Përse fitorja e Erdogan në Turqi u interpretua nga tregjet financiare si një gjë pozitive për qëndrueshmërinë e vendit, kur maja e politikës në Turqi gëlon nga korrupsioni? – pyet profesori i Ekonomisë Politike në Harvard.
Kur Partia e Turqisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) hodhi poshtë ekspertët dhe anketuesit duke rifituar një shumicë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të 1 nëntorit në vend, tregjet e ndjenë përmirësimin. Të nesërmen bursa e Stambollit u rrit me më shumë se 5 % dhe lira turke e mori veten.
Pavarësisht faktit se është vështirë të gjendet ndokush në qarkun e biznesmenëve dhe financierëve që të ketë ndonjë gjë të mirë për të thënë për Erdoganin apo AKP që ai drejtoi përpara se të ngjitej në presidencë në 2014. Dhe nuk është gabim: megjithëse presidenti turk supozohet të jetë mbi çdo parti politike, Erdogani mbetet në krye.
Në fakt, ishte strategjia e Erdoganit, përça dhe sundo – që ndezi një ndjenjë populizmi fetar dhe nacionalizmi dhe shkaktoi tensionin etnik me kurdët – që çoi drejt fitores së AKP. Ishte e vetmja strategji që mund të punonte. Mbi të gjitha, regjimi i tij i ka tjetërsuar liberalët me sulmet e tij mbi median; liderët e biznesit me konfiskimin e kompanive e lidhura me aleatët e tij të mëparshëm në të ashtuquajturën lëvizje Gulen dhe prëndimin me gjuhën konfrontuese dhe qëndrimin e paqëndrueshëm mbi Shtetin Islamik.
Dhe megjithatë, tregjet financiare, duke i vendosur një çmim stabilitetit, e përshëndetën rezultatin. Një qeveri me shumicë AKP, duket se besojnë investitorët, do të ishte më e mirë sesa një alternativë e ngjashme: një periudhë e pasigurisë politike, pas një koalicioni të dobët dhe të pavendosur ose një administrate minoritare. Por, në këtë rast, nuk pati shumë mençuri te turmat.
Është e vërtetë se AKP kaloi disa vite të mira kur erdhi fillimisht në pushtet në fund të vitit 2002. Por hapësira e partisë për dinakëri pengohej nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar jashtë shtetit, dhe laikët në shtëpi. Kur këto kufizime u hoqën, qeveritë e Erdogan përqafuan populizmin ekonomik dhe politikat autoritare. Optimizmi në dukje i investitorëve që pasoi fitoren e AKP të kujton përkufizimin e Ajnshtajn për marrëzinë: të bësh të njëjtën gjë vazhdimisht dhe të presësh një rezultat të ndryshëm.
Turqia sigurisht nuk është i vetmi rast kur tregjet politike kanë keqkuptuar politikat e një vendi. Shihni Brazilin, monedha e të cilit, reali, ka rënë që nga mesi i vitit 2014 – shumë me keq se valutat e tjera të tregut në zhvillim – kryesisht prej një skandali korruptiv të zbuluar. Prokurorët kanë zbuluar një skemë korrupsioni me në qendër kompaninë shtetërore të naftës, Betrobras, që përfshin ekzekutivët, parlamentarët dhe zyrtarë të qeverisë. Ndaj mund të duket e natyrshme që tregjet financiare e kanë pasqyruar këtë.
Megjithatë, rezultati më i rëndësishëm i skandalit ka qenë nënvijëzimi i fuqisë, jo dobësisë, së institucioneve ligjore dhe demokratike të Brazilit. Prokurori dhe gjykatësi në këtë rast, janë lejuar të bëjnë punën e tyre, pavarësisht impulsit natyral qeverisë së presidentes Dilma Rousseff për të shtypur hetimin. Dhe, nga ç’duket, hetimi ka ndjekur procedurat ligjore dhe nuk është përdorur për të shtyrë përpara axhendën politike të opozitës.
Përtej gjyqësorit, një mori institucionesh, përfshirë policinë federale dhe ministrinë e financës, kanë marrë pjesë dhe kanë punuar bashkë. Biznesmenët dhe politikanët kryesorë janë burgosur, mes tyre dhe ish-drejtori i thesarit të Partisë së Punëtorëve në qeveri.
Tregjet financiare supozohet të shohin përpara dhe shumë ekonomistë besojnë se ata alokojnë burimet në një mënyrë që reflekton të gjithë informacionin në dispozicion. Por një krahasim më i saktë i eksperiencës së Brazilit me atë të ekonomive të tjera të tregut në zhvillim, ku korrupsioni është më pak një problem, do të çonin drejt një qëndrimi më të mirë të investitorëve ndaj Brazilit.
Për t’u kthyer te Turqia, regjistrimet telefonike të bëra publike të bisedave kanë implikuar drejtpërdrejt Erdoganin dhe familjen e tij, mes shumë ministrave të qeverisë, në një rrjet të madh korrupsioni përfshirë tregtinë me Iranin dhe marrëveshjet e ndërtimit. Është një sekret i hapur se prokurimet e qeverisë po përdoren për të pasuruar politikanët dhe biznesmenët afër tyre. Nga të gjithë indikatorët, korrupsioni arrin më lart edhe është më i shpërndarë se në Brazil.
Por sot, janë oficerët e policisë që hetuan akuzat e korrupsionit ndaj Erdogan ata që u burgosën. Disa prej mediave që mbështetën hetimin po mbyllen dhe janë marrë nga qeveria.
AKP-ja argumenton se oficerët e policisë janë anëtarë të lëvizjes Gulen dhe se investigimi ishte i motivuar politikisht, për të rrëzuar Erdoganin. Të dyja pretendimet janë me shumë gjasa të vërteta. Por asnjëra nuk e justifikon paligjshmërinë me të cilën qeveria e AKP ka hedhur poshtë akuzat e korrupsionit. Rezultati është se institucionet e Turqisë, ndryshe nga të Brazilit po mbahen peng dhe janë të korruptuara deri në atë masë që do të pengojë zhvillimin ekonomik në vitet e ardhshme.
Nuk është Turqia i vetmi vend ku korrupsioni në shkallë të madhe është lënë pa u kontrolluar. Në Malajzi, kryeministri Najib Razak, ka qenë në qendër të skandalit politik që kur 700 milionë dollarë u gjetën në llogaritë e tij bankare. Miliarda dollarë thuhet se mungojnë nga fondi 1MDB i investimit qeveritar, të cilin e kontrollonte Najib. Najib ka premtuar një numërim të plotë, por më pas largoi nga puna prokurorin e përgjithshëm të Malajzisë që investigonte.
Në Amerikën Latine, Argjentina dhe Meksika renditen të dyja në gjysmën e dytë të vendeve në kontroll të korrupsionit dhe ruajtjes së transparencës – shumë më poshtë se Brazili. Rrëmbimi dramatik dhe vrasja e tmerrshme e 43 studentëve në vitin 2014 në Qytetin e Meksikos në veri, është një nga shembujt e fundit të marrëveshjes së fshehtë mes gangsterëve, policisë dhe politikanëve.
Ne e dimë nga eksperienca e dhimbshme se fokusi afatshkurtër i tregjeve financiare dhe sjellja prej kopeje shpesh i çojnë ata në neglizhimin e bazave ekonomike. Ne nuk duhet të befasohemi që të njëjtat karakteristika mund të mjegullojnë gjykimin e tregjeve mbi qeveritë dhe perspektivat politike të shteteve.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. When Financial Markets Misread Politics