Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha premtuan të hënën se nëpërmjet reformës së kodit zgjedhor do t’i japin fund praktikave korruptive që deformojnë vullnetin e zgjedhësve.
Udhëheqësit e tre partive kryesore të vendit premtuan sot (26 janar) se janë të gatshëm të angazhohen për një reformë të re zgjedhore, ndërkohë që shoqëria civile dhe përfaqësues të diplomacisë shprehën një numër të lartë shqetësimesh, nga korrupsioni elektoral te angazhimi i grupeve kriminale në fushata zgjedhore, diskriminimi i grupimeve të ndryshme të votuesve, apo zvetënimi i rolit të medias nga informues i publikut në përcjellës i thjeshtë i propagandës së partive politike, shqetësime që reforma e ardhëshme zgjedhore do të duhet të trajtojë.
Udhëheqësit e partive politike, organizatat për monitorimin e zgjedhjeve dhe drejtuesit e ambasadave kryesore në Shqipëri u mblodhën sot në një konferencë të organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë.
Kryeministri Edi Rama, duke folur në rolin e kryetarit të Partisë Socialiste, deklaroi se ai kishte vullnetin për “çlirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e së shkuarës”. Ai është bashkëautor i reformës së fundit zgjedhore dhe të shumëkritikuar në Shqipëri, e cila krijoi sistemin aktual të proporcionalit rajonal me lista të mbyllura, sistem që është kritikuar për rritjen e shkallës së kontrollit të partive politike nga kryetarët e tyre, si dhe për përfshirjen e elementëve kriminalë në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili është akuzuar në të shkuarën për përdorimin e elementëve të krimit në fushatën e vet elektorale të vitit 2009, shprehu shqetësimin e tij veçanërisht për fenomenin e blerjes së drejtpërdrejtë të votave të zgjedhjet e vitit 2013.
“Në 2013 u testua tregu i votës dhe komisionerëve dhe u gjet çmimi dhe pastaj në zgjedhjet e Korçës u shndërrua në një poligon testimi të armës së sofistikuar të blerjes së votave në masë,” deklaroi Basha në fjalën e tij duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe zgjedhjeve lokale në Korçë pak muaj më vonë, ku media zbuloi një rast të pagesave të një grupi votuesish me 2 mijë lekë të rinj.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, u shpreh shumë i ndjeshëm ndaj përfoljeve për blerje votash, pasi partia e tij është akuzuar në mënyrë të përsëritur për blerjen e votave në masë në zgjedhjet e vitit 2013, kur LSI arriti të fitojë 18 deputetë.
Ai argumentoi se akuzat ndaj tij për blerje votash janë të padrejta, ndërsa komentoi ndoshta për herë të parë për zgjedhjet e manipuluara të vitit 2001, kur ai qe kryeministër. “Nuk jam shumë krenar për zgjedhjet e vitit 2001”, tha Meta, duke iu referuar zgjedhjeve që OSBE/ODIHR i konsideroi si të manipuluara përmes një numri të madh mekanizmash.
Përfaqësues të shoqërisë civile apo ambasadorët e huaj nga ana e tyre ngritën një pafundësi problemesh që do të duhet të adresohen nga një reformë e mundshme zgjedhore.
Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu theksoi para krerëve të politikës se ai dhe ambasadorë të tjerë i kishin parë me sytë e tyre “gangsterët që dukshëm dëshironin të frikësonin votuesit” në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar. Ai shkoi më tutje kur theksoi se qenë udhëheqësit e partive politike personat përgjegjës për përfshirjen e politikanëve të korruptuar dhe me lidhje kriminale në listat e kandidatëve.
Korrupsioni zgjedhor
Problemi i parë i ngritur nga konferenca qe korrupsioni zgjedhor, financimi i partive politike përmes parave të pista, përdorimi i fondeve të fushatave pa transparencë, etj.
Shqipëria ka aktualisht ligjet e nevojshme për të ndaluar financimin e pakufizuar të partive politike nga donatorë të caktuar, një masë që teorikisht duhet të ndalojë deformimet zgjedhore që krijohen nga fuqia ekonomike e individëve të ndryshëm por problemi duket se është fakti se shumica dërrmuese e donacioneve bëhen jashtë llogarive kontabël të partive politike.
Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve punëson kontabilistë për të kontrolluar financat e partive politike. Deklarimet e tyre të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së duken korrekte, por në përmasa të pabesueshme. P.sh, për vitin 2014, Partia Socialiste deklaron të ardhura dhe shpenzime në masën 86 milionë lekë, (610 mijë euro), shumica dërrmuese e të cilave paguhen nga buxheti i shtetit. Për të njëjtin vit, Partia Demokratike deklaroi të ardhura prej 58 milionë lekësh dhe shpenzime prej 45 milionësh ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi të ardhura prej 40 milionë lekësh dhe shpenzime prej 32 milionë lekësh.
Lefterije Luzi (Lleshi), kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoq ta minimizojë problemin duke argumentuar se disa probleme teknike nuk kanë mundësuar transparencën e plotë të financimeve elektorale. Sipas Luzit, problemi qëndron te fakti se KQZ nuk ka qenë në gjendje të gjejë adresat e një numri të madh partish të vogla jopjesëmarrëse në zgjedhje për t’ia kontrolluar llogaritë. Por sa i përket partive kryesore, Luzi thotë se i ka kontrolluar financat e tyre dhe nuk ka gjetur shkelje.
Në fakt, paratë e pista nëpër fushata elektorale janë të dukshme për të gjithë. Në zgjedhjet e fundit vendore p.sh, në disa bashki të vendit, si Kamëz, Vorë apo Shkodër, shpenzimet elektorale u shfaqën në një nivel të pabesueshëm në krahasim me pushtetin e pritshëm që mund të sigurohej në këto bashki përmes mbushjes së rrugëve me flamuj dhe zyra elektorale apo mbushjes së televizioneve me fushata reklamash, kostot dhe financuesit e të cilave mbetën të panjohura për publikun e gjerë.
Kontrolli i financave të partive politike duket se ka edhe një problem për shkak se ai kryher nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është një institucion bashkëpartiak, i përbërë nga përfaqësues të partive politike, të cilët, teorikisht do të duhet të gjejnë shkeljet financiare të partive që i kanë emëruar në këto poste. Ky konflikt interesi është nga pikat që do të duhet të zgjidhet nga reforma e ardhëshme.
Kriminalizimi dhe sistemi zgjedhor
Sali Berisha si kryetar i Partisë Demokratike dhe Edi Rama si kryetar i Partisë Socialiste vendosën në vitin 2008 të ndryshojnë kushtetutën e vendit dhe sistemin zgjedhor duke miratuar formulën aktuale të proporcionalit rajonal, formulë që nga njëra anë u kritikua se po fuqizonte rolin e kryetarëve të partive në dëm të kandidatëve dhe demokracisë përfaqësuese dhe nga ana tjetër, u lavdërua si një mekanizëm që mund të sillte çlirimin e kryetarëve të partive nga presioni për të garuar me biznesmenë apo gangsterë apo ndonjë përzjerje e biznesmenit me gangsterin. Në fakt, zgjedhjet e vitit 2009 dhe më pas, zgjedhjet vendore të vitit 2011 e ato parlamentare të vitit 2013 krijuan perceptimin se korrupsioni politik dhe kriminalizimi i zgjedhjeve u shtuan në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Në lidhje me formën e zgjedhjeve, krerët e partive politike qenë të paqartë në mendimet e tyre të shprehura në konferencë. Kryeministri Rama deklaroi se nuk dëshironte “të hynte në detaje” ndërsa Meta deklaroi se dëshironte që listat zgjedhore të bëheshin të hapura, gjë që sugjeron se shqiptarët do të mund të votojnë për kandidatin e një partie dhe jo vetëm për partinë. Basha nga ana e tij nuk kishte ide mbi formën e zgjedhjeve por foli gjatë për korrupsionin në zgjedhje, i cili, sipas tij, i përket vetëm palës tjetër.
Sa i përket kriminalizimit, Rama nuk komentoi por deklaroi se zgjedhjet e fundit janë “më të mirat se paraardhëset”, ndërsa Meta deklaroi se në parlament vendit i duhen më pak biznesmenë. Ai këmbënguli se sipas mendimit të tij, korrupsioni zgjedhor së fundmi është reduktuar ndjeshëm në krahasim me të shkuarën.
Juristja Vjollca Meçaj rikujtoi të pranishmit se aktualisht në Kodin Zgjedhor ka plot 12 vepra penale të lidhura me zgjedhjet, informacion që nuk shërben shumë për të luftuar korrupsionin zgjedhor për sa kohë institucionet e tjera si prokuroria apo policia janë inaktive në hetimin e krimit elektoral.
Zëvendësambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Ëilton tha duke folur në shqip një të vërtetë tjetër që e dinë të gjithë: “Ligji pa zbatim, është kot”.
Depolitizim i administrimit?
Pika kyçe e diskutimit në Shqipëri që nga viti 1992 ka qenë propozimi që administrimi i zgjedhjeve të mos bëhet siç bëhet aktualisht, me përfaqësues të partive politike, por të bëhet me administratë jopartiake. Në pothuajse çdo raport mbi zgjedhjet të OSBE/ODIHR përgjatë dekadës së fundit është theksuar se militantët e partive politike që numërojnë votat duhet të zëvendësohen nga njerëz jomilitantë, të cilët mund të furnizohen me short nga mësuesit apo mjekët në mënyrë që numërimi i votave të jetë i pavarur dhe jo i ndërvarur.
Departitizimi i administrimit zgjedhor ka qenë një premtim i mëparshëm i vendosur në programin e qeverisë së Partisë Demokratike dhe LSI të viteve 2009-2013, për të cilin Basha dhe Meta dje nuk folën. Por kryeministri Rama i surprizoi vëzhguesit kur u shpreh i gatshëm ta diskutojë çështjen.
“Pa dashur të zgjatem në detaje, pasi jam i bindur që të tjerët do të flasin me detaje, dua të theksoj dy elementë. Elementi i parë është nevoja për të kapërcyer traditën dhe për të depolitizuar komisionet zgjedhore. Besoj se sot jemi në kohë për ta bërë këtë hap,” tha Rama.
Reformë me konsensus
Reforma zgjedhore në Shqipëri kërkon dy të tretat e votave të parlamentit. Teorikisht kjo do të thotë se palët politike në qeveri dhe opozitë duhet të bien dakord me njëra-tjetrën për ndryshimet zgjedhore. Por kjo nuk ka ndodhur gjithmonë. Mes viteve 1992 dhe 1996, Partia Demokratike, e cila i dispononte tri të pestat e parlamentit, votoi në mënyrë të njëanshme ndryshime në kodin zgjedhor të cilat shkatërruan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 1996. Mes viteve 1997 dhe 2001, Partia Socialiste, e cila kishte shumicën e cilësuar, ndërmorri hapa të njëanëshme të cilat shkatërruan zgjedhjet e vitit 2001. Vetëm pas presioneve të mëdha ndërkombëtare dhe refuzimit për të njohur në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2001, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën marrëveshje në vitin 2003, marrëveshje që krijoi shtetin bipartizan dhe multipartiak aktual.
Aktualisht, koalicioni qeveritar i disponon votat për ndryshimin e kodit zgjedhor por kryeministri Rama theksoi se ai e konsideron konsensusin “të domosdoshëm”.
Ligj i ri për referendumet?
Ndërsa kryetarët e partive u përpoqën të mbrojnë secili pozicionin e vet duke minimizuar problemet, Vjollca Meçaj, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi me forcë që në reformën e ardhëshme zgjedhore të mos përjashtohet ajo pjesë e Kodit Zgjedhor që lidhet me të drejtën e qytetarëve për të organizuar referendum.
Meçaj theksoi se krerët e partive kanë qenë thellësisht armiqësorë ndaj idesë së referendumeve që nga viti 1998, kur hyri në fuqi kushtetuta aktuale, gjë që reflektohet në faktin se kapitulli për Referendumet i kodit zgjedhor të vitit 2003 është e vetmja pjesë e ligjit që nuk është ndryshuar pavarësisht se është bërë e qartë se klauzolat ligjore mbi referendumet i bëjnë zhvillimet e referendumeve efektivisht të pamundura.
“Unë prisja që ndonjë nga politikanët të na thonin: ‘Na falni për gjendjen aktuale’ por nuk e thanë”, tha Meçe.
Asnjë nga krerët e partive nuk e përmendi fjalën referendum.
Media si zëdhënëse e zëdhënësve
Në kodin zgjedhor të vitit 2003, për shkak të anësisë së theksuar të shfaqur nga media në zgjedhjet e mëparshme, u vendosën disa klauzola që synonin të detyronin televizionet t’i jepnin kohë afërsisht të barabartë palëve politike. Kjo rezultoi më lehtë e shkruar se sa e zbatuar. Me kalimin e viteve, u pa se partitë politike qenë në gjendje jo vetëm të shfrytëzonin anësinë e medias apo gazetarëve, por edhe ta kontrollonin median në tërësi. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2005 u fol për mbulim të njëanshëm apo negativ të njërës apo tjetrës parti politike, fenomene që sistemi i kuotave të kohës nuk i zgjidh dot, pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007 u vu re fenomeni i “kasetave” apo i “kabllit”. Në zgjedhjet e vitit 2009, shqetësimi kryesor qe që dy partitë kryesore në vend, arritën të prodhonin vetë “lajmet” mbi aktivitetet e tyre elektorale dhe t’ia dërgonin medias të gatshme duke shpërndarë kaseta. Gjatë dy viteve të fundit, teknologjia ka përparuar më tej me sisteme të centralizuara të kontrollit të informacionit të rrjedhit nga aktivitetet e partive politike, ku televizionet lejohet vetëm të “lidhen me kabullin” e sinjalit të siguruar nga partia përkatëse politike pa bërë mbulim të paanshëm apo kritik të aktiviteteve. Përgjatë zgjedhjeve të viteve 2013 dhe 2015, shqiptarët u ushqyen me orë të tëra transmetimesh “takimesh me popullin” të partive politike, të cilat nuk kishin kurrfarë përmbajtjeje gazetareske dhe që e kthyen efektivisht median në zëdhënëse të zëdhënësve politikë.
Tre krerët e politikës nuk shprehën ndonjë shqetësim për këto praktika, por kryeministri Rama argumentoi se sipas mendimit të tij, fondet e shpenzuara për reklama nga partitë politike janë të tepërta dhe se ai mendonte se këto fonde mund të shkurtoheshin.
Ndryshimet nga kryetarët
Shqiptarët mësuan pak ditë më parë në kuadër të debateve për reformën në drejtësi se në bazë të kushtetutës së vitit 1998, e vetmja mënyrë për të ndryshuar kushtetutën dhe rrjedhimisht, sistemin zgjedhor që është përcaktuar në kushtetutë, është që krerët e partive parlamentare të bien fillimisht dakord. Kushtetuta thotë se ndryshimet e saj duhet të miratohen fillimisht me dy të tretat e deputetëve të parlamentit ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë duhet të mbetet si spektatore pasive.
Për rrjedhojë, një kod i ri zgjedhor do të duhet të marrë fillimisht miratimin e krerëve të politikës, të cilët, mundet ose mundet së mos i adresojnë shqetësimet e pjesës tjetër të shoqërisë, gjë për të cilën sot janë të famshëm. Rekomandimi i pjesëmarrësve qe që, megjithëse situata është shumë në disfavor të publikut të gjerë, informimi në kohë i shoqërisë dhe organizimi i reagimit të shoqërisë si mjet presioni ndaj krerëve të politikës është i vetmi mjet aktualisht në dispozicion të qytetarëve për të ndikuar në vendimmarrjen e krerëve mbi reformën elektorale.
Duke theksuar këtë çështje, ambasadori i SHBA-së Donald Lu i bëri një thirrje shqiptarëve: “Votuesit shqiptarë kanë nevojë që po ashtu të marrin përgjegjësi — përgjegjësinë për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë. Shqiptarëve dhe amerikanëve u pëlqen të ankohen për politikanët e tyre. Ne mund të ankohemi sa të duam, por në një demokraci ne jemi përfundimisht përgjegjës për politikanët që zgjedhim”.