Radikalët e Polonisë kanë prezantuar një projektligj që synon të dënojë me burg çdo grua që vendos të abortojë fëmijën, pa pasur një kërcënim direkt për jetën e saj, ky konsiderohet një abortim i lirisë nga profesori Kisilowski. Kjo bie në kundërshtim me vlerat themelore të demokracisë së perëndimit dhe mbi të gjitha me të drejtat ndërkombëtare të njeriut.
Nëse amerikanët mendojnë se thirrja e Donald Trump për të burgosur gratë që abortojnë nuk mund të bëhet kurrë një ligj, ata duhet të marrin në konsideratë rastin e Polonisë. Një ligj i ri drakonian, prezantuar nga grupet radikale dhe zyrtarët pro-jetë mbështetur nga kryesia e partisë qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS), do të dërgojë një grua në burg për pesë vjet për “vrasje gjatë shtatzënisë”.
Që nga vjeshta e shkuar, kur mori pushtetin PiS i krahut të djathtë, regresi demokratik i vendit ka shkaktuar rritje të alarmit, si brenda dhe jashtë shtetit. Ndoshta lëvizja më shqetësuese nga qeveria e re kanë qënë çmontimi metodologjik i Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht kësaj, përgjigjjja e administratës së presidentit amerikane Barack Obama ka qenë deri më tani e heshtur. Kryeministri britanik David Cameron ka mbrojtur haptazi liderët joliberalë të Polonisë.
Por Obama, Cameron dhe liderë të tjerë Perëndimorë tani kanë nëntë milionë arsye për të rimarrë në konsideratë qasjen e tyre – një arsye për çdo grua polake në moshë riprodhimi, për të cilat mungesa e kontrolleve efektive kushtetuese dhe balancave nuk është më një problem politik abstrakt. Nën ligjin polak të propozuar, dhënia fund e një shtatzënie nga momenti i konceptimit do të konsiderohet si vrasje.
Nuk do të ketë raste përjashtimore për këtë, përveç “evitimit të një kërcënimi direkt” ndaj jetës së nënës. Një vajzë 11-vjeçare e përdhunuar nga një i afërm do të duhet ta vazhdojë shtatzëninë, vetëm nëse doktorët (që rrezikojnë burgun) përcaktojnë se shtatzënia do ta vriste atë pashmangshmërisht. Një grua do të duhet të mbajë një shtatzëni ektopike ose një fetus aq të dëmtuar saqë të mos mund të jetojë, derisa komplikimet të bëhen mjaftueshëm të rënda për jetën e saj sa të konsiderohet rrezik “direkt”. Pilula e një dite më pas apo fertilizimi in virto do të kriminalizohen gjithashtu.
Ndihma dhe pjesëmarrja në “vrasjen gjatë shtatzënisë” do të ndëshkohen njëlloj si vetë “vrasësja”. Kushdo në Poloni që jep informacion rreth apo bën plane për një adoptim të ligjshëm jashtë shtetit mund të akuzohet si bashkëpunëtor.
Dhe kjo nuk është e gjitha. Ligji parashikon dënim me burg deri në tre vjet për “vrasjen paralindjes nga pakujdesia”. Megjithëse drafti aktual e përjashton nënën nga ndëshkimi, mënyra se si ligji është strukturuar sugjeron se përjashtimi mund të hiqet shumë lehtë nga versioni final. Në këtë rast, një dështim do ta ekspozonte gruan ndaj një akuze për vrasje.
Të gjitha këto mund të tingëllojnë të pabesueshme për një vend që është anëtar i BE-së dhe NATO-s. Por përvijimi i fuqizimi të mundshëm të ligjit thekson pasojat e pasivitetit perëndimor përballë krizës kushtetuese të Polonisë.
Ashtu si shumë parti të sotme të krahut të djathtë, përfshirë republikanët në SHBA, PiS është një amalgramë e konservativë dhe ekstremistëve të zakonshëm që refuzojnë themelet e demokracisë të stilit perëndimor. Dhe tani është e qartë se e vetmja mënyrë për të mbajtur radikalët në kontroll është të zbatohen kostot e sjelljes së tyre joliberale dhe anti-demokratike.
Kundërshtimi i hapur nga votuesit e moderuar është qartazi një nga këto kosto, megjithëse e djathta radikale mund të jetë indiferente ndaj kësaj. Nëse ekstremistët mund të përdorin forcën brutale të shumicës parlamentare për të legjitimuar axhendën e tyre, ata do ta bëjnë këtë gjë – dhe do të shqetësohen më vonë si të merren, në një mënyrë apo në një tjetër me kundërshtarët.
Ndaj është jetësore, në Poloni dhe gjetkë, që gjykatat kushtetuese të mund të bëjnë punën e tyre. Ashtu si Gjykata Supreme në SHBA, Gjykata Kushtetuese në Poloni mund të shfuqizojë legjislacionin që shkel të drejtat e individit parashikuar në kushtetutën polake. Pavarësisht konservatizmit tradicional të Gjykatës mbi çështjet sociale, me siguri do t’i refuzojë parashikimet kyçe të ligjit të abortit – një perspektivë që do të fuqizojë të moderuarit e PiS t’i dalin mbi kolegëve të tyre ekstremistë. Mbi të gjitha, nëse një ligj i propozuar nuk i mbijeton shqyrtimin gjyqësor, kush do të niste një luftë politike përçarëse?
Fatkeqësisht, përpjekjet e PiS për të neutralizuar gjykatën kushtetuese e kanë hequr këtë frenim thelbësor ndaj ekstremizmit. Presidenti Andrzej Duda ka refuzuar të miriatojë gjyqtarët e përzgjedhur ligjërisht. Parlamenti i mbizotëruar nga PiS ka prezantuar disa pengesa të rënda procedurale mbi veprimtarinë e gjykatës. Dhe qeveria refuzon madje të publikojë vendimet e gjykatës në fletoren zyrtare të ligjit, që do të thotë se vendimet nuk mund të marrin fuqi.
Përpjekja e PiS për të maksimizuar pushtetin e vet ka kthyer një parti të tërë në një peng të elementëve më radikalë. Ligji i abortit nuk u prezantua nga lidershipi i PiS, por nga një grup mbrojtësish radikalë të lidhur me deputetë të PiS. Lideri i PiS, Jaroslav Kaczynski i ka bërë thirrje Kishës Katolike të mos i shkojë prapa çështjes. Por sapo ligji u prezantua, ai nuk kishte zgjidhje, siç pretendon, veçse ta mbështeste. “Jam një katolik dhe çështja është e qartë për mua”, tha ai.
Ligji i Polonisë për abortin mund të jetë vetëm fillimi i një vale frikësuese propozimesh politikash që synojnë të shkelin të drejtat bazë të njeriut dhe mbrojtjet e sundimit të ligjit në Poloni. Për Europën dhe SHBA-në, kundërshtimi i ligjeve të tilla një nga një do të jetë një detyrë e pamundur, ndaj për këtë arsye të dyja duhet të rimendojnë përpjekjet në mbështetje të pavarësisë së plotë të gjykatës kushtetuese . Me sigurimin e kësaj dhe respektimin e vendimeve, gjykata do të mund të zgjidhë kërcënimet e të drejtave të njeriut apo vlerave demokratike që paraqet legjislacioni i PiS.
Kur fantazitë e krahut të djathtë radikal të vihen në fre, të moderuarit e PiS mund të përqendrohen më në fund te çështjet që u interesojnë shumicës së polakëve: përmirësimi i standardit të jetesës në vend duke siguruar sinkronizim ekonomik me perëndimin.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Poland Aborts Freedom