Krizat e njëpasnjëshme e kanë vënë Europën me shpatulla pas murit, por pas referendumit Britanik, liderët e Bashkimit Europianë duhet të marrin në dorë situatën dhe të sigurojnë vazhdimësinë e integrimit europian.
Që nga viti 2009, kur kriza financiare që filloi në Amerikë në 2008 tronditi eurozonën në themel, menaxhimi i krizës është bërë normalja e re e Europës. Në fakt, kriza u pasua nga kriza në Europë dhe kjo ka pak gjasa të ndryshojë së shpejti.
Europa ka pasur një krizë financiare, një krizë greke, një krizë ukrainase dhe që nga vera e vitit 2015, një krizë refugjatësh. Dhe tani, me Mbretërinë e Bashkuar, një nga shtetet më të forta anëtare të BE nga ekonomia dhe ushtria, që do të mbajë një referendum më 23 qershor për t’u larguar (i ashtuquajturi Brexit) apo për të qëndruar, Europa së shpejti do të përballet me një krizë ndarjeje.
Në fakt, një krizë masive e besimit ndaj Europës dhe institucioneve të saj është zhvilluar në shumicën e shteteve anëtare në BE, duke nxitur një rigjallërim të partive politike dhe ideve nacionaliste, si dhe një dobësim të solidaritetit europian.
Rinacionalizimi i Europës po shtohet, duke e bërë këtë krizë më të rrezikshmen nga të gjitha, pasi kërcënon disintegrimin nga brenda.
Liderët politikë të BE-së – krerët e shtetit dhe qeverisë të shteteve anëtare dhe liderët e KE KiE – morën një vendim të pasigurt në fillim të krizës financiare. Ata e vunë besimin në menaxhimin në rrethanat e krizës në vend të zhvillimit të një vizioni për Europën dhe një strategjie për ta arritur atë.
Menaxhimi strategjik i Europës do të kërkonte bërjen e kompromiseve të nevojshme, të cilat padyshim lidhen me rreziqe politike në të gjitha shtetet anëtare. Liderët e BE-së zgjodhën të lënë realitetin e krizave të caktuara të veprojnë për ta, duke kryqëzuar gishtat përballë forcës së rrethanave. Por kjo qasje, e lindur frika dhe dinakëria e gabuar, pati çmimin e saj: për shtetasit, një BE që lëviz vetëm në rrethanat e krizës është një imazh i paaftësisë, e cila nuk e meriton besimin e tyre – jo më një zgjidhje për problemet e kontinentit të vjetër, por thjesht një problem tjetër.
Pas thuajse gjashtë dekadash të integrimit të suksesshëm, Europa është bërë një tipar i jetës së përditshme, një realitet politik, ekonomik, institucional dhe ligjor. Por të gjitha manifestimet e Europës varen në vitalitetin e idesë së saj thelbësore, shpirtit të saj. Nëse kjo ide vdes ndër shtetasit dhe njerëzit e Europës, BE-së do t’i vijë fundi, jo me zhurmë, por me një rënkim të gjatë.
Gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu; shumë gjëra janë në lojë – e ardhmja e kontinentit tonë në një botë në ndryshim të shpejtë. Një politikë e hapave të vegjël nuk është më e mjaftueshme. Pa një vizion të rinovuar të Europës dhe një qasje efektive ndaj përballimit të krizës, nacionalistët e rinj (dhe të vjetër) të kontinentit do të vazhdojnë të fitojnë fuqi dhe të rrezikojnë të gjithë projektin e integrimit paqësor në bazë të sundimit të ligjit.
Referendumi i Brexit do të jetë një pikë kthese, si për Mbretërinë e Bashkuar dhe për BE-në si një e tërë. Ai do të pasohet nga një çlirim (ashtu siç unë shpresoj) ose nga një kanalizim që trondit BE-në në thelb dhe sjell katastrofë për Mbretërinë e Bashkuar. Por, sido që të vendosë Britania, krizat e shumta të Europës duhen zgjidhur.
Kriza financiare nuk ka përfunduar; por vetëm sa ka marrë një maskë të re politike. Portugalia, Spanja dhe Irlanda kanë treguar se shumicat demokratike nuk dëshirojnë më të durojnë politikat e kursimit të ngjashme me mjekimet kuro ose vrit. Dhe kriza greke po fillon të ziejë sërish.
Euro mund të mos mbijetojë. Pavarësisht shenjave të një rimëkëmbje të moderuar ekonomike në eurozonë, hendeku mes Gjermanisë dhe shumicës së vendeve të tjera të eurozonës po zgjerohet dhe thellohet. Nuk ka më ndonjë bisedë të konvergjencës së bashkimit monetar dhe nuk ka pasur prej një kohe të gjatë.
Megjithatë nuk është e qartë se nëse euro dështon, i gjithë projekti europian do të dështojë me të. Liderët e Europës e dinë se euro nuk është i paprekshëm nga kriza, pavarësisht përmirësimeve teknike të arritura gjatë krizës së mëparshme. Nëse nuk arrihet një kompromis i madh i ri mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera të eurozonës, kjo nuk do të ndodhë kurrë. Në praktikë, kjo do të thoshte reformim i eurozonës në bazë të thellimit të integrimit politik.
E njëjta gjë aplikohet edhe për sigurinë e përbashkët të BE-së, mbrojtjen e kufijve të jashtëm dhe një politikë e reformuar për refugjatët në Europë. Këtu, është gjithashtu e nevojshme të sigurohet lidership politik efektiv me një vizion të ri për një Europë të bashkuar në shekullin 21 – mbi mënyrën se çfarë mund dhe duhet të ofrojë, si mund të përbëhet dhe cilat institucione dhe fuqi janë të nevojshme.
Nuk ka arsye që Europa të ketë frikë nga krizat. Ato i vënë gjërat në lëvizje dhe ofrojnë një mundësi që BE-ja të ecë përpara dhe të bëhet më e fortë, nëse marrim si të mirqenë përballimin pa frikë të rreziqeve politike të tyre.
Sapo Britania të flasë në qershor, Europa duhet të japë përgjigjen e saj – zgjidhje të guximshme, me vizion dhe të vërteta. Nacionalizmi nuk është përgjigjja. Vetëm një Europë e hapur mund të sigurojë një të ardhme të paqtë dhe të begatë për europianët.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Reinventing Europe