Kriza e ardhshme e pensioneve mund të jetë shumë më e rëndë nga sa vlerësohet sot nga shumica e njerëzve për shkak se matësit që ne përdorim për të vlerësuar impaktin e plakjes së popullsisë nuk janë të kalibruara siç duhet. Ka një mospërputhje të madhe mes numrit të njerëzve që tradicionalisht numërohen si pensionistë dhe numrit të atyre që aktualisht varen nga pensioni për të jetuar.
Është bërë e qartë prej ca kohësh se një krizë pensionesh po vjen, dhe se kjo krizë do të jetë një lajm i keq për shpenzimet e qeverive gjithkund. Pjesa e njerëzve të moshuar – dhe në veçanti, të pensionistëve – po rritet me shpejtësi, veçanërisht në vendet e zhvilluara, ku tendenca sakaq po vë nën presion sistemet e mbrojtjes shoqërore.
Problemi, gjithsesi, mund të jetë shumë më keq nga sa besojnë shumica e njerëzve, për shkak se mjetet që ne përdorim për të matur impaktin e moshimit të popullsisë nuk janë të kalibruara siç duhet. Për rrjedhojë, ka një mospërputhje të madhe mes numrit të njerëzve që tradicionalisht numërohen si pensionistë dhe numrit të atyre që aktualisht varen nga pensioni për të jetuar.
Konfuzioni rrjedh nga mënyra në të cilën kërkuesit kanë llogaritur prej kohësh një tregues të quajtur Varësia nga të moshuarit, e cila është raporti i njerëzve mbi 64 vjeç me njerëzit në moshë pune. Në vitin 2015, raporti i varësisë nga të moshuarit në Itali qe 35 për qind, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjë që do të thotë se për çdo 100 italianë në moshën 15-64 vjeç, ka 35 italianë 65 vjeç apo më të moshuar, Nga viti 2050, raporti në Itali parashikohet të shkojë më shumë se 60 për qind. Kjo është një situatë e ngjashme me Gjermaninë, Japoninë dhe Spanjën, vende ku parashikohet që raporti i varësisë të dyfishohet përgjatë 30 viteve të ardhshme.
Kjo njësi matëse ka pasoja të rëndësishme. OECD parashikon që rritja e raportit të varësisë do të sjellë rritje domethënëse në shpenzime publike në kujdes shëndetësor, kujdes afatgjatë dhe pensione. Ky është një skenar i frikshëm, nëse shihet se pensionet përbëjnë sakaq 17 për qind të të gjitha shpenzimeve publike në vendet e OECD-së, duke i bërë ato zërat më të mëdha buxhetorë në shumë vende.
Telashi është se raporti i varësisë rrallë herë paraqet të gjithë situatën; ai nuk merr parasysh për faktin se njerëzit në disa raste dalin në pension më herët dhe se jo çdokush në moshë pune është angazhuar me të vërtetë në tregun e punës. Matja më e saktë e varësisë kërkon të pranuarit të faktit se shoqëritë nuk përbëhen vetëm nga të punësuar dhe pensionistë, por edhe nga studentë, të papunë, prindër që qëndrojnë në shtëpi dhe njerëz me pensione paaftësie të përhershme në punë.
Nëse i merr parasysh këto, situata del krejt ndryshe. Disa qeveri kanë nxitur punonjësit e moshuar të dalin nga tregu i punës në kohë krize ekonomike, në mënyrë që të krijojnë mundësi për punësim për të rinjtë. Në Itali, për shembull, mosha mesatare e daljes në pension ra, nga 65 vjeç në vitet 1970 në 59.9 vjeç më 1997. Dhe ka qëndruar e ulët që nga ajo kohë. Më 2012, sipas statistikave italiane, mosha efektive e daljes në pension në Itali qe 61.1 vjeç dhe më 2013, 25 për qind e pensionistëve qenë më të rinj se sa 65 vjeç.
Në mënyrë që t’i llogarisim këto gjëra dhe për faktin se jo të gjithë njerëzit në moshë pune aktualisht kanë punë, Allianz International Pensions ka zhvilluar një tregues të ri të cilin ne e quajmë “raporti i varësisë ndaj pensionimit”, ose raporti i njerëzve që aktualisht marrin pension, pavarësisht moshës që kanë, me ata që në të vërtetë punojnë. Siç pritej, ky tregues zbulon një situatë thellësisht të ndryshme. Në një studim të të dhënave të 12 vendeve, ne zbuluar mesatarisht 50 përfitues pensionesh për çdo 100 punëtorë. Sa për krahasim, treguesi i varësisë nga të moshuarit tregon se aktualisht ka 25 të moshuar për çdo 100 njerëz në moshë pune.
Australia, Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë që të gjitha raport varësie nga të moshuarit më pak se 20 për qind por raporti i varësisë së tyre ndaj pensionistëve është shumë më i lartë, 30 për qind në Australi, 39 për qind në SHBA dhe 63 për qind në Poloni. Me fjalë të tjera, në SHBA, barra e pensionistëve mbi ekonominë është aktualisht dy herë më e lartë se sa sugjerohet nga matësi tjetër; në Poloni, varësia është efektivisht tre herë më e lartë nga sa duket.
Duke përdorur raportin e varësisë nga pensioni mund të nxirren edhe disa gjetje kundërintiutive. Për shembull, Japonia – vendi “më i moshuar” në botë – ka të njëjtën varësi pensionimi me Rumaninë, e cila ka një popullsi shumë më të re. Por në Japoni, shumë njerëz që janë mbi 65 vjeç vijojnë të punojnë ndërsa në Rumani shumë njerëz dalin në pension para se të mbërrijnë në këtë moshë.
Në disa mënyra, ky është një lajm i mirë, për shkak se kjo sugjeron se varësia ndaj pensionimit nuk është e pashmangshme. Në të vërtetë, politikat ekonomike dhe dinamikat e tregut të punës mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike shkallën në të cilën pensionistët rëndojnë në ekonominë e një vendi. Duke siguruar nivele të qëndrueshme punësimi – veçanërisht mes të rinjve, grave dhe të moshuarve – dhe duke i bërë të moshuarit më pak të varur nga transfertat publike, qeveritë mund të ulin raportin e varësisë.
Por ndryshimet politike që kërkohen për t’i bërë pensionet më të qëndrueshme ka pak gjata të ndodhin në rast se votuesit nuk e kuptojnë natyrën e vërtetë të sfidës me të cilën përballen ekonomitë e tyre dhe gjenerata e re e punëtorëve. Mendoni për Italinë. Shifrat tona tregojnë se vendi ka 70 pensionistë për çdo 100 të punësuar. Dhe megjithatë, sipas Qendrës Kërkimore Pew, vetëm 41 për qind e italianëve thonë se moshimi i popullsisë është një “problem madhor”.
Qytetarët në vendet me raporte të larta varësie duhet të kenë shansin të shohin panoramën e vërtetë të asaj që pret ekonomitë e tyre. Dhe vetëm pas kësaj ata mundet të planifikojnë siç duhet financat e tyre personale dhe të zgjedhin përfaqësuesit që do t’i mbrojnë më mirë interesat e tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Rethinking Retirement Ratios