Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Analiza

Projektligji i pronave ul “faturën” e shtetit, por saga e ish-pronarëve vazhdon

Aleksandra BogdaniNgaAleksandra Bogdani
15:21 | 29/07/2015
Në Analiza, Artikull kryesor Analiza, Faqja e pare, Në Fokus
Kohe leximi: 4 minuta
A A
0
Projektligji i pronave ul “faturën” e shtetit, por saga e ish-pronarëve vazhdon

Kryeministri Edi Rama, duke folur gjatë prezantimit të Reformës për Kthimin dhe Kompensimin e pronave | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Share on FacebookShare on Twitter

Projektligji i qeverisë shqiptare për pronat synon të ulë faturën marramendëse të penaliteteve nga Gjykata e Strasburgut, por ai kundërshtohet si i papranueshëm nga pronarët e shpronësuar prej regjimit komunist.

Kryeministri Edi Rama, duke folur gjatë prezantimit të Reformës për Kthimin dhe Kompensimin e pronave | Foto nga : Malton Dibra/LSA
Kryeministri Edi Rama, duke folur gjatë prezantimit të Reformës për Kthimin dhe Kompensimin e pronave | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Qeveria e majtë e Edi Ramës prezantoi mesin e korrikut një formulë të re për zgjidhjen e çështjes së pronave, e zvarritur prej dy dekadash pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Por projektligji i ri është pritur me zemërim nga komuniteti i ish-pronarëve në Shqipëri.

Myrshit Vorpsi, sekretar i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi dhe Drejtësi” i tha BIRN se projekti i qeverisë e shkarkon barrën financiare tek pronarët dhe nuk realizon detyrimin kushtetues të kthimit të pronës.

“Pronarëve po u kërkohet që të falin pronat e tyre me çmimet qesharake të vitit 1945. Kjo është e papranueshme për ne,” tha Vorpsi.

Projektligji Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave, i hedhur për diskutim me grupet e interesit u hartua për të plotësuar një kërkesë të hershme të Këshillit të Europës dhe Gjykatës së Strasburgut për t’i dhënë një zgjidhje sistematike çështjes së pronës në Shqipëri.

Projektligji i ngarkon qeverisë që të caktojë një fond buxhetor prej 5 miliardë lekësh çdo vit për kompensimin e ish-pronarëve. Në të kundërt, pronarët duhet të pranojnë çmimet e caktuara nga qeveria; disa herë më të ulëta se vlera e tregut.

Shoqata “Pronësi dhe Drejtësi” pretendon se shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve mbi 10 mijë hektarë tokë të pakthyer urbane dhe 50 mijë hektarë tokë bujqësore, e konfiskuar në vitin 1945 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Sipas Vorpsit, shteti shqiptar ka kompensuar në vitet 2006-2014 vetëm 15 hektarë tokë në vlerë financiare.

“Raporti është katastrofik. Por në këto kushte, shteti na kërkon të falim atë detyrim që ai ka përballë Strasburgut,” thotë Myrshit Vorpsi.

Të zhgënjyer nga qeveritë dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri, qindra ish-pronarë shqiptarë i janë drejtuar për zgjidhje Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut gjatë viteve të fundit.

Shumë prej tyre kanë fituar çështjet kundër shtetit shqiptar, duke i transferuar këtij të fundit një faturë të kripur financiare. Të tjerë janë ende të pritje të një vendimi në favor të tyre prej Gjykatës së Strasburgut.

Raporti i vitit 2014 i Gjykatës së Strasburgut tregon se 366 çështje kundër Shqipërisë janë të depozituara aty në pritje të një vendimi. Myrshit Vorpsi i shoqatës “Pronësi dhe drejtësi” thotë se numri i çështjeve në Strasburg e ka kapërcyer shifrën 400 gjatë vitit 2015.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, AKKP, Sonila Qato pranoi se projektligji u motivua nga “nevoja për t’i vënë fre vendimeve të Strasburgut”.

“Fatura që na vjen nga Strasburgu është aq e lartë, sa një ditë mund të kërkojë edhe falimentimin e shtetit,” tha Qato në një intervistë për Ora News.

E gjendur mes dy zjarreve, qeveria shqiptare shpreson që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të pezullojë për një kohë shqyrtimin e ankesave për pronat që vijnë nga Shqipëria. Ajo pretendon që dosjet e depozituara në Strasburg të kthehen në Shqipëri, për t’u trajtuar sipas legjislacionit të ri.

Gjasat për një vendim të tillë janë gjysmë për gjysmë.

Sokol Puto, ish-avokat i shtetit shqiptar në Strasburg, që aktualisht përfaqëson anën tjetër të barrikadës i tha BIRN se çështja është më e komplikuar nga sa pretendon qeveria shqiptare.

Ai kujton se Gjykata e Strasburgut ka marrë dy vendime të kundërta ndaj kërkesave të qeverive shqiptare për pezullimin e përkohshëm të gjykimeve. Në korrik të vitit 2012, gjykata i dha dritën jeshile qeverisë shqiptare të drejtuar nga Berisha që të zgjidhte brenda 18 muajsh çështjen e pronës.

Kur afati skadoi dhe qeveria shqiptare nuk ofroi një zgjidhje, Gjykata e Strasburgut rihapi dyert për pronarët e zhgënjyer shqiptarë.

Në vitin 2014, e njëjta gjykatë rrëzoi kërkesën e qeverisë Rama për të njëjtin objekt, duke vazhduar të shqyrtojë çështjet e pronave.

“Nuk e di se sa mirëkuptuese do të jetë gjykata, pasi ligji i ri ofron elementë komplet të ndryshëm nga ai i mëparshmi dhe shkon në disfavor të pronarëve,” i tha Puto BIRN.

“Argumenti i qeverisë shqiptare lejon që ligji të ketë fuqi prapavepruese dhe kjo nuk është një praktike e pëlqyer nga Gjykata e Strasburgut,” shtoi ai.

Statusi i rreth 400 dosjeve që ndodhen aktualisht në Gjykatën e Strasburgut është i ndryshëm dhe kjo përbën një vështirësi shtesë, që kërkesa e qeverisë shqiptare të miratohet.

Sokol Puto sqaron se shqyrtimi gjyqësor është përfunduar për një pjesë të mirë të dosjeve, për të cilat pritet marrja e vendimit. Të tjerat janë në procesin e korrespondencës apo në fazën e parë të aplikimit.

“Ligji i ri ndryshon rregullat e lojës, ndaj mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës së Strasburgut në këtë rast,” thotë Puto.

Pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist dhe të pakompensuar në demokraci e shohin këtë lëvizje të qeverisë si një hap tjetër kundër të drejtës së tyre.

“Këto 20 vjet, politika shqiptare ka bërë faje të rënda me të drejtën e pronës. Në fund, janë pronarët që penalizohen për fajet e politikës,” thotë Myrshit Vorpsi.

Tjetri
“Korbutë që kemi zgjedhur”

"Korbutë që kemi zgjedhur"

Më të lexuarat

Projektligji i pronave ul “faturën” e shtetit, por saga e ish-pronarëve vazhdon

Projektligji i pronave ul “faturën” e shtetit, por saga e ish-pronarëve vazhdon

15:21 | 29/07/2015
Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

19:09 | 18/03/2023
Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

13:49 | 20/03/2023
Shqiptarët u përballën me rënie të ndjeshme të pagave më 2016

Paratë e drogës si faktor i mosrritjes së pagave

13:42 | 21/03/2023
Arrestohen drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender

Arrestohen drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender

11:16 | 16/03/2023

Gjykata liroi zyrtaren e akuzuar për mashtrim pasi fëmijët e saj ishin të trishtuar

15:47 | 21/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.