Kur fillova të shkruaj sesi do ta kujtoj vitin 2015 mu kujtuan tri gjëra kryesore. Viti nisi me protesta dhe përfundoi me protesta. Edhe viti tjetër do të nisë prapë me protesta.
Kjo është pak a shumë me një fjali se si do ta kujtoja këtë vit.
E mira është se fundi i vitit po duket pak më relaksues. Prishtina më e ndriçuar se sa vitin e kaluar edhe qyteti po duket më festiv. Gazin lotësjellës në Kuvend e në sheshin kryesor të Prishtinës e kanë zëvendësuar qytetarët e shumtë e fëmijët e buzëqeshur me dhuratat e fund vitit.
Në anën tjetër opozita e pozita si duket kanë ‘shpallur’ një armëpushim deri vitin tjetër pas festave. Por këtë armëpushim e prishi pak mjegulla e këtyre ditëve që shumë kujt ia ka prishur planet e udhëtimit nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës e anasjelltas dhe mjetet piroteknike të parakohshme! Dhe që e ka bërë Prishtinën t’i përngjajë pak pamjeve të zakonshme vjeshtore të sallës së Kuvendit.
Por t’i kthehemi e të analizojmë se çka realisht ndodhi këtë vit.
2015-ta sapo e kishte lënë një vit tjetër të bllokadës politike 6 mujore të vitit 2014. As ky vit nuk ishte më i ndritur!
Ky vit lirisht mund të jetë viti i bllokimit politik!
Gaz lotsjellës, maska, gurë, protesta nga opozita, grevë në arsim, bllokim të Kuvendit, arrestim të deputetëve të opozitës të cilët edhe sot po mbahen nëpër burgje e në arrest shtëpiak, vezë për zyrtarët qeveritarë, por kishte pak ose fare luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Ne në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ e në KALLXO.com edhe këtë vit kishim mbuluar ngjarjet kryesore.
Ky ishte viti i keq edhe sa i përket liberalizimit të vizave, largimit ilegal të kosovarëve nga Kosova nëpërmjet Serbisë e Hungarisë për vende tjera të Evropës.
Pra ‘babadimri’ as sivjet nuk na solli liberalizimin për të cilin na kishin ‘premtuar’ që nga 2012-ta. Ky ishte vit i mos pranimit të Kosovës në UNESCO e poashtu vit me numrin më të vogël të njohjeve që nga shpallja e pavarësisë.
Pos ikjes së kosovarëve për në Evropë, Qeveria Mustafa- Thaçi ishte ballafaquar me pakënaqësi të punëtorëve kosovarë për rritjen e pagave, pakënaqësi dhe kërkesa për shkarkimin e ministrit të athershëm për kthim Aleksandër Jabllanoviq (i cili më vonë u largua nga posti i ministrit), grevën e minatorëve në Trepçë dhe grevën sindikatave të arsimit.
Derisa protestat po vazhdonin, marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë po nënshkruheshin. Ky vit ishte karakterizuar edhe me vrasjen e arrestimin të kosovarëve në konfliktin e Kumanovës.
Ishte fillimi i muajit maj kur rajoni u trazua nga luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë mes grupit të armatosur ku kishte edhe shumë kosovarë. Disa nga ta mbetën të vrarë në këto luftime.
Kuvendi kishte shkuar në pushim veror pasi kishte miratuar Gjykatën Speciale dhe ishte rikthyer pasi që pala kosovare dhe ajo serbe kishin nënshkruar mërrëveshje për formimin e bashkësisë së komunave serbe dhe kur Kosova e Mali i Zi kishin nënshkruar mërrëveshje për demarkacionin.
Këto sollën protesta të partive opozitare LVV, AAK e NISMA kundër marrëveshjes për Asociacion dhe demarkacionit me Malin e Zi. Deputetët opozitarë filluan me bllokimin e seancave parlamentare. U përdorën filikaqa duke krijuar zhurmë, e më vonë përfundoi me hedhjen e gazit lotsjellës në seanca të rregullta të Kuvendit të Kosovës, skena të cilat u kthyen në gati normale!
Pas këtyre ngjarjeve filluan arrestimet e deputetëve dhe protestuesve opozitarë.
Kosova prapë në vitin 2015 ishte temë në mediat ndërkombëtare. Kësaj radhe për gazin lotsjellës në Kuvend.
Pas dështimit për pak vota në UNESCO, Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2015 tha se Kosova është ende në fazën fillestare në luftë kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar. E pozitive sipas këtij raporti thuhet të jetë dialogu Kosovë- Serbi i organizuar nga vetë BE.
Por në këtë vit sportistët ndriçuan vendin. Sportistë kosovarë për herë të parë përfaqësuan shtetin e Kosovës në një garë të madhe ndërkombëtare “Baku 2015”, pasi që Kosova ishte pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kosova për herë të parë është paraqitur me flamurin e saj në këtë aktivitet dhe kishte 45 pjesëmarrës, prej tyre 18 sportistë si dhe Majlinda Kelmendi e cila printe shtetin e Kosovës.
Pos këtyre temave emisioni ‘Jeta në Kosovë’ kishte transmetuar hulumtimin disa mujor ku mbi 50 veta të stafit të ProCredit Bank ishin intervistuar nga emisioni Jeta në Kosovë, përfshirë ish- menaxhmentin e kaluar, të cilët paraqitën një figurë shqetësuese të presioneve për t’i pezulluar njerëzit nga puna. Një prej tyre u ankua se i ishte kërkuar që të largojë nga puna njerëzit për shkak të pamjes fizike së tyre. Banka me fitimet më të mëdha në Kosovë kishte mohuar akuzat. Ndërkaq prokurorisë deri më tash i janë drejtuar më shumë se 20-të ish punonjës të ProCredit Bank. Prokuroria kishte nisur hetime ndaj zyrtarëve të ProCredit Bank. E zyrtarët e bankës kanë mohuar çdo akuzë që është bërë ndaj tyre nga ish punëtorët e këtij institucioni.
Në anën tjetër në muajin tetor 2015, beteja tri vjeçare mes Rjetit Balkanik të Gazetarisë Hulumtuese dhe Zyrës së Kryeministrit për të pasur qasje në faturat e ish kryeminsitrit dhe zëvendesve të tij ishte diskutuar në Jeta në Kosovë. Me këtë 3 vjet pas, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim në favor të BIRN-it, pra kërkuesit të këtyre dokumenteve. Në shtator të vitit 2012, BIRN kishte kërkuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës qasje në faturat e shpenzimeve për kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçin dhe zëvendëskryeministrat e tij, Hajredin Kuçi, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Sllobodan Petrovic, Mimoza Kusari- Lila dhe Behxhet Pacolli.
Krejt në fund të këtij viti, Jeta në Kosovë ka sjellur hulumtimin disa mujor për shëndetin e ligë të QKUK-së. Emisioni Jeta në Kosovë e trajtoi QKUK-në; ankesat e pacientëve dhe përgjigjet e mjekëve.
Derisa edhe një “vit i mbrapshtë” po përfundon më i relaksuar pak, vendin e pret edhe një vit i rëndë në aspketin politik.
Më 9 janar opozita ka caktuar protestën e radhës e cila sipas tyre do të jetë nisja e ditës së rrëzimit të kësaj qeverie. Në pranverën e vitit të ardhshëm Kosova duhet të zgjedhë Presidentin e ri të vendit ngase Presidentja aktuale Atifete Jahjaga përfundon mandatin. Se a do të jetësohet marrëveshja PDK- LDK që kryetarin e PDK-së të votojnë president të vendit apo Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme ende nuk dihet. Po ashtu Gjykata Speciale në vitin 2016 do të përshpejtojë punën e saj.
Viti 2016 mund ta heqë mjegullën.
Gëzuar!
Marrë nga Kallxo.com