
Çmimi për Filmin më të Mirë të Gjatë në festivalin ndërgjegjësues të filmit mjedisor 2016 në Shqipëri e fitoi realizimi slloven për mbrojtjen e lumit të vetëm të egër të Europës, Vjosës.

Tre ambientalistë sllovenë rrëmbyen çmimin e parë në kategorinë e filmit më të mirë të gjatë, të Festivalit të Filmit Mjedisor në Shqipëri, ku konkurruan 56 filma nga 29 vende të ndryshme të botës.
Filmi triumfues “Një për Lumin: Historia e Vjosës” rrëfen historinë e lumit të fundit të egër në Europë, si dhe bën apel për mbrojtjen e tij nga rreziku i ndërtimit të hidrocentraleve, pjesë e planeve aktuale të qeverisë shqiptare.
“Vjosa është arteria e gadishullit të Ballkanit,” argumentojnë ambientalistët në dokumentar.
Çmimet u ndanë të dielën në Ditën Botërore të Mjedisit dhe përmbyllën kështu edicionin e katërt të Festivalit të Filmit Mjedisor, i cili nisi në vitin 2013 për të ndërgjegjësuar publikun për rreziqet mjedisore duke i shkrirë ato me kinemanë.
Tre çmimet e tjera të para të jurisë iu dhanë në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, animacionit japonez “The Fox of Shichigorosawa”, filmit Wild Albania nga Cornelia Volk për kategorinë eksperimentale, ndërsa Nisma Vullnetare fitoi çmimin e parë të talenteve të reja për realizimin Frymëmarrje që flet për ndotjen e ajrit në Shqipëri.
Një organizim i mbështetur nga Bashkimi Europian festivali mundësoi gjatë dy javëve shfaqjen e filmave në tetë qytete të ndryshme të Shqipërisë si Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë, Përmet, Ersekë, Çorovodë dhe Valbonë.
Filmat pjesëmarrës ekspozuan problemet mjedisore të 29 vendeve të ndryshme të botës që nga smogu i qyteteve dhe zjarret në pyje deri te habitatet e kafshëve të egra dhe ruajtja e lumenjve.
Aktivitetet të tjera të festivalit ndërgjegjësuan publikun përmes udhëtimeve, konkurseve, ekspozitave dhe shfaqjes eko-art. Aktivistët dhe ekspertët morën gjithashtu pjesë në seminare mbi biodiversitetin, ndryshimet klimatike, shëndetin, gjininë dhe bujqësinë.
Filmi fitues:
One For The River: The Vjosa Story nga Leeway Collective ne Vimeo.