Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se ka arritur marrëveshje në nivel stafi me qeverinë shqiptare për programin trevjeçar, por theksoi se reformat strukturore janë të shumta dhe se kanë nevojë për përshpejtohen, përfshirë reformën në drejtësi.
Marrëveshja aktuale mes Shqipërisë dhe FMN-së, e cila premton uljen graduale të borxhit publik në katër vitet e ardhëshme në shkëmbim të kredive me terma të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare është “në rrugën e duhur”, deklaroi sot në Tiranë një mision i FMN-së në fund të bisedimeve mbi rishikimin e shtatë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF).
“Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet e Shqipërisë, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e shtatë të EFF-së. Programi ekonomik i Shqipërisë po ecën përgjithësisht sipas planit, me përmbushje të gjithë kritereve sasiore të performancës në bazë të programit dhe me zbatim të fortë të reformave strukturore, si ajo në sektorin energjetik. Megjithatë, ka pasur vonesa në disa fusha, si ndryshimi i ligjit organik për buxhetin. Përshpejtimi i zbatimit të reformave strukturore, me fokus te të drejtat e pronës, qeverisja dhe gjyqësori, ka rëndësi kritike për të fuqizuar aftësinë konkurruese, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të katalizuar një rritje më të fortë ekonomike,” deklaroi kreu i misionit Anita Tuladhar.
Marrëveshja e nënshkruar në dhjetor 2013, i dha Shqipërisë 330 milionë euro kredi të butë në shkëmbim të disiplinimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit me synimin e vendosjes së borxhit publik në trajektore rënëse. Marrëveshja parashikoi një periudhë tranzitore gjatë së cilës borxhi publik u rrit nga 64 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 74 për qind, për të filluar më pas reduktimin. Rritja në fazën e parë të marrëveshjes 2014-2015 e borxhit publik synonte likujdimin e faturave të prapambetura të qeverisë së kaluar dhe vendosjen e bazave për rritje të shëndoshë ekonomike, në mënyrë që reduktimi i borxhit publik si përqindje e PBB-së në periudhën 2016-2019, të mos rrezikonte rrëzimin e ekonomisë.
Gjithsesi, megjithëse objektivi për deficit buxhetor gjatë dy viteve të fundit u respektua, sërish, plani për ulje të butë të deficitit buxhetor nuk eci siç qe shpresuar për shkak se të ardhurat e qeverisë gjatë vitit 2015 qenë 36 miliardë lekë më të ulëta se sa plani fillestar, gjë që detyroi qeverinë të kryejë shkurtime në shpenzimet buxhetore në të njëjtën masë për të respektuar kushtin e deficitit. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes ekonomike qe shumë më i ngadaltë nga sa qe shpresuar dhe reduktimi i borxhit publik në vitet e ardhëshme pritet të jetë shumë më i dhimbshëm nga sa duhej të ishte.
Për shembull, parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2016, në fillim të marrëveshjes qe 4.2 për qind ndërsa parashikimi aktual është 3.4 për qind. Një për qind e PBB-së shqiptare aktualisht është rreth 100 milionë euro dhe diferenca mes dy parashikimeve kap afërsisht vlerën e 80 milionë eurove që pritet të mungojnë në xhepat e shqiptarëve vetëm për këtë vit. Megjithatë, Ministri i ri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi sipas tij “ritmet e rritjes reale, janë në përputhje me parashikimin tonë fillestar prej 2.7%”.
Nevoja për të reduktuar me shpejtësi borxhin publik si përqindje e PBB-së në kushtet kur ekonomia po rritet më ngadalë nga sa pritet, do të detyrojë qeverinë të mbajë investimet publike në nivele të ulëta përgjatë shumë viteve në vijim, gjë që nga ana e vet, i ul shpresat për rikthim te rritja ekonomike në nivele të kënqashme.
Aktualisht Shqipëria vlerësohet se ka themele ekonomike për të përfituar rritje ekonomike në masën 4.5 për qind në vit, por hera e fundit që rritja ka qenë në këtë nivel qe viti 2008. Në fillim të marrëveshjes me FMN-në, qe parashikuar që rritja ekonomike në këtë nivel do të vinte në vitin 2017. Parashikimi i ri është që kjo rritje nuk do të vijë para vitit 2020, gjithmonë në rast se reformat strukturore të nevojshme do të realizohen në kohë nga qeveria.
Thirrje për ‘reforma strukturore’
Me një theksim më të lartë se sa në deklaratat e shkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë shqiptare sot të përshpejtojë reformat strukturore të cilat duhet të sjellin krijimin e kushteve për rritje ekonomike. Ndërsa FMN lavdëroi ecurinë e sektorit të energjisë elektrike, ajo bëri thirrje për përshpejtim të reformave me fokus te të drejtat e pronës, qeverisja e mirë dhe gjyqësori, të cilat, sipas FMN-së, “kanë rëndësi kritike për të fuqizuar aftësinë konkurruese, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të katalizuar një rritje më të fortë ekonomike”.
Kuptohet që Shqipëria po bën disa hapa para dhe disa hapa pas në këtë drejtim. Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi vlerësim korrekt të kostove dhe rreziqeve që mbartin për buxhetin e shtetit marrëveshjet e partneritetit publik privat, të cilat, qeveria aktuale dhe ajo e shkuar i kanë dhënë me bollëk pa u menduar gjatë. Ndërsa qeveria aktuale ka dhënë tre kontrata koncesioni dhjetëvjeçar në sektorin e shëndetësisë, psh, kostoja totale e këtyre kontratave për buxhetin e shtetit nuk shprehet qartë nga autoritetet, të cilat parapëlqejnë të bëjnë debate pa lidhje me opozitën apo kritikët e tjerë të këtyre koncesioneve.
E drejta e pronës mbetet po aq e parartë sa edhe në të shkuarën, ndërsa rreziku që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut të akordojë kompensim monetar të lartë për pronarët që kanë përfituar ligjërisht por jo praktikisht të drejtat e humbura gjatë kohës së komunizmit, vijon të mbetet i lartë. Reforma në drejtësi, e cila synon të pastrojë sistemin nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe që mund t’i hapë rrugë përfitimeve të shumëanëshme ekonomike, mbetet aktualisht e bllokuar nga mosmarrëveshjet politike mes partive që duhet ta votojnë atë në parlament.
Fondi Monetar Ndërkombëtar sinjalizoi gjithashtu se Banka e Shqipërisë mund të ulë më tej normën bazë të interesit të lekut për shkak se inflacioni vijon të mbetet që prej tri vitesh poshtë objektivit të politikës monetare dhe pritet të vijojë të mbetet i tillë edhe për këtë vit.
“Rekomandojmë që Banka e Shqipërisë të vazhdojë të mbajë një politike monetare lehtësuese, duke ulur normën e interesit, në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve,” thuhet në deklaratën e FMN.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko nga ana e tij përdori termin “disinflacion” kur foli për ecurinë e çmimeve duke theksuar se kjo situatë vjen njëkohësisht nga dobësitë e brendshme të ekonomisë si dhe nga jashtë vendit.
“Inflacioni vazhdon të mbetet në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit tonë,” tha Sejko. “Kjo ecuri ka pasqyruar kapacitetet ende të pashfrytëzuara të prodhimit në ekonominë shqiptare, por edhe tendencat dizinflacioniste të ardhura nga shkëmbimet tregtare me jashtë”, shtoi ai.
Disinflacioni është situata kur çmimet vijojnë të rriten, por me një ritëm më të ulët se sa në periudhën e mëparshme. Një situatë disinflacioni është, si të thuash, paradhomë e deflacionit dhe recesionit, por Sejko deklaroi se burimi i goditjes është nga rënia e çmimeve të mallrave të importit dhe për rrjedhim, disinflacioni aktual nuk reflekton pritshmëri për deflacion dhe recesion.
“Analizat tona sugjerojnë se kjo rënie është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, më konkretisht nga rënia e fortë e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregjet ndërkombëtare. Si e tillë, rënia e shpejtë e inflacionit dhe nivelet e ulëta të tij përfaqësojnë një goditje oferte për ekonominë shqiptare, dhe jo një situatë deflacioniste, e cila lidhet me situata aktuale apo të pritura recesioniste. Efekti i saj në inflacion pritet të vazhdojë edhe për disa kohë, por ai do të jetë gjithsesi kalimtar,” deklaroi Sejko.