Një qytetar u ndalua nga policia gjatë një proteste të organizuar nga ish të përndjekurit politikë të regjimit komunist në kërkim të dëmshpërblimeve të burgut.
Një ish i përndjekur politik u ndalua sot nga policia pas përplasjeve mes një grupi protestuesish dhe forcave të rendit pranë Kuvendit të Shqipërisë. Identiteti i të ndaluarit nuk bëhet i ditur për momentin por pamje të transmetuara në televizione treguan forcat e policisë Shqiponjat duke e ndaluar.
Ish të përndjekurit politikë protestuan ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke kërkuar dëmshpërblimet për burgimet e padrejta të kohës së komunizmit. Shteti shqiptar ka pranuar padrejtësinë e dënimeve të tyre në vitin 1991 dhe ka akorduar me ligj të drejtën e dëmshpërblimit financiar në vitin 2007. Gjithsesi, buxheti i shtetit ka dhënë shuma modeste për dëmshpërblimet, duke shlyer përgjatë tetë viteve më pak se një të katërtën e të gjithë detyrimit.
Ish të përndjekurit protestuan ndaj qeverisë së kaluar, e cila, megjithëse e miratoi ligjin për dëmshpërblimin e tyre, nuk akordoi kurrë fonde të mjaftueshme dhe as nuk bëri të ditur ndonjë plan financiar të detajuar për kompensim. Partia Socialiste premtoi shlyerjen e detyrimeve ndaj ish të përndjekurve brenda katër viteve të mandatit të saj qeverisës, por përgjatë dy viteve të fundit ka ndjekur të njëjtën politikë me qeverinë e kaluar, duke akorduar rreth 15 milionë euro në vit për dëmshpërblimet nga rreth 400 milionë që nevojiten në total, gjë që nënkupton se do të duhen edhe shumë vjet të tjera para se dëmshpërblimet të përfundohen.
Vitin e kaluar kuvendi miratoi një ndryshim në ligjin e dëmshpërblimeve duke i dhënë prioritet në rradhën e dëmshpërblimeve ish të burgosurve që janë gjallë dhe të moshuar, por edhe ky ndryshim ligjor nuk u mbulua me shumën e nevojshme financiare.