Shqipëria pati më shumë të dënuar më 2014 për trafik njerëzish, por korrupsioni dhe përfshirja e zyrtarëve në krim përbën shqetësim, thotë raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për trafikun e qenieve njerëzore.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së theksoi “bashkëpunimin zyrtar” në krimet e trafikimit si dhe faktin që një “anëtar i Parlamentit ka pasur dënime të mëparshme për krime të lidhura me trafikimin,” ndërsa lavdëroi progresin e shënuar gjatë vitit të kaluar kur një numër më i madh trafikantësh u dënuan nga gjykatat.
Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit e cilësoi edhe këtë vit Shqipërinë në kategorinë e dytë, gjë që nënkupton vendet të cilat nuk u plotësojnë standardet më minimale të kërkuara për mbrojtjen e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore por që po bën progres në këtë drejtim. Shqipëria ka mbajtur këtë status në raportet e Departamentit përgjatë të gjitha viteve të fundit me përjashtim të vitit 2008 dhe vitit 2013, kur ra në kategorinë 2 “nën kontroll” një gradë më poshtë se sa niveli aktual.
“Korrupsioni dhe ndryshimet shumë të larta brenda forcës së policisë pengojnë veprimtarinë e zbatimit të ligjit në drejtim të luftës kundër trafikimit. Bashkëpunimi zyrtar në krimet e trafikimit mbetet një shqetësim domethënës. Një anëtar aktual i parlamentit ka pasur një dënim të mëhershëm për krime të lidhura me trafikun,” thuhet në raport.
Deputeti aktual i dënuar më herët për trafik qëniesh njerëzore është socialisti Arben Ndoka. E shkuara e tij u ekspozua nga Partia Demokratike në korrik 2014 e cila publikoi dokumentet e dënimit të tij nga një gjykatë italiane në vitin 2002.
Raporti i departamentit thotë se Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson standardet minimale të nevojshme për eliminimin e trafikut, por vlerësohet se po bën përpjekje të konsiderueshme për t’i plotësuar këto standarde.
Gjatë vitit 2014 autoritetet shqiptare “përndoqën dhe dënuan më shumë trafikantë se sa më 2013, përfshirë disa trafikantë që patën detyruar fëmijë të lypin,” thuhet në raport. Qeveria dhe organizatat jofitimprurëse identifikuan më shumë viktima trafikimi gjatë vitit të kaluar ndërsa qeveria e rriti fondin e vet për strehën e ofruar prej saj për viktimat e trafikut. Gjithsesi, shërbimet psikologjike, mjekësore dhe riintegruese në strehën e ofruar nga shteti qenë të papërshtatshme,” thuhet në raport, i cili sugjeron që qeveria të rrisë fondet për shërbimet e strehimit të ofruara nga organizatat për viktimat e trafikut. Në Shqipëri ka katër qendra të tilla, një nga të cilat është shtetërore ndërsa tri drejtohen nga organizata të ndryshme jofitimprurëse.
Shqetësimi tjetër i shprehur nga Departamenti i Shtetit është që qeveria shqiptare vijon të hetojë dhe të ndëshkojë aktet e paligjshme të kryera nga viktimat e trafikut edhe në rastet kur shkelja e ligjit ka ardhur si pasojë e shfrytëzimit të këtyre viktimave. Kërkohet që qeveria shqiptare të mos dënojë viktimat e trafikut për krimet që ato mund të kenë kryer gjatë kohës së shfrytëzimit si një mekanizëm ky për të lehtësuar denoncimin dhe dënimin e trafikantëve. Gjatë vitit të kaluar, tetë viktima dëshmuan kundër trafikantëve të tyre.