Stola parqesh me vlerë mijëra euro dhe kazanë plehrash të prodhuar me dru ekzotik janë vetëm disa nga shpenzimet e luksit të bëra nga autoritetet e Bukureshtit gjatë viteve të fundit, thonë auditorët.
Bashkia e Bukureshtit shpenzoi rreth 600 milionë euro mes viteve 2007 dhe 2014 për të krijuar dhe mirëmbajtur hapësirat e gjelbra në qytet por shumë prej këtyre parave u shpërdoruan në blerje të panevojshme, bëhet e ditur nga një raport nga zyra kombëtare e auditit Curtea de Conturi.
Shpenzimet përfshijnë një program 7 milionë eurosh për ridekorimin e trotuareve të njërit prej bulevardeve kryesore në Bukuresht, ku shumica e parave u shpenzua në vendosjen e strukturave të betonit të ngjyrosura apo blloqeve ornamentale me granit, ndriçime e gardhe. Por bashkia shpenzoi vetëm 1.5 milionë euro për të krijuar hapësira të gjelbra në bulevard.
Distrikti tre qe më shpërdoruesi mes gjashtë distrikteve të Bukureshtit. Qyteti këtu pagoi më shumë se 1 mijë euro për çdo stol parku ndërsa pagoi rreth 8,200 euro për 13 kazanë plehrash të bëra me dru ekzotik.
Inspektorët e auditit zbuluan se autoritetet bashkiake shpesh paguan shtrenjtë blerjet e tyre.
“Ne vumë re se bashkia bleu lule e bimë të tjera apo pemë nga kompani të ndryshme me çmime shumë më të larta se sa çmimet e zakonshme në treg,” tha Curtea de Conturi në raportin e saj.
Njësia bashkiake e Distriktit 3, pagoi 68 euro për një chrysanthemums, ndërsa çmimi e prodhuesi qe në fakt më pak se tre euro. Për një pemë limoni, ajo pagoi 550 euro, dhjetë herë më shumë se çmimi mesatar.
Zyra e auditit zbuloi se pasi ia ngarkoi shërbimet e pastrimit të parqeve kompanive private, kostot u rritën me dhjetëra herë në krahasim me periudhën kur shërbimi kryhej nga vetë bashkia.
Pavarësisht sasive të mëdha të parave të shpenzuara në zonat e gjelbra në Bukuresht, sipërfaqja e gjelbër në qytet është reduktuar në mënyrë të ndjeshme gjatë viteve të fundit.
Bukureshti kishte vetë, 9,86 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër për frymë në vitin 2012, në krahasim me 23.21 metra katrorë për frymë në vitin 2007, sipas të dhënave zyrtare.
Standardet e BE-së thonë se Rumania duhet të ruajë një sipërfaqe minimale të gjelbër prej 26 metrash katrorë për frymë.
Për shkak të kthimit të pronave, përfshirë pronave të bëra parqe si dhe keqmenaxhimit të hapësirave publike, zona e gjelbër në kryeqytetin e Rumanisë është reduktuar nga 3,200 hekratë në vitin 2007 në 2,080 hektarë më 2014.
Korrupsioni në minibashkitë e Bukureshtit është një problem i madh. Aktualisht katër nga gjashtë minibashkiakët e kryeqytetit janë aktualisht nën arrest ose nën hetim për korrupsion.
KRyebashkiaku i Bukureshtit, Sorin Oprescu, u arrestua gjithashtu shtatorin e kaluar me dyshimin se mori ryshfet prej rreth 25 mijë eurosh nga shumë kompani në shkëmbim të kontratave me bashkinë.
Rumania konsiderohet ende një nga vendet më të korruptuara në Bashkimin Europian dhe ka bërë vetëm progres të kufizuar në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kur u anëtarësua në BE në vitin 2007. Por gjatë viteve të fundit, një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë janë dënuar për korrupsion.