Një gjykatë në Kosovë dënoi me burg një shtetas serb, Sllobodan Gavriç, i cili u arrestua në Prishtinë me një makinë të mbushur me eksplozivë në një zonë pranë ambasadës së SHBA.
Gjykata e Shkallës së Parë në Prishtinë të mërkurën shpalli fajtor për terrorizëm një shtetas serb të quajtur Sllobodan Gavriç dhe e dënoi atë me 13 vite burg. Makina e Gavriç, në të cilën policia gjeti eksplozivë, u konfiskua nga gjykata.
Policia e Kosovës e arrestoi Gavriç, një veteriner nga Rraska në Serbinë jugore, në dhjetor 2014 në Prishtinë dhe gjeti eksplozivë në makinën e tij.
Gavriç kishte marrë në Beograd 25 eksplozivë me peshë rreth 12 kilogramë me “aftësi të larta shkatërruese dhe [me synimin për të] shkaktuar sa më shumë viktima dhe dëm material”, tha gjykata.
Ai u gjet në një zonë të kryeqytetit të Kosovës ku ndodhen ambasada e SHBA dhe ato të vendeve të tjera perëndimore.
Sipas ekspertëve, substanca e eksplozivit ishte e njëjtë me substancën e përdorur në shumë sulme terroriste të viteve të fundit.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi atë në korrik 2015 me akuzat e përgatitjes së sulmeve terroriste përkundrejt rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gavriç pretendoi pafajësi dhe avokatët e tij thanë se do të apelonin vendimin.