Është fare e lehtë. Mjafton të paguhet një tarifë te një firmë juridike dhe ajo është në gjendje të kryejë regjistrimin e kompanisë në një parajsë fiskale pa pasur nevojë që të shkohet fizikisht në këtë parajsë fiskale. Një rast shqiptar është ai i Kastriot Ismailajt, biznesmenit të arrestuar si ndërmjetës në një aferë korruptive mes CEZ Shpërndarje dhe zyrtarëve më të lartë të vendit. Sipas investigimeve të mëparshme të BIRN, Ismailaj qe në gjendje të regjistronte një kompani në Ishujt Virgjin Britanik me ndihmën e një firme ligjore në Tiranë. Krijimi i një kompanie ofshore mund të kushtojë disa mijëra dollarë por sërish, shumë prej kompanive ofshore krijohen dhe nuk përdoren kurrë. Ato zakonisht regjistrojnë për drejtor një person fiktiv, i cili mund të jetë një kontabilist apo avokat. Shumë shpesh, kriminelët apo të korruptuarit shkojnë më tutje, duke krijuar rrjet kompanish ofshore. Pra kompania e parë ofshore vihet nën pronësinë e një kompanie të dytë ofshore e me rradhë, gjë që e bën gjurmimin e pronësisë së vërtetë të kompanisë gati të pamundur.