Pas ankesës së Partisë Demokratike në opozitë, pjesa më e rëndësishme e Reformës në Drejtësi pritet të kalojë në “ngrirje” për shumë dhe shumë muaj për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar zbatimin deri në gjykimin e çështjes në themel.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot (25 tetor) të ngrijë punën për zbatimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohur më së shumti si procesi i vetingut, si dhe njoftoi se ka ndër mend të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias para se të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen, një masë kjo që pritet të shtyjë për shumë dhe shumë muaj fillimin e procesit që konsiderohet si thelbi i Reformës në Drejtësi.
Procesi i Vetingut parashikon që korpusi aktual i Gjykatësve dhe Prokurorëve të kalojnë në një hetim të thelluar të aftësisë profesionale dhe të pastërtisë së figurës përmes analizimit të aseteve dhe aktiviteteve të tjera ekonomike të tyre, proces që synon të pastrojë sistemin nga gjykatësit dhe prokurorët që rezultojnë me pasuri të pajustifikuara.
Pas miratimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi në korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e vetingut në gusht 2016, në një seancë ku opozita u ankua se qeveria po i krijonte mundësi vetes të kontrollonte procesin e kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve.
Gjithsesi, Presidenti Bujar Nishani nuk e dekretoi dhe as nuk e ktheu për shqyrtim në parlament këtë ligj, duke bërë që ligji të hyjë në fuqi automatikisht. Partia Demokratike pas kësaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila mori vendimin e pezullimit.
Procesi i vetingut përcakton mënyrën e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në komponentët e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe vlerësimit profesional. Ai përcakton gjithashtu edhe kompetencat e institucioneve të vetingut-Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Por roli i institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë proces shkaktoi krisjen e konsensusit të arritur në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Partia Demokratike konteston rolin kyç sipas saj që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme do të kenë në procesin e vetingut.
“Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organet e kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv sjell kontroll të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit,” deklaroi PD gjatë kohës së diskutimit të ligjit.
Ndërkohë, dërgimi i ligjit në fjalë nga Gjykata Kushtetuese për në Komisionin e Venecias për opinion nënkupton që edhe shumë muaj të tjerë do të duhet të kalojnë para se ligji në fjalë të hyjë në fuqi.