Ambasadori amerikan deklarohet i “neveritur’ me deputetët e opozitës të cilët sabotuan seancën e parë të parlamentit për vitin 2016 me më shumë gaz lotsjellës.
Parlamenti i Kosovës zhvilloi seancën e vet të parë për vitin 2016 të premten pavarësisht se gjatë seancës pati tre ndërprerje të shkaktuara nga deputetët e opozitës që lëshuan gaz lotsjellës në sallë.
Së paku pesë bomba me gaz lotsjellës u hodhën në sallë para se kryesia e kuvendit të urdhëronte pezullimin e 18 nga 31 deputetët e opozitës, disa prej të cilëve u nxorrën me dhunë nga forcat e sigurisë.
Policia arrestoi më vonë nëntë deputetë, ndërsa një tjetër, Albulena Haxhiu, përballet me akuza penale ndërsa po mjekohet në spital për shkak të plagëve që mori gjatë seancës parlamentare.
Deputetja e Vetëvendosjes përplasi kokën në një kabinë sigurie dhe u rrëzua ndërsa tentoi të largohej nga forcat e sigurisë të cilat po përpiqeshin ta kontrollonin atë në hyrje të sallës.
Të arrestuarit qenë që të gjithë nga tri partitë e opozitës, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK dhe Nisma për Kosovën.
Të arrestuarit janë: Mytaher Haskuka, Enver Hoti, Teuta Haxhiu, Fisnik Ismajli, Rexhep Selimi, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Shqipe Pantina.
Deputetët u morën në pyetje për vepra penale të lidhura me “përdorimin e armëve të zjarrit apo mjeteve të rrezikshme,” “krijimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “pengimit të zyrtarëve publikë në ushtrimin e detyrës”.
Donika Kadaj Bujupi, një deputete nga AAK tha se opozita nuk do të ndalojë së protestuari deri sa qeveria të japë dorëheqjen.
“Koalicioni në pushtet nuk ka ligjshmëri të qëndrojë për shkak se ka shkelur mbi kushtetutë. Ne do të vijojmë [protestat] këtu në kuvend,” tha Bujupi.
Pas arrestimeve, Ramush Haradinaj, udhëheqësi i AAK dha dorëheqjen si deputet dhe dorëzoi mandatin duke deklaruar se kuvendi ka pushuar së qenit një vend demokratik.
“Për shkak se Kuvendi i Kosovës është bërë një institucion anti-demokratik… unë po dorëzoj dorëheqjen e parevokueshme si anëtar i Kuvendit,” tha Haradinaj në letrën e tij të parë nga BIRN.
Deputeti i opozitës Ilir Deda – një zë i pavarur mes dy kampeve politike – i kërkoi qeverisë dhe opozitës të marrin përgjegjësinë për situatën dhe të punojnë më shumë për të gjetur një zgjidhje.
“Ne jemi votuar si deputetë në mënyrë individuale, kështu që është përgjegjësia jonë të jemi individualë. Ne duhet të zhveshim veten nga ngjyrat partiake dhe të veprojmë në të mirë të vendit,” tha Deda në Kuvend.
Udhëheqësi i Vetëvendosje Albin Kurti, i cili u godit me vezë nga persona të paidentifikuar jashtë asamblesë më herët në mëngjesin e djeshëm, dënoi pezullimin e deputetëve të opozitës nga seanca.
Ai akuzoi administratën e kuvendit për shkelje të ligjit dhe moszbatim të procedurave të duhura.
Albin Kurti u godit me vezë në hyrje të Kuvendit
“Kryetari i Kuvendit nuk i deklaroi emrat e deputetëve të përjashtuar… por në vend të kësaj ia dha emrat e tyre policisë,” pretendoi Kurti.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i cilësoi veprimet e opozitës “sjellje primitive”, dhe tha se ata nuk do ta pengojnë punën e qeverisë.
Diplomatët e huaj dënuan veprimt e opozitës, siç patën bërë më parë. Ambasadori i SHBA-së Greg Delaëie përdori në mënyrë të pazakontë fjalë të ashpra duke thënë se ndjehej i neveritur.
“Jam i zhgënjyer – do të them se jam thjeshtë i neveritur – nga udhëheqësit e AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, dhe dështimit të tyre për të treguar një farë pjekurie dhe angazhimi për demokracinë që qytetarët e Kosovës e demonstruan në demonstratën që qe paqësore të mërkurën,” tha Delaëie.
Asambleja diskutoi dhe miratoi disa dhjetëra akte ligjore të shtyra në kohë, përfshirë emërimin e anëtarëve dhe kryetarëve të disa institucioneve të pavarura.
Gjithsesi, katër marrëveshje ndërkombëtare që kërkonin pjesëmarrje të dy të tretave, nuk u miratuan për mungesë kuorumi.
Vetevendosje, dhe dy aleatët e saj, AAK dhe NISMA, kanë bllokuar aktivitetin e kuvendit që nga tetori i kaluar, duke kundërshtuar marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE me Serbinë dhe Malin e Zi.
Ata kundërshtojnë në veçanti një marrëveshje me Serbinë e cila krijon bazën për themelomin e një Asosacioni të Komunave Serbe në Kosovë si një njësi autonome. Opozita thotë se kjo do t’i japë serbëve të Kosovës dhe vetë Serbisë shumë tepër pushtet brenda Kosovës.
Seanca e ardhëshme e kuvendit pritet të mbahet më 24 shkurt.