
Partia e presidentit rus Vladimir Putin po dërgon një delegacion në Malin e Zi për të joshur vendin e vogël buzë Adriatikut, i cili po lëviz drejt anëtarësimit në NATO, gjë që Rusia e kundërshton.

Një delegacion i nivelit të lartë nga partia Rusia e Bashkuar e presidentit Putin do të shkojë në Mal të Zi në mes të prillit për të përmirësuar marrëdhëniet me vendin me shumicë ortodokse, që kohët e fundit u ftua për t’iu bashkuar NATO-s.
Vizita do të përfshijë takime me partitë pro-rusë, udhëheqësit fetarë, OJQ-të, shoqatat e biznesit, medias dhe diasporës ruse në Mal të Zi.
Duke njoftuar vizitën, Qendra Ballkanike me bazë në Moskë për Bashkëpunim Ndërkombëtar tha se Rusia ishte e interesuar seriozisht në çështje të tilla si qytetërimi i krishterë në Ballkan dhe në rolin e Rusisë në ruajtjen e saj, por edhe në një referendum të mundshëm mbi ofertën e vendit për anëtarësimin në NATO.
Qendra tha se qëllimi ishte të zhvilloheshin formate të reja të bashkëpunimit mes Mali i Zi dhe Rusisë me qëllim të rritjes së përfaqësimit të Malit të Zi në ekonomi dhe në politikën e Rusisë.
“Kjo inciativë do të favorizohet nga partia Rusia e Bashkuar, forcat kryesore politike në Federatën Ruse. Do të përqendrohet në zhvillimin e marrëdhënieve të Rusisë me vendet e Ballkanit në interes të konsolidimit dhe forcimit të miqësisë të njerëzve në Rusi dhe atyre në Ballkan,” tha drejtori i qendrës, Viktor Kolbanovski.
Moderatori i projektit do të jetë Sergei Zeleznjaki, zëvendës-president i Dumës ruse dhe zëvendës sekretar i përgjithshëm i bordit ndërkombëtar të Rusisë së Bashkuar.
Kryesisht me etni sllave dhe me fe ortodokse, Mali i Zi ka një histori të gjatë të marrëdhënieve të ngushta me Moskën, që datojnë që prej mbretërimit të Car Pjetri i Madh.
Marrëdhëniet u ftohën në mars të vitit 2014, kur Mali i Zi vendosi sanksione ndaj Rusisë, duke u bashkuar me embargon e BE-së që iu imponua ndaj 33 zyrtarëve të Ukrainës dhe Rusisë, disa prej tyre shumë të afërt me presidentin Putin.
Marrëdhënia e lëkundur e Malit të Zi me Rusinë u përkeqësua përsëri pasi republika e Adriatikut u ftua për t’iu bashkuar NATO-s në dhjetorin e kaluar.
Pasi ftesa u njoftua, zëdhënës i presidentit Putin, Dmitry Peskov, tha se Moska ishte duke marrë në konsideratë reagimin e saj ndaj kësaj lëvizjeje.
Ministria e jashtme ruse gjithashtu lëshoi një deklaratë ka tha se ftesa e NATO-s në Malin e Zi “nuk do të nxisë paqen dhe stabilitetin në Ballkan apo në Europë në përgjithësi”.
Për vite të tëra, Mali i Zi është etiketuar si destinacioni i preferuar i oligarkëve rusë.
Në dritën e ftohjes së lidhjeve politike, rusët janë ende turistët më të shumtë të huaj në vend. Rreth 300,000 rusë vizitojnë vendin çdo vit, duke përbërë më shumë se një milion qëndrime gjatë natës .
Disa sondazhe sugjerojnë se më shumë se 40 për qind e pasurive të patundshme në Mal të Zi tashmë i takojnë rusëve, kryesisht politikanëve dhe miliarderëve.
Rusia për shumë vite ka qenë burimi më i madh i vetëm i investimeve të huaja direkte. Ajo është përgjegjëse për gati një të tretën e këtyre investimeve në Mal të Zi.
Sipas informacionit të qeverisë dhënë për BIRN, pasi vala e investimeve ruse filloi në Mal të Zi në vitin 2005, rreth 1.16 miliardë euro kanë hyrë në Mal të Zi nga Rusia.







