
Një sërë bombardimesh nga Shteti Islamik dhe Partia Punëtore Kurde po dobësojnë sektorin e turizmit të Turqisë, duke bërë që pushuesit të kërkojnë një tjetër destinacion turistik.

Turistë nga Ballkani – njësoj si ata nga Europa Perëndimore – po heqin dorë nga planet për të kaluar pushimet në Turqi, duke qenë se një sërë sulmesh terroriste nga Partia Punëtore Kurde dhe ISIS, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, po hedhin poshtë thirrjen e saj si një destinacion i sigurt.
Turqia ishte një nga gjashtë destinacionet më të mëdha turistike në vitin 2014, duke tërhequr me miliona pushues në plazhet e saj të Egjeut dhe Mesdheut, ish-qytetin perandorak të Stambollit dhe në qytete dhe monumente që datojnë që nga koha e perandorive romake, bizantine, selxhuke dhe otomane.
Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Turqi, në vitin 2014 vendi priti 36.8 milion turistë ndërkombëtarë dhe 36.2 milion në vitin 2015. Të ardhurat totale nga turizmi në Turqi ishin 34.3 miliard dollarë në vitin 2014 (rreth 30.6 miliard euro) duke rënë në 31.5 miliard dollarë (28.1 miliard euro) në vitin 2015, një rënie prej tetë për qind.
Por rënia e numrit të vizitorëve është përshpejtuar ndjeshëm që nga viti 2015, duke qenë se konflikti vazhdon të përfshijë rajonin dhe shifrat për këtë vit duken të zymta.
Me afrimin e verës, shumë më tepër turistë priten të zgjedhin vende më të sigurta si destinacione pushimesh, me Spanjën në veçanti ka të ngjarë të përfitojë nga humbja e Turqisë.
Sipas Turizmdatabank, turizmi në Antalia po bie, e cila pret pjesën më të madhe të turistëve ndërkombëtarë. Në krahasim me vitin 2014, qyteti pa një rënie prej 20 për qind në numrin e vizitorëve në mars, në 41 për qind në muajin prill dhe 47 për qind në gjysmën e parë të majit.
Në përgjithësi, ndërkohë që pesë mujori i parë i vitit 2014 pa 1.7 milion turistë, ai numër ka rënë në vetëm 1 milion gjatë pesë muajve të parë të vitit 2016.
Edhe turistët ballkanas po tërhiqen
Në paralel me rënien e përgjithshme të numrit të vizitorëve, ekspertët e turizmit presin një rënie të madhe të numrin e pushuesve nga Ballkani këtë vit. Shumë ballkanas zgjodhën Turqinë si destinacionin e tyre të pushimeve gjatë viteve të fundit, për shkak të afërsisë së saj, çmimeve të mira, bukurisë natyrore dhe vendeve historike.
Por, sipas Shoqatës së Agjencive Turistike Turke, TURSAB, ndërkohë që numri i turistëve ballkanas u rrit nga viti 2013 deri në vitin 2015, këtë vit pritet një rënie në numrin e tyre.
Murat Guner, një turk me origjinë nga rajoni i Sanxhakut në Turqi, i cili tani drejton Kompaninë e Turizmit Tërheqës në Antalja, nëpërmjet të cilës ai organizon ture dhe klube sportive në Turqi për vizitorët ballkanas, tha për BIRN se ai pret një rënie të gjithçkaje nga 50-70 për qind në numrin e turistëve në vitin 2016.
“Vitin e kaluar, ishin katër ose pesë udhëtime me çarter në javë gjatë kësaj periudhe nga Ballkani drejt rajoneve bregdetare të Turqisë, por këtë vit mezi është organizuar një fluturim,” tha ai.
Guner u ankua gjithashtu për “propagandën e zezë” mbi Turqinë, duke u shprehur se disa politikanë, agjenci turistike dhe media në Ballkan po e portretizojnë Turqinë si një vend jo të sigurt.
Duke e mbështetur Gunerin, një zyrtar nga Agjencia e Turizmit Lemar në Marmaris tha për BIRN se ata prisnin një rënie të më shumë se 50 për qind të numrit të turistëve nga Ballkani në vitin 2016.
“Ne sjellim numrin më të madh të turistëve nga Ballkani në Turqi, por sapo i anuluam dy fluturimet e fundit nga Beogradi në Marmaris dhe Dalaman për shkak të anulimit të rezervimeve në çastin e fundit,” tha ai.
Shpërthimet tronditin reputacionin e vendit
Si PKK ashtu edhe ISIS u bë kohë që sulmojnë Turqinë, duke shkaktuar me qindra viktima civile të pafajshme dhe duke bërë që oficer sigurimi të humbin jetët e tyre.
Pas një sërë sulmesh me bombë në Stamboll, Diyarbakir dhe Ankara, një tjetër sulm me bombë ndodhi në Ankara më 14 mars 2016, përgjegjësinë e të cilit e mori PKK, duke vrarë 37 persona dhe plagosur 125 të tjerë. Disa nga këto bombardime kanë vënë qëllimisht në shënjestër turistë.
Në janar 2015, 11 turistë gjermanë u vranë gjatë një sulmi të ISIS në Sheshin Sulltahahmet, një nga vendet më tërheqës të Stambollit. Në mars, një tjetër sulm i ISIS goditi qytetin, duke vrarë pesë persona, pothuajse të gjithë të huaj. Tre izraelitë, një iranian dhe një turk humbën jetën në rrugën Istiklal, në zonën Taksim, një nga zonat kryesore të shopingut në Stamboll.
Përveçse kanë kërcënuar qytetet metropolitane, sulmet e fundit kanë kërcënuar gjithashtu edhe rajonin juglindor të Turqisë. Sipas Ushtrisë Turke në prill, 5,369 militantë të Partisë Punëtore Kurde dhe 355 persona të personelit të sigurimit – 215 ushtarë, 133 policë dhe shtatë policë vendas – u vranë nga korriku 2015 deri në prill 2016. Qeveria lajmëroi gjithashtu se vetëm në prill 2015, 17 civilë humbën jetët e tyre nga sulmet e ISIS në qytetin jugor kufitar të Kilis.
Shumë – përfshirë qeveria turke – mendon se rënia e ndjeshme do të vazhdojë. Zëvendës kryeministri Mehmet Simsek paralajmëroi më 6 maj se ekonomia turke do të vuajë keq nga rënia e të ardhurave të turizmit në vitin 2016.
Diplomat ballkanas në Turqi kanë ndarë këto parashikime pesimiste. Ambasadori i Serbisë në Ankara, Danilo Vucetiç, tha për BIRN se mediat serbe po ndjekin atë që po ndodh në Turqi dhe serbët duhet të mendojnë për sigurinë e familjeve të tyre.
Për shkak të kësaj, ai tha se Turqia do të shohë një rënie në numrin e turistëve serbë këtë vit.
“Nga ana tjetër, serbët duhet ta dinë se terrorizmi s’është problem vetëm për Turqinë,” shtoi ai. “Të gjithë vendet, përfshirë Franca, Belgjika dhe Britania e Madhe vuajnë nga terrorizmi. Çështja është të mos jesh në një vend të caktuar në një kohë të caktuar. Njerëzit mund të lëndohen kudo në botë për shkak të terrorizmit,” shtoi ai.
“Unë ndihem i sigurt në Turqi dhe për pushime do të shkoj në Antalja,” vazhdoi ai.
Ky artikull u publikua në gazetën dy javore të BIRN Belgrade Insight. Këtu mund të gjeni një kopje.