zgjedhor, ku Partia Demokratike depozitoi një ankesë. Më 28 maj, Kolegji i dha të drejtë PD-së që të kandidonte Ilir Pjetrajn ose një kandidat tjetër për garën e Kurbinit. Pas vendimit të djeshëm në KQZ, Partia Demokratike duhet të përfaqësohet nga Altin Biba në garën për Bashkinë e Kurbinit.