
Partia Demokratike arriti të mbajë pushtetin në bashkinë Vorë pavarësisht investimeve të shumta politike dhe financiare të koalicionit të majtë dhe të kreut të LSI, Ilir Meta.

Bashkia e re e Vorës përfshin edhe njësitë administrative të Prezës dhe Bërxullës.
Në zgjedhjet e vitit 2013, në njësitë që përbëjnë bashkinë Vorë, e djathta kishte një avantazh të vogël në krahasim me të majtën. E majta rezultoi të ketë marrë më shumë vota në zgjedhjet e së dielës, por gjithsesi, jo mjaftueshëm për të marrë drejtimin e kësaj bashkie.
Vora përjetoi një nga garat më të ashpra dhe më të tensionuara elektorale me akuza të shumta të ndërsjellta për blerje votash dhe ku rreziku për dhunë qe i lartë. Të dy kandidatët dukej se kryen një fushatë shumë të kushtueshme ku rrugët e qytetit dhe të fshatrave u mbushën me flamuj e me posterë të pamundur. Vora u kthye edhe në një garë të rëndësishme për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila shpresoi të poziciononte veten për zgjedhjet e vitit 2017 por që duket se po dështon në shumicën dërrmuese të garave.







