Tregjet e Kinës, njësoj si tregjet në zhvillim gjithkund nëpër botë, janë të luhatshme dhe investitorët atje zakonisht janë të përqendruar në fitimet e shpejta. Megjithatë një përqasje më afatgjatë nuk është thjeshtë e mundshme; nëse bëhet siç duhet, ajo mund të jetë jashtëzakonisht fitimprurëse.
Mes investitorëve në Kinë mbisundon mendimi se mënyra më e mirë për të fituar para është që të bëhet tregti në mënyrë të vazhdueshme, përndryshe ty të mbetet në dorë kashta e shkurtër. Por, në eksperiencën time, blerja dhe mbajtja e bizneseve të mira është e vetmja mënyrë për të realizuar fitime të shkëlqyera.
Investitorët e tjerë shpesh më thonë mua se ata pëlqejnë të investojnë në terma afatgjatë, por detyra që i është besuar atyre nga klientët shpesh i ndalon të bëjnë diçka të tillë. Ka diçka të vërtetë në këtë besim. Investimet e mira afatgjata janë të thjeshta në teori, por të vështira në praktikë; ato padyshim do të testojnë durimin dhe vendosmërinë tuaj, veçanërisht nëse përballesh me humbje të mëdha në periudhën ndërmjet.
Kjo është arsyeja se pse një strategji afatgjatë kërkon mbështetje nga partnerët në investim të cilët duhet të të besojnë dhe të kenë vullnetin të jenë të duruar. Menaxherët e fondeve që janë nën presion të vazhdueshëm për të realizuar fitime apo për të mbrojtur rezultatet afatshkurtra nuk kanë mundësi të investojnë me biznese sipërmarrëse të guximshme që mund të optimizohen përgjatë dekadës së ardhshme dhe jo përgjatë tremujorit të ardhshëm.
Marrëdhënia e firmës sime me themeluesit e prodhuesit të detergjentëve Blue Moon, Luo Qiuping dhe Pan Dong, është shembull për këtë ide. Në vitin 2006, kompania e tyre qe lider në tregun e sapunit të lëngshëm të duarve. Biznesi i tyre po rritej në mënyrë organike dhe Luo e Pan nuk po kërkonin për investitorë. Por ne ruajtëm kontaktet me pa, shpesh duke ndarë mendimet mbi industrinë botërore të kujdesit personal dhe shtëpiak.
Pastaj, më 2008, kompania pati një ndryshim pozitiv të vogël me një lloj të ri detergjenti të lëngshëm për rroba. Në atë kohë, kompanitë multinacionale kishin prani të gjerë në tregun e detergjentëve pudër të Kinës. Detergjentët e lëngshëm qenë një produkt Premium dhe kinezët mendohej se qenë shumë të vetëdijshëm sa i përket kostove për t’i përdorur ato. Por ne besuam se Blue Moon kishte një dritare mundësie për të kapur tregun e detergjentëve të lëngshëm në Kinë.
Në nivel global, ky qe një treg prej gati 20 miliardë dollarësh; dukej e pakonceptueshme që rritja e konsumatorit kinez të mos shtonte këtë xhiro. Të inkurajuar nga diskutimet me ne, Blue Moon bëri investime dobethënëse në detergjentët e lëngshëm duke investuar rëndë në prodhim, marketim dhe shpërndarje.
Kjo lëvizje e transformoi një firmë të vogël me fitime të qëndrueshme në një sipërmarrje me humbje dhe me potencialin për t’u bërë një gjigand multimiliardësh. Por, me Hillhouse si një nga aksionerët e vet të rëndësishëm të jashtëm, kompania u bë një pionier i hershëm në Kinë duke krijuar produkte Premium të realizuara në vend. Blue Moon ndërtoi një biznes prej miliarda dollarësh nga zero brenda pesë vjetësh, duke u bërë lojtari dominues në segmentin e detergjentëve të lëngshëm me një markë që shihet më pozitivisht se sa shumë nga konkurrentët e vet multinacionalë.
Shumë sipërmarrës kinezë kanë histori të ngjashme të sakrifikimit të fitimeve afatshkurtra për pozicione afatgjata. Trecent, e cila tashmë është një nga kompanitë më të mëdha të internetit në botë, me qëllim nxorri pak para nga rrjeti i saj fillestar i medias sociale QQ për shumë dhe shumë vite në mënyrë që të përqendrohej te eksperienca e konsumatorit. Në vitet e saj të fillimit, gjigandi i kërkimit Baidu realizoi një biznes fitimprurës nga reklamat me SMS por e hoqi qafe atë në mënyrë që të përqendrohej në biznesin e saj më të rëndësishëm, kërkimin.
Menaxherët e portofoleve të investimeve marrin përsipër rreziqe kur ata “ndryshojnë kuajt” duke rialokuar fondet nga një kompani që e njohin mirë te një investim i ri. Ndryshe nga kjo, puna me sipërmarrës që ndërtojnë kompanitë e tyre në terma afatgjatë fuqizon aftësinë e tyre konkurruese dhe lejon që kapitali të mbetet i investuar si dhe redukton rreziqet që krijohen nga tërheqja e investitorëve.
Një strategji afatgjatë duhet të shtrihet te kërkimi, ku punëmarrësit duhet të nxiten të shohin përtej fitimeve të ditës. Kur një anëtar i skuadrës ka një ide të mirë, ai apo ajo duhet të kalojë muaj, madje edhe vite, për të mësuar sa më shumë të jetë e mundur nga biznesi apo sektori pa presion për të gjetur një aplikim komercial të idesë.
Kompania ime ka ecur mirë nga të gjitha kuptimet përgjatë dhjetë viteve të fundit, por jo se i kanë munguar periudhat me performancë të keqe. Ne mund të mbështetemi te kompanitë me bazë të fuqishme afatgjatë por me çmime aksionesh të dobëta për shkak se investitorët tanë kuptojnë se çfarë ne po bëjmë dhe na japin ne krahë të lirë për të ekzekutuar strategjinë tonë.
Kjo thekson faktin që investimi afatgjatë nuk mund të ekzistojë në vakum; ai ka nevojë për një ekosistem mbështetës. Mentaliteti afatshkurtër i disa lojtarëve të tregjeve mund të krijojë disa mundësi interesante për tregti por pengon zhvillimin e një sistemi në të cilin duhet të lulëzojnë novacionet. Sipërmarrësit nuk mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë pa mbështetje të plotë nga investitorët dhe investitorët nuk mund të japin mbështetje të plotë nëse nuk kanë mbështetjen e klientëve të tyre.
Në Kinë, unë kam organizuar një grup investitorësh kapitalesh për të ndarë ide dhe njohuri mbi themelet e investimit dhe unë ndihmoj menaxherët e fondeve të kompanive të reja të cilët kanë të njëjtën filozofi afat-gjatë për ngritjen e biznesit të tyre. Edhe disa nga vetë skuadra ime kanë vënë në pukëpyetje se pse unë jam kaq i etur për të zhvilluar konkurrentë të mundshëm me veten. Arsyeja është e thjeshtë: torta është mjaftueshëm e madhe për të gjithë – ose, nëse punojmë sëbashku, ajo tortë to të rritet më tej.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. China’s Patient Investors