
Pas dështimit para panelit të ekspertëve, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njoftoi se do të ankimojë vendimin e tyre në gjykatë arbitrazhi ndërsa Bankers thotë se “do të bashkëpunojë”.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore deklaroi sot (21 tetor) se do të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për të ankimuar vendimin e një paneli me tre ekspertë, të cilët i dhanë të drejtë kompanisë Bankers Petroleum përballë pretendimeve për shpenzime të pajustifikuara dhe mospagesë tatimi të ngritura nga AKBN.
Përmes një njoftimi të shkurtër për shtyp, AKBN tha se e ka marrë vendimin për arbitrazh “pas një konsultimi të gjatë me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokaturën e Shtetit” si dhe shpreh bindjen se “elementët e gjetur në raportin auditit, të hedhur poshtë nga ekspertët janë të mjaftueshëm për këtë Gjykatë që t’i japë të drejtë shtetit shqiptar”.
Pyetur nga BIRN, Bankers Petroleum e konsideroi ankimimin si “diçka që është në të drejtën e tyre”, dhe premton se do të “jetë bashkëpunues deri në fund”.
“…Ne ramë dakord që të zgjasnim periudhën e vlerësimit të fakteve për agjencitë qeveritare me 30 ditë me qëllim që t’u jepnim të gjithë kohën e mjaftueshme institucioneve për të marrë një vendim mbi apelimin në Gjykaten Ndërkombëtare të Arbitrazhit”, tha për BIRN Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Rob Carss.
Mosmarrëveshja, në të cilën shteti shqiptar kërkon rreth 60 milionë dollarë në formën e tatimit të fitimit të papaguar, lindi në vitin 2014, kur pas ankesave të shumta në publik mbi kostot e nxjerrjes së naftës të Bankers, AKBN, agjencia që mbikëqyr shfrytëzimin e burimeve natyrore, vendosi të kryejë një auditim të thelluar të bilancit të Bankers për vitin 2011. AKBN ngriti pretendimin se rreth 248 milionë dollarë shpenzime të Bankers për vitin 2011 janë të pajustifikuara. Bazuar në këtë pretendim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lëshoi një faturë fiskale prej 7.5 miliardë lekësh tatim mbi fitimin dhe kamatëvonesa. Bankers kërcënoi me Arbitrazh, gjë që detyroi palën shqiptare të pranojë krijimin e një grupi të pavarur ekspertësh për të gjykuar mbi mosmarrëveshjet.
Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se grupi i ekspertëve pati dalë në konkluzionin se Bankers ka kryer shkelje të konsiderueshme në procedurat e prokurimit, por sipas opinionit të tyre, AKBN nuk duhej të mjaftohej me identifikimin e problemeve në procedurat e prokurimit, por duhej të vërtetonse se këto shkelje kishin shkaktuar dëm për interesat e Shqipërisë dhe të ngrinte pretendime mbi dëme të vlerësuara. AKBN pretendon se të gjitha kostot e Bankers për të cilat nuk ka pasur procedura të rregullta prokurimi duhej të mos njiheshin si shpenzime të zbritshme.
Në fund, paneli i ekspertëve i dha të drejtë Bankers dhe i rrëzoi në tërësi dhe nen për nen pretendimet e AKBN-së. Dy raportet e ekspertëve, të cilat u siguruan nga BIRN në kushte konfidencialiteti reporter.al, zbulojnë nga njëra anë për herë të parë listën me kompanitë kryesore që i shërbejnë Bankers dhe nga ana tjetër, metodat e punës të ndjekura nga kjo kompani në përzgjedhjen e kompanive që i ofrojnë punë, mallra apo shërbime.
BIRN analizoi më tutje të dhënat financiare të disa prej kompanive që ofrojnë shërbime te Bankers dhe zbuloi se këto kompani realizonin fitime të majme, deri në 40 për qind mbi të ardhurat e siguruara nga kontratat me Bankers.
Bankers Petroleum fitoi një kontratë koncesioni në vitin 2004 në bazë të së cilës, kompania merr përsipër të investojë për rritjen e prodhimit të naftës në vend dhe të paguajë 50 për qind tatim mbi fitimin pasi investimi fillestar të jetë rikuperuar. Përgjatë viteve, Bankers raporton se ka investuar rreth 1.7 miliardë dollarë në Shqipëri, shumë që do të duhet të rikuperohet nga fitimet para se kompanisë t’i lindë detyrimi të paguajë tatim mbi fitimin.
Aktualisht, për shkak të çmimeve shumë të ulëta të naftës, dyshimi është që Bankers nuk do të kalojë kurrë me fitime neto të mjaftueshme për të shlyer investimin fillestar dhe rrjedhimisht nuk do t’i lindë detyrimi të paguajë tatim mbi fitimin.