
Teksa Maqedonia ka forcuar kufirin me Greqinë, Shqipëria shqetësohet se “itinerari i refugjatëve” mund të zhvendoset në tokën shqiptare, nga ku refugjatët mund të synojnë Italinë.

Shqipëria i trembet idesë që do të bëhet pjesë e “itinerarit të refugjatëve” në Ballkan, tani që Maqedonia ka forcuar kontrollet në kufi, duke lënë 10,000 njerëz të ngecur në Greqi gjatë rrugëtimit të tyre për në Europën Perëndimore.
Deri më tani, itinerari më i përdorur ka qenë Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Kroaci, duke shmangur Bosnjen, Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme i tha BIRN se një fluks i shkallës së lartë do të ishte një problem i madhd për vendin, të cilit i mungojnë kapacitetet për të pritur shumë refugjatë.
Zyrtarët dyshojnë se trafikimi i personave me gomone për t’i çuar njerëzit nga Adriatiku në Itali mund të riaktivizohet pasi qeveria ka luftuar prej vitesh për të bllokuar këtë rrugë.
Kryeministri Edi Rama, një javë më parë tha se Shqipëria nuk kishte synim të hapte kufijtë për fluksin e migrantëve. “Ne nuk do ta hapim kufirin për refugjatët,” tha ai.
Megjithatë, në praktikë, Shqipëria nuk mund të mbyllë kufirin e gjatë malor me Greqinë, që ka shumë rrugë të aksesueshme.
Refugjatët mund t’i përdorin ato lehtësisht për të hyrë në vend pa kaluar asnjë pikë zyrtare të kufirit.
Përfaqësuesja e UNHCR në Shqipëri, Marie-Helene Verney, i tha BIRN se nëse ndodh fluksi, Shqipëria duhet të jetë e gatshme të përballet me valën në një mënyrë njerëzore, sipas standardeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
“Sipas zhvillimeve të fundit përgjatë itinerarit të Ballkanit, është e rëndësishme që të gjithë shtetet të jenë gati për t’u përballur me një fluks të mundshëm për të minimizuar vuajtjen humanitare,” tha Verney.
“UNHCR është gati të ndihmojë qeverinë në përgatitjen për mbërritjen e mundshme të migrantëve dhe refugjatëve në territorin e saj,” shtoi ajo.
Teksa situata në kufirin Greqi-Maqedoni po bëhet më e vështirë, policia shqiptare ka shtuar patrullimet në lindje dhe jug pranë kufirit me Greqinë.
Grupe të vogla njerëzish që janë përpjekur të hyjnë ilegalisht në territorin shqiptar janë kthyer në Greqi.
Policia i mohon raportimet e mediave italiane se trafikantët po përdorin gomone për të trafikuar refugjatë në Itali.
Burime nga policia i tha BIRN se në dy muajt e parë të këtij viti vetëm dy gomone të braktisura janë gjetur në brigjet shqiptare, të cilat policia beson se janë përdorur për trafikim droge.







