Liderët e Ballkanit kanë dënuar sulmin terrorist të së enjtes në qytetin francez të Nisës ku vdiqën të paktën 84 persona dhe bënë thirrje për solidaritet me popullin e Francës.
Liderët e Serbisë, Rumanisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë të gjithë dënuan sulmin terrorist të së enjtes në Nisë, në të cilën u vranë 84 persona, pasi një kamion përplasi turmën e njerëzve që po festonte Ditën e Bastijës.
Presidenti francez, Francois Hollande tha se sulmi ishte “padyshim i një natyre terroriste” dhe zgjati gjendjen e emergjencës, vendosur në nëntor pas sulmeve terroriste në Paris kryer nga militantët e Shtetit Islamik ku vdiqën 130 persona.
Raportimet e medias thonë se dy rumunë ishin mes të plagosurve në Nisë. Ministri i jashtëm rumun Lazar Comanescu tha të premten se dy rumunët ishin në spital.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç shprehu ngushëllimet e tij në Tëitter dhe bëri thirrje për një luftë të përbashkët kundër terrorizmit.
“Ne jemi të tmerruar nga sulmi brutal në Nisë. Duhet të bashkohemi për të luftuar terrorizmin. Ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave,” shkroi Vuçiç të premten.
Qeveria e Malit të Zi gjithashtu shkroi në Tëitter duke dënuar sulmin terrorist në Nisë. Mali i Zi “qëndron krah Francës dhe ndan dhimbjen me familjet e viktimave,” shkruhej në postim.
Diplomati malazez dhe ish-koordinatori kombëtar i NATO-s Vesco Garceviç tha se ai “ishte i shokuar dhe i tmerruar” nga sulmi terrorist.
“Simpatia dhe solidariteti im janë me Francën. Kjo ndodh aq shpesh. Është Franca pika e dobët e Europës?”, shkroi ai.
Asnjë malazez apo serb nuk është raportuar i vdekur nga sulmi.
Kryeminsitri bullgar, Boyko Borissov gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, por ai gjithashtu kritikoi vendet e perëndimit për “gjenerim terrorizmi” me lufëtrat e shumta në Lindjen e Mesme.
“Jam i shokuar nga sulmi terrorist në Nisë. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave të #Nice06,” shkroi Borissov në Facebook të premten.
Më vonë në qytetin juglindor të Burgas, Borissov shtoi: “Çfarë kemi bërë në Siri, Libi, Irak dhe Iran ka gjeneruar terrorizëm që është zhvendosur në rrugët tona”.
Ai tha se shumë politikanë botëror nuk duan të mësojnë dhe kritikoi sulmet ajrore që vazhdojnë në Irak dhe Siri, që sipas tij gjithashtu “marrin jetën e viktimave të pafajshme, milionave prej tyre”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova shprehu solidaritet të plotë me njerëzit në Francë gjatë takimit të qeverisë të premten.
“Jemi të shokuar me aktin barbar që vrau dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nisës. Në këto çaste të rënda për shtetin francez dhe popullin e tij, Kosova bashkohet dhe shpreh solidaritet të plotë me popullin francez,” tha Mustafa.
Nuk ka raportime të shtetasve kosovarë të plagosur deri më tani.
Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati përdori Tëitter për të shprehur solidaritetin e tij me popullin francez.
“Shqipëria ndan vuajtjen e popullit francez. Solidariteti ynë është me #Francën. Mendimet tona shkojnë për familjet e viktimave,” shkroi ai në frëngjisht.
Shqipëria tha se nuk kishte informacion nëse ndonjë shqiptar ishte i përfshirë në incident. Ky lajmërim erdhi pasi në disa imazhe nga masakra, fjalë në shqip dëgjoheshin mes turmës së tmerruar.
Lajmi për sulmin në Nisë tërhoqi fjalë solidariteti edhe nga liderët e Bosnjës.
“Jam shumë i shokuar nga lajmi për sulmin terrorist që ndodhi në Nisë mbrëmë”, shkroi kryeministri Denis Zvizdiç në një telegram te kryeministri francez.
“Jam i bindur se me përpjekjet tona të përbashkëta ne mund dhe duhet ta luftojmë në të gjitha format terrorizmin dhe të mbrojmë paqen në botë,” shkroi Zvizdiç.
Asnjë shtetast nga Bosnja dhe Hercegovina nuk është raportuar i vdekur në sulm.
Tihomir Oreskovic, kryeministri i qeverisë së shpërbërë kroate, dërgoi gjithashtu ngushëllimet e tij për presidentin francez.
Në një takim zyrtar në Mongoli edhe presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç tha: “Në situata të tilla, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe duhet të tregojmë të njëjtin unitet dhe zotim për të luftuar terrorizmin”.
Ministri i jashtëm maqedonas shprehu ngushëllimet e tij dhe dënoi aktin tjetër terrorist. Të njëjtën gjë bëri edhe kreu i opozitës, Zoran Zaev.
“SDSM dhe populli maqedonas shprehin solidaritet me popullin mik të Francës dhe pjesën tjetër të botës në luftën kundër terrorizmit”, shkroi Zaev.