Pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare, nuk ka një rrugë të qartë për ngritjen e institucioneve të çliruara nga korrupsioni. Dhe nëse Objektivat e reja të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm do të sjellin ndryshim në cilësinë e qeverisjes, politikëbërësit duhet të përqendrohen në realizimin e objektivave të matshme dhe të vërtetueshme dhe jo në slogane të përgjithshme.
Rreth 1 trilionë dollarë humbi nga korrupsioni vitin e kaluar. Këto para nuk qenë të disponueshme për zgjerimin e kujdesit shëndetësor, për zgjerimin e aksesit në arsim, për përmirësimin e ushqimit apo pastrimin e mjedisit. Sipas Transparency International, 68 për qind e vendeve të botës kanë një problem të rëndë me korrupsionin dhe asnjë vend nuk është tërësisht imun.
Korrupsioni është një aspekt i qeverisjes së keqe; në të vërtetë, ai ka korrelacion të lartë me administrimin publik joefikas, llogaridhënies së dobët, transparencës së ulët dhe zbatimit jokonsistent të sundimit të ligjit. Pra nuk është çudi që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të miratuara të reja fringo nga Kombet e Bashkuara dhe që do të hyjnë në fuqi këtë vit, synojnë ta luftojnë korrupsionin. Gjithsesi, SDG-të (sipas akronimit në anglisht) paraqesin një ndryshim nga kuadri i mëparshëm i objektivave të zhvillimit, Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të cilat nuk përmbanin objektiva të qarta në lidhje me korrupsionin.
Suksesi në arritjen e këtyre objektivave mund të sjellë përfitime të shumëllojshme: shërbime publike më të mira, rritje ekonomike më të lartë, besim më të madh te demokracia. Në një sondazh botëror që po zhvillohet aktualisht dhe që deri tani ka tërhequr mbi 9.7 milionë përgjigje, “qeverisja e ndershme dhe reaguese” është prioriteti politik i katërt më i rëndësishëm, ku vetëm arsimi, kujdesi shëndetësor dhe vendet më të mira të punës renditen më sipër.
Problemi është se SDG kanë kaq shumë objektiva – 169 në total – dhe se ata premtojnë praktikisht çdo gjë për çdokënd. Nëse nuk ka kohë apo burime të mjaftueshme për t’u përqendruar në çdo gjë, vendet do të detyrohen të përqendrohen te disa çështje të caktuara. Institucioni kërkimor ku unë punoj, Qendra e Kopenhagës për Konsensus, ka punuar me më shumë se 60 grupe ekspertësh për të analizuar objektivat e premtuar dhe për të identifikuar kostot dhe përfitimet e secilës, në mënyrë që priorizimi të mund të bëhet në mënyrë më të informuar.
Ekonomistët nobelistë që ekzaminuan këtë kërkim të ri, identifikuan 19 objektiva kryesore të cilat do të sjellin më shumë të mira për botën në krahasim me paratë e shpenzuara për t’u realizuara. Këto objektiva përfshijnë aksesin universal te kontraceptivët, përshkallëzimin e luftës kundër tuberkulozit dhe zgjerimin e aksesit në sistemet parashkollore në Afrikën Nën-Sahariane. Ekonomistët rekomanduan që donatorët e botës dhe qeveritë të përqendrohen fillimisht në këto investime.
Të 12 objektivat e OKB-së të lidhura me korrupsionin dhe mirëqeverisjen nuk janë mes këtyre investimeve fenomenale. Një arsye për këtë është që shumë nga “objektivat” e OKB-së në këto fusha janë kaq të përgjithshme sa bëhen të pakuptimta. Për më tepër, ndërsa është shumë e vlefshme të thuash se ne duam “të zhvillojmë institucione efikase, llogaridhënëse dhe transparente në të gjitha nivelet”, si dhe “të reduktojmë në mënyrë thelbësore korrupsionin dhe ryshfetin në të gjitha format e tyre,” pyetja është se nga duhet t’ia fillojmë punës për të gjitha këto.
Pavarësisht shumë viteve përpjekje, nuk është gjetur një rrugë e thjeshtë për të realizuar qeverisjen e mirë dhe institucionet e çliruara nga korrupsioni. Një prej sfidave për të cilën ekspertët nuk janë dakord është nëse fillimisht vjen zhvillimi dhe pastaj qeverisja e mirë apo anasjelltas. Historikisht, institucionet e mira, të tilla si tituj pronësie të sigurta dhe sundimi i ligjit janë parë si faktorët e vetëm më të rëndësishëm që ndikojnë në disnivelin ekonomik të vendeve dhe korrupsioni konsiderohet se sjell në përgjithësi nivel më të ulët rritjeje. Por analiza më të reja kanë treguar se mund të ndodhë edhe e kundërta, pra që pasuria më e lartë dhe rritja ekonomike më e lartë të sjellin edhe qeverisje më të mirë.
Një studim i 80 vendeve ku Banka Botërore është përpjekur të reduktojë korrupsionin, zbuloi përmirësim në 39 për qind, por përkeqësim në 25 për qind të rasteve. Më shqetësuese është se mes të gjitha vendeve të tjera ku Banka Botërore nuk pati dhënë ndihmë, u vu re se ka pasur nivele të ngjashme suksesesh dhe dështimesh – gjë që sugjeron se programet e Bankës nuk kanë sjellë ndryshim real.
Por ekspertët e thirrur nga Qendra e Konsensusit të Kopenhagës zbuluan se një objektiv i lidhur me mirëqeverisjen në të vërtetë mundet të ketë leverdi në krahasim me paratë e shpenzuara: objektivi qe: “Brenda vitit 2030 t’i jepet identitet ligjor të gjithëve, përfshirë regjistrimin në lindje.” Ky mund të duket një objektiv jo shumë ambicioz në krahasim me objektivat e eliminimit të korrupsionit apo krijimit të institucioneve transparente gjithkund. Por në shumë vende në zhvillim, realizimi i këtij objektivi të matshëm për identitet ligjor universal mund të bëjë ndryshim real.
Arritja e këtij objektivi kërkon funksionimin e shërbimeve publike për të siguruar mjete për regjistrimin si dhe për ruajtjen e regjistrave. Themelimi i kapaciteteve të tilla institucionale mund të krijojë një model të qartë mbi atë se si mund të ofrohen në mënyrë efikase shërbimet e tjera. Në praktikë, shërbimi funksional i regjistrimit nuk mund të ekzistojë në vakum dhe kjo do të jetë një shenjë e kompetencës administrative.
Kjo e gjitha nuk është thjeshtë e lidhur me burokracinë; ka përfitime reale për qytetarët. Ata mund të ngrenë pretendime për të drejta ligjore, përfshirë të drejtat e pronësisë, të cilat janë me rëndësi jetësore për arritjen e mirëqënies së çdo individi dhe për rritjen e çdo ekonomie. Në mënyrë të ngjashme, zgjedhjet bëhen më pak të prekshme nga korrupsioni dhe manipulimi në rast se votuesit regjistrohen në mënyrën e duhur.
Nëse ne duam t’i japim prioritet të lartë luftës kundër korrupsionit, ne nuk duhet të vendosim objektiva tepër të gjera të mbushura me slogane kuptimplota. Ne duhet të punojmë për objektiva specifikë, të matshme dhe efektive, të tilla si garantimi i identitetit ligjor për të gjithë.
Por ne duhet gjithashtu të përballemi me mundësinë që kur vjen puna te ndihma për të varfrit e botës, politikat anti-korrupsion mund të mos jenë fusha më e mirë për të shpenzuar paratë tona. Kjo vjen pjesërisht për shkak se ka mënyra shumë më efikase për të luftuar probleme si tuberkulozi apo aksesi te kontraceptivët dhe pjesërisht për shkak se politikat aktuale antikorrupsion janë të kushtueshme dhe nuk janë shumë të suksesshme.
Kjo nuk do të thotë se unë po mohoj faktin që korrupsioni godet më shumë të varfrit e botës. Por se sfidat janë të shumta, nga mungesa e kujdesit shëndetësor te uria dhe ndotja, të cilat godasin të varfrit por që janë probleme shumë më lehtë të zgjidhshme.
Që të përqendrohemi te ajo që mund të bëjmë duket më pak mbresëlënëse se sa të premtojmë gjithçka për gjithkënd – dhe kjo vijon deri sa përballemi me punën konkrete. Ata që do të krijojnë prioritetet e duhura në fund do të ndihmojnë shumë më tepër njerëz.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. When is Fighting Corruption Worth It?