Policia arrestoi 22 zyrtarë të doganave që drejtonin një skemë mashtrimi në kufirin me Turqinë, duke i marrë ryshfete shoferëve.
Bullgaria ka arrestuar 22 zyrtarë të doganave në Kapitan Andreevo, pika kryesore e kontrollit në kufirin me Turqinë dhe i akuzon ata për korrupsion.
Zyrtarët janë akuzuar për formimin e një grupi kriminal të organizuar, përfshirë në marrjen e ryshfeteve që operonte që nga marsi 2015.
“Ky ishte një nga operacionet më të mëdha që kemi ndërmarrë në Bullgari,” tha drejtoresha e Zyrës Speciale të Prokurorisë, Daniela Popova në Sofje të hënën.
Operacioni, i kryer nga Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare dhe departamenti i krimit të organizuar në Ministrinë e Brendshme, filloi në gusht dhe vazhdon ende, qartësoi Popova.
Aksioni mbylli pikën më me fluks të kontrollit në Bullgari për gjashtë orë më 13 dhjetor.
Prokurorët thonë se 106 kërkime u kryen, pasuar nga marrjet në pyetje të zyrtarëve të doganave dhe dëshmitarëve që kalonin përmes Kapitan Andreevo.
Mësymjet zbuluan 150,000 leva, rreth 75,000 euro, në shtëpitë dhe makinat e të dyshuarve. Sasia më e madhe e kapur në shtëpinë e një prej të dyshuarve ishte 15,000 euro.
Të arrestuarit ishin inspektorë dhe menaxherë nga të katër turnet e punës në zyrën e doganës. Disa kanë më shumë se 30 vite eksperiencë pune.
Hetuesit arrestuan 14 të dyshuar dhe liruan me kusht tetë të tjerë. Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me dënime nga tre deri në 10 vjet burg.
Andrey Andreev, kreu i zyrës së prokurorit special, tha se zyrtarët e arrestuar mblidhinin para në këmbim të moskryerjes së kontrollit të makinave, kamionëve dhe autobusëve në pikat e kontrollit.
Ryshfetet varionin nga 2 në 5 euro për një makinë të vogël deri në 150 ose 300 për autobusët dhe kamionët.
“Në fund të turnit, një zyrtar i doganës ndante ryshfetet sipas ditës dhe numrit të makinave. Shuma më e madhe i shkonte kreut të turnit,” shpjegoi Andreev.
Nuk ka prova se zyrtarët e arrestuar ishin të përfshirë në trafikimin e drogës, por provat janë ende në mbledhje e sipër dhe më shumë akuza mund të shtohen.