Ndërkohë që parlamenti i Kosovës do të votojë sonte për shtyrjen e mandatit të EULEX në Kosovë me dy vite të tjera, duhet të arrihet ende mirëkuptimi mbi qëllimin e punës së tij.
Pas muajsh të tërë negociata dhe më pak se 24 orë kohë para se mandati i EULEX në Kosovë të mbarojë, autoritetet e Kosovës po përpiqen të zgjasin misionin e tij.
Një seancë e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahet të martën në mbrëmje për të miratuar ligjin që do të lejojë të mbetet në fuqi mandati i EULEX në Kosovë.
Por qëllimi i punës së EULEX dhe kompetencat e tij në dy vitet në vazhdim mbeten ende temë negociatash, duke qenë se BE-ja nuk iu përgjigj letrës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili hartoi pritshmëritë e vendit të tij.
Ndërkohë që vendi dhe BE-ja përballen me presionin e afatit të tij që skadon më 14 qershor, Kosova ka vendosur të miratojë një ligj krejtësisht të ri që do ta lejojë EULEX të qëndrojë ligjërisht në Kosovë. Është ende e paqartë kur dy ligjet që do të rregullojnë punën e misionit do të aprovohen dhe miratohen.
Në një takim të jashtëzakonshëm të hënën në mbrëmje, qeveria e Kosovës njoftoi se nuk ishte i mundur menjëherë një ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare midis BE-së dhe Kosovës për të zgjatur mandatin e EULEX-it.
Sipas qeverisë, një letër e dërguar nga Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, për vazhdimin e mandatit, nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.
Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, tha gjatë takimit se kjo rrethanë ndryshonte aspektet procedurale të çështjes.
“Në mungesë të një përgjigjeje, tani duhet që ky ligj të modifikohet dhe të quhet ‘Ligji për Vazhdimësinë e Mandatit të Misionit të Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë’,” tha Kuçi.
Qeveria njoftoi gjithashtu se legjislacioni i ri do të votohet në kuvend pasi të miratohet fillimisht në komisionin parlamentar për legjislacion dhe mandate.
Votimi i së martës i projektligjit të rishikuar do të kërkojë një shumicë të thjeshtë ndryshe nga dy të tretat e totalit të deputetëve të kuvendit të përbërë prej 120 të tillësh, që janë të nevojshme për marrëveshjet ndërkombëtare.
Por ligji lë derën hapur vetëm për vazhdimin e mandatit të EULEX. Kosova dhe BE-ja duhet ende të arrijnë marrëveshje të tjera të cilat do ta bëjnë operacional misionin e sundimit të ligjit. Mbetet ende për t’u parë se kur do të ndodhë kjo, duke qenë se deri tani, sipas qeverisë së Kosovës, BE-ja nuk i është përgjigjur letrës së presidentit Thaçi.
Letra pa përgjigje
Përveç një ftese konvencionale që EULEX ta shtyjë mandatin e tij në Kosovë, letra e Thaçit ishte në një lloj mënyre e kushtëzuese.
Menjëherë pas lavdërimeve të hapjes, letra mirëpret mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në sektorin e drejtësisë, “sidomos nëpërmjet monitorimit të gjyqësore dhe këshillimit që i kanë dhënë institucioneve tona.”
“Institucionet e Kosovës shprehin gatishmërinë për të marrë përsipër kompetencat në fushat e drejtësisë të ushtruara nga Sundimi i Ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë me përjashtim disa të fushave të caktuara ku transferimi i kompetencave konsiderohet jo i realizueshëm”, shkroi Thaçi.
Ai thekson se “si çështje parim, të gjitha hetimet penale dhe gjykimet e reja penale do të zhvillohen nga autoritetet e Kosovës, me panele gjyqësore të përbërë nga gjyqtarët e Kosovës”.
Presidenti i Kosovës thotë gjithashtu se gjyqtarët e EULEX do të caktohen në çështje të ndjeshme vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe me kërkesa speciale dhe marrëveshje të hierarkisë së lartë gjyqësore.
“Si rezultat i tranzicionit të mandatit të “EULEX KOSOVA”, përfshirë politikën tonë për të mos kërkuar përfshirjen e EULEX në çështje të reja përveç se në rrethana të jashtëzakonshme të rëna dakord, unë e mbështes mandatin e EULEX në Kosovë dhe atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të saj,” tha Thaçi.
Kërkesat e Thaçit për një ngushtim të mëtejshëm të fushës së punës së EULEX erdhën pasi misioni i BE-së tashmë ia ka transferuar disa kompetenca sistemit të drejtësisë vendore në lidhje me çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Që prej themelimit të tij në vitin 2008, EULEX merret me sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka qenë në krye të gjykatave. Por që tani e në vazhdim, më shumë çështje do t’u kalojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha po ashtu një takim të qeverisë të premten se EULEX duhet, në mandatin e tij të ri, të përqendrohet në monitorimin, mentorimin dhe këshillimin dhe duhet t’i transferojë më shumë nga përgjegjësitë e tij institucioneve gjyqësore të Kosovës.
Megjithatë, edhe pse misioni i BE-së i ka dorëzuar gjithnjë e më shumë përgjegjësi prokurorive dhe gjykatave vendase, disa çështje kyçe krimesh lufte, krimi të organizuar dhe korrupsioni kanë ngelur në duart e zyrtarëve të EULEX.
Në ndërhyrjen e fundit në prill, policia dhe prokurorët e EULEX bashkë më homologët e tyre në Kosovë kryen një operacion të gjerë dhe arrestuan gjashtë persona si pjesë e një hetimi për një mashtrim të dyshuar me një tokë që i kushtoi shtetit 30 milion euro.
Azel Syla tani po përballet me gjykatën në lidhje me këtë hetim, i akuzuar si shefi i një organizate kriminale të përfshirë në mashtrim me tokë sociale.
Syla është një ish-komandant i UÇK-së dhe një ligjvënës i shquar i Partisë Demokratike e Kosovës, PDK, e njëjta parti që Thaçi e ka udhëhequr që nga krijimi i saj në vitin 1999 pas luftës derisa ai u zgjodh president.
Shumë pyesin nëse institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të kryejnë hetime të pavarura kundër zyrtarëve të të lartë të dyshuar se janë të përfshirë në korrupsion për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me qeverinë e Kosovës.
Të vazhdosh kundër afatit
Qeveria e Kosovës ra dakord të premten e kaluar të shtyjë mandatin e EULEX, i cili skadon më 14 qershor. Përveç votimit të një ligji special ditën e martë, i cili do ta lejojë misionin të qëndrojë në Kosovë, puna më e vështirë do të jetë që Kosova dhe BE-ja të bien dakord për dy projektligjet e tjera.
BIRN ka siguruar të dy projektligjet – njëri i quajtur projektligji për ratifikimin e marrëveshjes midis Kosovës dhe BE-së për zgjerimin e mandatit të EULEX dhe tjetri projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë lidhje me mandatin e Misionit të Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë.
“Ky ligj ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare të arritur nëpërmjet shkëmbimit të instrumenteve midis Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian, mbi Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX),” thuhet në nenin e parë të ligjit të ratifikimit.
Por zyra e Mogherinit në Bruksel duhet ende t’i përgjigjet propozimeve të Kosovës. Zyra e BE-së nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të mësuar se kur do të ndodhë këmbimi i letrave.
Edhe pse qeveria bëri thirrje që këto projektligje të miratohen menjëherë, nuk dihet ende se kur do të paraqiten në parlament këto projektligje, duke e lënë në harresë misionin e EULEX-it.
Seanca e ardhshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahet të enjten, por EULEX nuk ishte pjesë e temave për diskutim apo axhendës.
Kryetari i parlamentit Kadri Veseli u shpreh se qeveria nuk ka kërkuar zyrtarisht që të mbahet një seancë në lidhje me këtë çështje. “Nëse qeveria e kërkon këtë, atëherë do të mbahet një seancë e veçantë për EULEX-in,” tha Veseli në takim.
Nga kjo pikë, një sërë kundërshtimesh dhe deklaratash konfliktuale u manifestuan derisa qeveria më në fund pranoi një bllokim të kësaj çështje në orët e mbrëmjes.
Mbetet ende e paqartë nëse qeveria paraqiti ndonjëherë një kërkesë formale për një seancë të dedikuar kësaj çështjeje, duke qenë se zyra e kryeministrit dhe këshilltarët ishin të paarritshëm për një koment ditën e hënë, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura.
Ismet Krasniqi, sekretar i kuvendit, gjithashtu nuk pranoi të sqaronte nëse të dy projektligjet për mandatin e EULEX ishin dorëzuar në parlament. “Këtë pyetje duhet t’ia bëni qeverisë,” tha ai për BIRN.
Agim Demaj, anëtar i komisionit parlamentar për legjislacionin dhe mandatet, nga partia qeverisëse Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për BIRN se ndërkohë që komisioni ishte planifikuar të mblidhej ditën e martë, projektligjet për EULEX-in nuk ishin të disponueshme për deputetët.
“Këto dy projektligje ende nuk janë dorëzuar në komision,” pohoi Ademaj.
Por, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, nga Lidhja Vetëvendosja, tha për BIRN se projektligjet në të vërtetë ishin dorëzuar.
“Të dy projektligjet i janë dorëzuar komisionit ditën e premte dhe jam informuar se të gjithë deputetët i kanë marrë kopjet e tyre,” tha Haxhiu.
Ajo theksoi se prezantimet ligjore për EULEX-in nuk ishte pjesë e takimit të komisionit ditën e martë.
“Si kryetare, nuk do të propozoj që projektligjet të përfshihen në takim, por kushdo nga anëtarët e komisionit mund të propozojnë përfshirjen e tyre,” tha ajo.
EULEX filloi punë në dhjetor 2008, duke ndihmuar institucionet e Kosovës, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në sundimin e ligjit.
Mandati i tij është rinovuar çdo dy vjet deri më tani dhe misioni ka pushtet ekzekutiv sidomos në lidhje me hetimet ndjekjen penale të krimeve të rënda dhe të ndjeshme.
Megjithatë, gjatë zgjatjes së mandatit të tij në vitin 2012, pati një zvogëlim të ndjeshëm të stafit dhe ristrukturim të misionit.
Imer Mushkolaj, një analist nga Prishtina, tha se mos zgjerimi i mandatit të misionit të BE-së nuk ishte një opsion për Kosovën, duke pasur parasysh brishtësinë e vetë institucioneve të sundimit të ligjit në vend.
“Kjo thjesht nuk mund të ndodhë. Mandati i EULEX duhet të vazhdojë dhe në momentin e fundit do të gjendet një zgjidhje që kjo të ndodhë,” parashikoi ai ditën e hënë.
Dhe kështu ndodhi. Disa orë më vonë, qeveria gjeti “një zgjidhje të momentit të fundit”, duke propozuar një projektligj të ri për të shtyrë mandatin e EULEX.
Gjylejta Mushkolaj, një profesoreshë ligji në Universitetin e Prishtinës, ra dakord me këtë.
Ajo tha për BIRN se edhe nëse mandati i EULEX nuk do të shtyhet në kohë, kjo gjë do të ndodhë në një mënyrë apo një tjetër.
“Mandati i EULEX ose do të shtyhet ose do të rinisë nga e para. Ka gjithmonë një justifikimin në vendet ku nuk ka asnjë koncept të sundimit të ligjit,” tha ajo.
Por nëse Kosova dhe BE-ja s’bien dakord shpejt, EULEX do të jetë thjesht pro form në Kosovë, pa asnjë mundësi për të marrë vendime.
“Nëse mandati i tij shtyhet gjatë kësaj jave, atëherë Misioni do të presë dhe nuk do të marrë asnjë vendim derisa marrëveshja të ratifikohet.”