Marrëveshja e vështirë mes demokratëve dhe socialistëve për aktet nënligjore u votua me 114 vota në Parlament, duke i hapur rrugën pastrimit të politikës dhe administratës nga personat me rekorde kriminale.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 114 vota pro aktet nënligjore për ligjin e dekriminalizimit, duke i hapur rrugën procesit të pastrimit të politikës dhe administratës publike nga personat me rekorde kriminale. Miratimi me konsensus i akteve nënligjore dhe formularit të vetëdeklarimit erdhi pas negociatave mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe atyre të Partisë Demokratike, të cilat zgjatën më shumë se 48 orë në Kryesinë e Kuvendit.
Ligji për “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit u miratua më 17 dhjetor në Kuvend, edhe falë presionit të organizmave ndërkombëtare. Që të bëhej i zbatueshëm, ligji kërkonte plotësimin deri më 6 mars me aktet nënligjore dhe formularin e vetëdeklarimit-afat që u respektua falë marrëveshjes së arritur me vështirësi nga palët e përfshira në proces.
Deputeti socialist, Taulant Balla paralajmëroi të premten arritjen e dakordësisë për aktet nënligjore pas një procesi që ai e cilësoi të vështirë, ndërsa thumboi ish-kryeministrin Berisha se kishte tentuar të pengonte konsensusin.
“Ka qenë një proces sa i lehtë, aq edhe i vështirë. Që të kemi një votim në seancë, i kam kërkuar të firmosë zotit Bylykbashi, sepse mund të ndodhte që po të shkonte tek Basha apo Berisha, ta ndryshonte draftin,” tha Balla para votimit.
Por deputetët e Partisë Demokratike e quajtën një fitore të tyren përmbylljen e këtij procesi dhe akuzuan mazhorancën se kishte zvarritur dhe tentuar të bllokonte dekriminalizimin. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi që udhëhoqi opozitën në negociata tha tanimë shqiptarët presin largimin e kriminelëve nga politika.
“Ky është akti që përmbyll një betejë dyvjeçare për dekriminalizimin e politikës. U detyruam që të mos na mjaftonte gërma dhe fryma e Kushtetutës, pasi pati vullnet të keq të politikës. Kriminelët u morën prej dore dhe u futën në politikë dhe administratë,” tha ai.
Negociatat 48 orëshe për aktet nënligjore u fokusuan tek formulari i vetëdeklarimit, që detyron subjektet e ligjit që të shprehen nëse ndaj tyre ka pasur dënime të formës së prerë, dënime të shkallës së parë, masë sigurimi nga autoritetete gjyqësore vendase apo të huaja apo urdhër dëbimi.
Me këmbënguljen e opozitës, në formular janë përfshirë edhe pyetje të hapura mbi rastet e ndalimit nga policia apo të lëshimit të ndonjë urdhër-arresti ndërkombëtar. Në rast deklarimi të rremë, subjektet dënohen me burg sipas nenit 190 të Kodit Penal.
Dekriminalizimi i politikës është kthyer në një kalë beteje të opozitës që prej vjeshtës së vitit 2014, kur u bë e qartë se një numër i konsiderueshëm deputetësh kishin të shkuar të errët dhe u mbështet nga organizmat ndërkombëtare. Por zbatimi i këtij ligji përbën tanimë sfidën më të madhe për vendin.